Sonte fillon festivali “Prishtina Dance Week 2025”, i pari i këtij lloji në Kosovë

Festivali i parë i vallëzimit në Kosovë, “Prishtina Dance Week 2025”, do të mbahet nga sot deri të dielën në Prishtinë. Ky eveniment do të sjellë një atmosferë për dashamirësit e kërcimit dhe artit të vallëzimit.

Organizatori Rron Haxhiislami ka dhënë hollësi për këtë festival. Ai për RTK ka thënë se aktivitetet do të fillojnë sonte nga ora 19:00 deri në ora 21:00, me dy punëtori. Pas këtyre punëtorive, do të pasojnë aktivitete të tjera.

“Sonte fillojmë nga ora 19 deri në ora 21 do të mbahen dy punëtori nga dy instruktorë të ndryshëm, njëra është nga Maqedonia e Veriut, tjetri nga Italia për të vazhduar me pas me aktivitete tjera,” tha Haxhiislami.

Ai gjithashtu theksoi se gjatë ditëve në vazhdim, përkatësisht të enjten, të premten dhe të shtunën, do të shtohen artistë të huaj.

Pjesëmarrës pritet të jenë rreth 15 artistë ndërkombëtarë dhe afërsisht 20 shkolla të vallëzimit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Zvicra. Kjo do të krijojë një atmosferë të pasur dhe shumëngjyrëshe të vallëzimit, duke ofruar mundësinë për të parë dhe dëgjuar arritje artistike dhe muzikore.

“Në mbrëmjet në vazhdim, pra të enjten, të premten, të shtunën do të shtohen artistët e huaj që do të jenë pjesëmarrës. Do të jenë diku 15 artistë të huaj që do të na bashkëngjiten dhe i kemi diku 20 shkolla të vallëzimit që do të vinë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Zvicra. Kështu do të krijohet një atmosferë e mirë vallëzimi dhe do të shohim arte dhe muzikë të ndryshme që s’i kemi parë dhe dëgjuar më herët”, theksoi ai.

“Prishtina Dance Week 2025” pritet të jetë një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar komunitetet e vallëzimit dhe për të ofruar një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit./rtk

ObserverKult


Lexo edhe:

BUQETË E ZGJEDHUN POETIKE NGA MARTIN CAMAJ: DASHUNIA ASHT’ E VETMJA SHTYLLË GURI