Cikël poetik nga Anton Marku: Ngjyra e fatit

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Anton Marku:

NGJYRA E FATIT

Në luftën e fundit
as nuk më vranë
as nuk i vrava

Plumbat qorr
nuk kanë sy

Trupi im
ende nuk ishte gati
për t’u derdhur në bronz

As për këngë rapsodësh
nuk kishte lindur

Kur vdekja
t’i hyjë jetës në shtrat
qëllofsha aty

Në shtratin tjetër.

FJONGO E ZEZË

Një e vejë barkfryrë
u zhvesh deri në gjysmë të trupit
e u lut
për gjysmën tjetër

Gjithë natën e end
pa e ditur
se pse kishte dalë nga shtëpia

Askush nuk e përfilli
atë hije lëkurdjegur
derisa nuk iu shua hukama
lutjes

Nuk e dinte
se sa herë duhet të këndonte gjeli
para se të mohohet
ai që ende
nuk i kishte rënë brisk fytyrës

Jeta
asnjë fundi
nuk i vë pikë

Veç syve
iu ndërron ngjyrë.

PEZULL

Nga majat e degëve të jetës zbriti
me njërën dorë shkokloi vitet

Në përkohshmërinë e tij
i kishte ndodhur shpesh
të mbathte këpucët e gabuara

Kur ecja u ndal
e gjurmët nuk po e ndiqnin më
vetja iu duk
si një duhanpirës
që tymos cigaren e fundit
të mbetur në tavolinë

I duhej të bënte
vetëm edhe një hap
aq të madh
sa nuk bëhej këmbë

Nën bar
së pari zbritën
ëndrrat e tij

Pastaj ai.

URATA

Në det do i gjej
të gjithë lumenjtë
e ëndrrave të mia

Me këmbët e groposura në kripë
me ujin e tyre shpërlaj fytyrën
tash e sa vite

Në trup ruaj jetën
kohën e zbrazë në gotë

Një ditë
gjithçka do të derdhet në qiell

Deri atëherë
le të mos vdesim.

PËRTEJ

Kur atdheut
t’i rriten thonjtë
rapsodët ia thonë këngëve të moçme

Varrmihësit përvjelin mëngët
e luten
të mos bjerë shi

Vashat shkulin flokët
për djemtë
që nuk arritën të bëhen burra

Diku në qiell
është një tokë
që na pret
t’i shkojmë si njerëz

Jo si dhe.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL ME POEZI NGA ANTON MARKU: KAM FRIKË SE KJO DO TË JETË HERA E FUNDIT QË DËGJON ZËRIN TIM…