
Nga Fehmi Pireva
Ekziston me të drejtë një mendim për të cilin më shumë thuhet se sa shkruhet, se shkrimtarit nuk i takon të jap vlerësime për veprën e tij. Ndonëse, vepra realisht, i prezantohet për ta kuptuar drejt mesazhin e saj, si: institucioneve dhe shoqërisë.
Këtë traditë, shkrimtarët dhe poetët shqiptarë, kanë qenë të detyruar për ta thyer, në ato momente – periudha, kur politika nuk e ka bërë si duhet punën e vetë, ose nuk ka mundur ta bëj, pasi kanë ekzituar faktorë të tjerë që e kanë penguar veprimin, ose nuk ka pasur shumë qartësi të mjaftueshme në procesin e ndryshimit të gjërave, të ndërlidhura me shumë faktorë më kompleks.
Mitrovicën e kam vizituar për herë të parë, mes moshës 7 – 10 vjeçare, kur im atë, në vitet e ’70-ta, në një mëngjes të freskët vjeshte, me një qerre të drunjtë, ngarkuar me pemë dhe perime, më kishte mbështjellur me një batanie ngjyrë të kuqrremtë, për ta shoqëruar në treg. Për aq sa ia lejonte kapaciteti i dijes, u përpoq të m’i jepte disa shpjegime për Mitrovicën:
E ka një lumë më të madh, seç është lumi Llap, i cili kalon qindra metra para shtëpisë sime.
E ka një minierë, për të cilën flitet, se ka shumë metale dhe ari. Seç është ari, e pata më të lehtë ta kuptojë, pasi ime nënë, mbante pak stoli në qafë dhe një unazë nga fejesa. Atëbotë, mendoja, se të gjitha këto stoli prodhohen në minierën Trepça.
Tutje, babai më rrëfente, se qyteti ka edhe një urë, e cila lidhë shqiptarët dhe serbët, por e keqja e saj është se “tundet” më shumë se sa vigu i drurit te ne. Ishte një metaforë apo rrotulla odash, diçka e pakapshme për mua.
Ndonëse, shkrimtarët vazhdojnë të ndërtojnë ura, edhe aty ku nuk ekzistojnë fare, pasi simbolika letrare dhe arti qëndrojnë më lartë dhe në koherencë se sa politika.
Shkrimtari në parim është i ndërtuar të mos urrejë, asnjë qenie njerëzore. Pavarësisht etnisë, gjuhës, ngjyrës, racës, kulturës etj. Si e njëjta qenie – njeri në univers, që sipas rrëfimit biblik, vijnë nga një babë me emrin Adam dhe një nënë me emrin Eva.
Në kohën që po shkruaja romanin: “Ura mbi Ibër”, i shoqëruar nga një mik dhe mikeshë, nëpunës të Administratës së Kuvendit, të po kësaj komune, po shkelja ngadalë mbi kurrizin e Urës. Ajo që më bëri përshtypje, si pamje fillestare a perceptim, ishin: pëllumbat e mbledhur në mesin e urës, sikur, mu aty, po e ruanin ekulibrin e paqes së brishtë. Jo shumë larg, në drejtim të veriut, vura re disa vetura me mbishkrim italisht. Ishin ushtarë që bënin roje.
Dy realitete, që përkthyer në botën e artit, krejtësisht të ndryshme: po kaloja mes pëllumbave të patrembur dhe ushtarëve që mbanin armët për ta ruajtur paqen, ndonëse shpesh pa liri. Besoj se koha ardhur që paqja në Veriun e Kosovës duhet të ndërtohet, forcohet dhe jo vetëm të ruhet me armë. Mes paqes dhe lirisë, jam munduar ta shoh dallimin dhe anën e padukshme: A është paqja – liri, apo liria ndërtohet, atëherë kur brenda saj ka përthithur paqen e mjaftueshme? Mendoj se paqja dhe liria në Mitrovicë dhe Veriun e Kosovës duhet të shkrihen në një.
Në ditët e acarta të dhjetorit të vitit 2023, gjatë vizitës që i bëra Drejtorisë për Kulturë, ku u pritëm me bujari, znj. Valdete Idrizi, në një zyrë prej qelqi, me plot dritë, vura re mozaikun e vizatimeve të nxënësve serbë dhe shqiptarë, në një tabelë. Ishin përgjigjur pyetjes: si e shohin Mitrovicën, nëpërmes artit, imagjinatës, trillit dhe padjallëzisë së tyre? Si në vizatimet e nxënësve serbë dhe shqiptarë, e pashë një mrekulli: një Mitrovicë me elemente të përbashkëta infrastrukturore: ura, shkolla, kafene, dyqane, parqe, fusha sporti, rrugica, sheshe etj. Mendova, ndoshta mëkati, qëndron i fshehur dike tek të rriturit: “Ata hanë mollët, të vegjëlve u mpihen dhëmbët”- një thënie paksa e modifikuar popullore.
Edhe pse me përkatësi si një shqiptar, jam munduar t’i shoh të dy anët e medaljes së këtij qyteti. Se këtu mund të jetohet edhe në paqe dhe në liri. Ne si shkrimtarë, si misionarë, kudo po hedhim ca dromca arti mbi jetën, si mëlmesa për të mbyllur plagë, që të mund të shërohemi nga urretja, e cila shpesh është gjetur duke fjetur marrëzisht, në të njëjtin shtrat me dashurinë njerëzore. Por, hendeku mes djallëzisë së politikës dhe artit mbetet ende i thellë.
Në fund krejt, do të dëshiroja që, Isa Boletini, pa koburet në brezë të lëvizte lirisht në të dy anët e Ibrit, ndërsa Knjaz Llazari, me gishtin e lodhur tregues dhe ndërsyes drejt jugut, t’i kthehet historisë. Konsulli Shqerbin, të mbetet referencë e konsujve dhe atyre diplomatëve, që gabimet të mos përseritën, pasi rrezikojmë t’i përserisim epizodet e luftërave dhe përplasjeve qindra vjeçare.
(Fjala ime e mbajtur me rastin e promovimit të romanit “ Ura mbi Ibër” në Universitetin “ Isa Boletini”)
Mitrovicë e Jugut, 17 maj 2025
ObserverKult
Lexo edhe:






