
Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Kemajl Aliu.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
– Takimin e parë në letërsi e kam pasur në fëmijërinë e hershme me prozat e shkurtra të Migjenit: “Zoti të dhashtë”, “Luli i Vocër” “Bukuria që vret”, si dhe me poezinë e tij, e cila ka nxitur ndjenjën se të krijosh është diçka madhështore. Mendoj se këtu kanë lindur edhe shkëndijat e mija të para të krijuesit. Më pas, kam vazhduar me Naimin, De Radën, Mjedën, Lasgushin, Kadarenë, për të vazhduar me shkrimtarë të letërsisë botërore si Dostojevski, Shekspiri, Kavabata, Lorka, Markezi, Borhesi, Sabato, Hedajat, Sartri etj, etj. Kjo ka qenë njohja më e bukur në jetë që kam pasur. Para meje po hapej një Univers i tërë!
Kur ratë në “grackën” e saj?
-Në të vërtetë, letërsia nuk është “grackë”. Ka diçka prej muze në shpirtin e krijuesit, që dikton ecjen në rrugëtimin, ku në një mënyrë të pavetëdijshme, këmbët lëvizin kah gjeografia e atij ishulli… ishull, ku ti je monarku absolut i gjithçkaje, sepse AI është ISHULLI YT. Shpejt e kuptova se ajo është URA më domethënëse që ka shpikur mendja njerëzore që lidhte realitetin (përditshmërinë) me një gjeografi tjetër. Shkrimtari graviton midis këtyre dy gjeografive, sepse ai është qenie ekzistenciale dhe krijuese. Nga ai ishull kam deshifruar kode, kam dalluar situata, ngjarje dilema, epokale … Vetëm nga aty mund të të dalloni kufizimet, Lirinë e mohuar, ëndrrat për ardhmërinë…tragjedinë, horizontet e mbyllura dhe absurdin. Ato hapen dhe shihen në thelbet e tyre vetëm nga ishulli në të cilin ti je banor, siç thashë më lart i Ishullit ku ti je monarku absolut — e gjithsesi, aty janë edhe Muzat. Ishulli i letërsisë është ndër ishujt më kompleks që ka njohur mendja njerëzore. Vetëm banorit të atij ishulli, mund të ndodhë që siç thotë Borhesi ” Në fakt unë kur u verbova tërësisht fillova të shoh më mirë”. Gjeografia reale, përditshmëria, janë tejet sipërfaqësore… madje për një shkrimtar janë edhe absurde… Prandaj shkëputje nga ky realitet qoftë edhe përmes murit të territ për Borhesin në një aspekt nuk ishte tragjik…Sepse ai ishte banor i asaj gjeografie – ISHULLIT që i takon vetëm shkrimtarit e askujt tjetër.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-E ndjeja veten në një rrugëtim që ndoshta do të më bënte një ditë shkrimtar. Me publikimet e para të poezive në “Zëri…”, “Bota e Re” etj., fillova të poetizoj, preokupimet dhe kërkimet e mia poetike për njeriun e ngelur bregut të harrimit, në një botë ku metaforat mbuloheshin nga pluhuri industrial, një botë përplot me depo farmacie, përplot neuroza, tension e vetmi. – Bëra atë udhë me trajtat e “Mëkateve të heshtjes”, zbrazjen e kupës së helmit në GABIMIN ANTIK, pastaj gjithkah hapësirave pa asnjë zë, më bëhej se kjo HESHTJE duhej të shprishej, të thyhej – po bëhej dërrmuese për fatin tonë historik…Ndaj ndjeva trokun e Kostandinit në TATËR tek i rrëzonte muret e territ, e imagjinoja R. Ruberto (këngëtarin arbëresh), që i sillte fjalët shqip të mbështjella me tinguj melodioz dhe u jepte rrugë valëve të Adriatikut -(fjalët e Arbrit të gjalla tash e pesë shekuj).
Më pëlqente posaçërisht Markezi. Fjala e tij me rastin e marrjes së Nobelit, që thoshte se sa herë kemi bërë përpjekje, kur jemi dhënë me mish e me shpirt ne jemi akuzuar për UTOPI. “…Prandaj është koha që racat e gjykuara me 100 vjet vetmi ta kenë një mundësi të dytë mbi tokë.” Kjo ishte një analogji tipike që më ngjasonte me fatin tonë nacional. Kam besuar atëbotë se nga buzëqeshja njerëzore një ditë edhe Hiroshima mund të blerohet, dhe të rritej tirazhi i Librit të Jetës, do të vinin gra shtatzëna… Të jesh shkrimtar domethënë; “… Të mbërrish të lexosh dhimbjen njerëzore pa gabime”
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes, pse shkruaj?
-Unë shkruaj sepse jam, gjendem në ishullin e letërsisë. Shkrimi letrar të jep shumë mundësi… Në një poezi që ia kam kushtuar Aleksandër Moisiut , një varg pos të tjerave thotë: :”Ty që u dhe frymë të vdekurve, Kush do të të ngjallë në skenë?” Letërsia kapet për realen, për të mundshmen…por edhe për fiksionin dhe matafizikën. Nëse të vdekurve, artisti — shkrimtari — u jep jetë nga fryma e tij, atëherë kjo e mundshme bëhet plotësisht e pranueshme dhe e besueshme. Letërsia është një univers asimetrik, çka i mundëson asaj të jetë edhe e magjishme. Prandaj, mbi këtë bazë, njeriu ndërton vizione më të sakta, më humane, dhe thellësisht më njerëzore duke gjetur mbështetjen në mesazhin e artit- letërsisë.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
Çka më bënë të veçantë, sa jam i mëvetësishëm si shkrimtar mendoj se nuk më takon mua të përgjigjem. Kam botuar librat me poezi ”Mëkatet e heshtjes” dhe “Ujërat e trembur”, të cilat si nga kritika po ashtu edhe nga lexuesi janë pritur mirë. Përndryshe unë konsideroj se ndaj bashkërisht veçoritë e brezit tim krijues të fundit të viteve ’80-të kur dolëm me librat e I-rë: Xhevdet Bajraj, unë Kemajl Aliu, Halil Matoshi, Enver Visoka, Avni Halimi e ndonjë tjetër.
Se sa ia del me vepër dhe si, kjo nuk dihet për shkrimtarin. Gogoli e thoshte në një rast: ” Vetëm lexuesi është gjyqtari suprem” .Por, duke u ndërlidhur me pyetjen e juaj, më duhet të shtoj: Shkrimtari gjithsesi duhet të priret nga IDEALITETI: Në terrin e madh të fytyrave të dominuara nga maskat letërsia është një lloj flakadani, një rrip drite. E shkrimtari është MAESTROJA, prandaj, mesazhi im prej shkrimtari dhe për shkrimtarin është, kujtoj që gjendet në vargjet që i kam thënë dikur moti në poezinë “Të LINDIM MAESTRO ” /…Maestro/ t’i ndajmë maskat nga ky pak vals drite/ Maestro…/ Të vdesim në skenë të LINDIM NË DUARTROKITJE”.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Nuk më takon mua ta them me fjalë. Janë vetë shkrimet që flasin, dhe reagimet e lexuesve e kritikëve që, besoj, kanë pritur mjaft mirë atë që kam thënë- shkruar.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Shumë, shumë, apo më saktë, tepër shumë…!
Në këtë kuptim, ajo që nuk është thënë, apo që ka mbetur për t’u thënë është ajo që na shtyn të vazhdojmë të shkruajmë, të kërkojmë, të zbulojmë dhe shpërfaqim veten dhe botën nëpërmjet fjalës artistike.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-Njeriu në parim beson edhe në gjërat, dukuritë dhe fenomenet që nuk duken dhe nuk shihen – dhe kjo është plotësisht normale. Kështu mund të jetë edhe me Muzat, të cilat mund të na vijnë në një frymë, formë apo trajtë që në gjendje të një vetëdije të kthjellët nuk mund t’i shpjegojmë dot… Atom janë një mister.
Ndërsa ”përvujtëria” dhe puna e pareshtur janë të dukshme konkrete dhe të lidhura ngushtë me personalitetin krijues të shkrimtarit. Pra, të besosh në muza nuk do të thotë të mos besosh në përkushtimin e zjarrtë ndaj krijimit si pasion gjegjësisht idealitet. Unë jam nga ata që beson në talent, por besoj fort se përkushtimi, puna e pandërprerë dhe pasioni janë ato që japin mundësinë e realizimit si shkrimtar.
Ne kurrë nuk e dimë me siguri (padiskutueshëm), se sa kanë qenë kryeveprat e letërsisë fryt i një ardhjeje hyjnore apo një procesi të gjatë pune. Sa i përket talentit apo muzës, do të përkujtoja me këtë rast poetin e madh F. G, Lorka, të cilin kur një gazetar e pyeti në një rast, “se ku e gjen poezinë”? Ai qe përgjigjur: “Poezia? Ja, sapo kaloi! Nuk e vutë re…”
Nëse nuk je poet, nuk i dallon dot trajtat fillestare, të pa formësuara të poezisë. Ato i vëren vetëm krijuesi. Madje, as lexuesi – sado i mirëfilltë të jetë – nuk mund t’i dallojë. Vetëm poeti e dallon shkëndijën të asaj shenje të shenjë të parë, që më pas shpërfaqet në përmasat e frymëzimit për t’u realizuar si krijim letrar. Akti i krijimit paraqet një nga aktet më të vështira, të cilat nganjëherë nuk ju shkojnë përdore sepse ai mund të përmbajë diçka që nuk është plotësisht në dorën e juaj… kjo mund të thuhet për poezinë, prozën… E nuk mund të thuhet p.sh. për kritikën (sepse kritika nuk ka muza).
Sa jeni sistematik në të shkruar?
Unë kam studiuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe ekzistencën time e kam siguruar duke lexuar, interpretuar norma, paragrafe, ligje e ligje…
Ka kohë që merrem me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që më ka dhënë mundësi të njoh nga afër problemet, njerëzore të njeriut tonë. Kam vërejtur qartë se këto FATE ngjasojnë në shumë aspekte me ato të personazheve të Dostojevskit apo edhe Gogolit.
Kam ndjekur me interes rrjedhat e letërsisë. Kam publikuar pak, por kjo nuk do të thotë që nuk shkruaj- krijoj, pa marrë parasysh pse publikoj pak. Kam krijuar më shumë se kurrë më parë – poezi, recensione, prozë, dhe kohët e fundit edhe poezi satirike. Nga këto, here pas here kam publikuar mjaft recensione dhe vështrime letrare e më rrallë ndonjë poezi, përfshirë edhe ato satirike.
Tani më duhet të përcaktohem saktë lidhur me prozën. Kam disa ide dhe ngjarje të mbledhura me dekada për temat që dua të trajtoj: Trajtat e mohimit të moderuara të Lirisë në Evropë; (si: ”dosjet që nuk hapen”, ”dora e padukshme”, ”Pushkatimi i Leninit etj, etj.). Pastaj, luftën, të pagjeturit – të zhdukurit dhe takimet e çmalljen me ta vetëm nëpërmjet fiksionit (Pasojat e luftës). Gjithsesi një pjesë e këtyre shkrimeve bën fjalë për raportet në mes njeriut të sotëm dhe njeriut të metaltë – robotit – që po vjen me hapa të shpejtë.
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Letërsia është ajo që e bën jetën të përjetshme në një mënyrë tjetër – nuk është përsëritje, por vazhdimësi e re, rikrijim i pafund. Letërsia është një UNIVERS, prandaj unë do të përsërisja të qenurit shkrimtar, sepse ajo është përherë diçka e re, e ndoshta kjo është edhe arsyeja pse kam shkruar, mjaft pak në aspektin sasior. Kujtoj se asnjë fushë e dijes nuk të jep më shumë hapësirë dhe liri veprimi. Brenda një ekzistence vetëm letërsia të mundëson jetën në dy gjeografi, në dy botë paralele… E lindur midis realitetit dhe ëndrrës krijuese…si e tillë, ajo po aq sa eshte reale eshtë edhe e pafundme… Ajo posedon shumë mundësi që nga asimetria që është atributi konstitutiv, pa i numëruar të tjerat me radhë… ajo posedon edhe imagjinatën krijuese që ështe ndoshta më e denja. Me këtë rast do të përkujtoja A. Einstein që thotë; “Arsyeja të çon nga pika A në pikën B, ndërsa imagjinata të shpie kudo”. Letërsia ka qenë dhe mbetet alfabeti im i Lirisë. Askush nuk do të hiqte dorë nga Liria, nga të qenurit i LIRË. Këtë nuk e bën askush. Kjo mund të ndodhë vetëm kur e konsideron se Liria është e MJAFTUESHME, gjë që për shkrimtarin nuk vlen. Do të parafrazoja me këtë rast Ismail Kadarenë që thotë se e Shkrimtarët janë MBI LIRINË.
ObserverKult
Lexo edhe:






