Çmimet Kombëtare të Letërsisë, këta janë fituesit e sivjetmë

Qendra Kombëtare e Librit dhë Leximit organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023.

Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023, të akorduara nga juria e posaçme e drejtuar nga Koloreto Cukali, janë:

“ROMANI MË I MIRË I VITIT” i jepet autorit Besnik Mustafaj

Për romanin “Fati i marrë” për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative,” ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave; dhe Fati i Marrë i Shqipërisë, kthehet në Fatin e Bukur, që si një shi i butë, pasuron e mbush me imazhe të pasura shqipen dhe të bën të ëndërrosh për historinë.

“VEPRA MË E MIRË STUDIMORE E VITIT” i jepet autorit Pëllumb Xhufi

Për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar” për hulumtimin e dokumentimin e thelluar, bazuar në fakte dhe dokumenteve të një epoke, ku ndriçon me kompetencë ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare; duke sjellë për të parën herë një pasqyrë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar si popull dhe komb në kohëra të errëta, duke ofruar një kontribut të vyer për studimet historike shqiptare.

“PËRKTHIMI MË I MIRË I VITIT” i jepet përkthyeses Ana Kove

Për përkthimin e librit “Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass, për punën mjeshtërore, përmes së cilës përkthyesja arrin të përçojë me rrjedhshmëri te lexuesi shqiptar thellësinë e zërit të pazakontë të personazhit dhe satirën e mprehtë të autorit.

“VËLLIMI MË I MIRË ME TREGIME I VITIT” i jepet autorit Shpëtim Kelmendi

Për librin “Dashnia asht”, për eksplorimin e hapësirave më intime brenda nesh; me një gegnishte kumbuese e me një ndjeshmëri të rrallë, autori na fton të dëshmojmë bukurinë pa e prekur, duke na dhuruar një përvojë letrare që ngjall emocione dhe meditime të thella.

“VËLLIMI MË I MIRË POETIK I VITIT” i jepet autores Entela Tabaku

Për librin me poezi “Qeramikiana”, për eksplorimin mjeshtëror në poezinë e saj të brishtësisë dhe reziliencës; për mënyrën se si përvojat e saj personale filtrohen në një gjuhë poetike më të madhe se jeta, duke kapur thelbin e emocioneve njerëzore me imagjinatë të gjallë dhe thellësi të jashtëzakonshme; si dhe për pasurimin e poezisë shqipe me zërin e saj lirik unik.

“LIBRI PËR FËMIJË MË I MIRË I VITIT” i jepet autores Ledjona Braho

Për librin “Kroni dhe Pulëbardhat”, për kurajën e trajtimit të temave të forta bashkëkohore në raport me fëmijët dhe prindërimin, për rrjedhshmërinë e stilit dhe mënyrën origjinale të rrëfimit në vetën e parë, që nga momentet e para të jetës deri në eksplorimin e botës përreth. “Kroni dhe Pulëbardhat” i Lediona Brahos është një kontribut i vyer për letërsinë për fëmijë./gazetatema

ObserverKult


Lexo edhe:

ALDA MERINI: S’KAM NEVOJË PËR PARA, KAM NEVOJË PËR NDJENJA…