
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Anton Marku:
TË PAPËRLYERIT
Është një bark
në të cilin gjithmonë është ndjerë
një zë fëmije
Bark me dy kërthiza
tash e sa shekuj shtatzënë
Është një dorë
që nuk e sheh askush
pos teje
e nuk është e jotja
Është një atdhe i paemër,
e pak bujtina
e me shumë varre
Veç ata kanë emra.
AUTOBIOGRAFI
Kam lindur
para emrit tim
Kam parë
para se t’i hapë sytë
Kam folur
para se t’i mësoj fjalët
Kam puthur
Para se të di se ç’ është puthja
Kam jetuar
pa pyetur
si vdiset.
TË VDESESH MIRË
Të vdesësh duke ecur
në këmbët tua
Me dorën e djathtë
të mbyllesh vetë
derën e arkës
E brenda saj
të thuash punën e pendimit
Gjer sa të mos bëj më.
TESTAMENT
Kam harruar
si është të puthësh
Të shkoklosh
gjinjtë e natës
Këtu ku jam ulur unë
është mesi i botës
që as vetë nuk e di
ku nis e ku mbaron
Ku asgjë nuk peshon më shumë
se sa dashuria
As nuk dhemb
sa ajo.
NDARJA
Kam frikë
se kjo do të jetë hera e fundit
që dëgjon zërin tim
Nesër
njëri nga ne të dy
mund të mos jetë më
Në kopshtin tonë
secila mollë e di
degën prej së cilës do të shkëputet
Unë e ti jo.
ObserverKult
Lexo edhe: