Rexhep Shahu: Ma refuzuan librin se kishte erotizëm e jo partishmëri!

rexhep shahu
Rexhep Shahu

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtariRexhep Shahu

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Nuk e di, por besoj magjia ka ndodhë në fëmijëri, në vitet e para të shkollës. Xhaxhai im u sëmur disa muaj dhe ai lexonte libra të trashë. Atëherë kurioziteti ndoshta më nxiti që të filloj të lexoj në librat e tij. Pa i kuptuar, por vetëm për të treguar se jam i zoti, unë që në klasën e pestë kam lexuar librin „Kështu ka ndodhur“ , „Vend i fshehtë në Elba”. Më parë kisha lexuar librin „Yje mbi Ostrën“. Kështu besoj u ‘infektova’ me letërsinë dhe mbeta gjithë jetën nën magjinë e saj.

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Fati deshti që shkollën e mesme ta bëja në Durrës. Nga fshati im Bardhoc i Kukësit shkova në Durrës. Ishte ndryshim i madh, mahnitje, jetë tjetër, njerëz të tjerë, dashuri të tjera. Deti me mrekulloi dhe mbeta i mrekulluar atëherë e sot me detin një dashuri e pashpjegueshme. Isha nxënës i mirë, por jo i zoti në fiskulturë e stërvitje ushtarake e ndoshta si kompensim mësoja më shumë nga shokët.
Fillova të shkruaja poezi, skica dhe m‘i lëvdonte mësuesi i letërsisë, Vlash Tati. Unë vazhdoja shkollë teknike mekanike, larg letërsisë, por ai mësues i tha mësuesit tim kujdestar Minella Llufit se ky djalë ka talent dhe do të përparojë me shkrime në jetë, jo si mekanik. Kjo ndoshta u bë nxitje e fortë për mua.
Bëja ndonjë reportazh, apo skicë dhe kur u botua ndonjë fillova ta përkëdhel veten si shkrimtar. Shkruaja poezi, po i quaj poezi, por ishin thjesht vargje. M‘i pëlqenin shoqet kryesisht. Një tufë nga poezitë e para ia dhashë t‘mi lexonte poetit Petraq Risto dhe në fakt ai është shkrimtari i parë inkurajues i imi në Durrës.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

– Kur më janë botuar për herë të parë poezitë në gazetën „Zëri i rinisë“, fillova në fshehtësi sikur kam një sekret me veten, ta quaj e ta ndjej veten poet. Por, tashmë kisha mbaruar studimet e larta për letërsi, isha ushtruar më shumë në fakultet me poezi e shkrime, kisha botuar skica e reportazhe më shumë, kisha shkruar më shumë poezi si letra dashurie pa adresë.
Filloi një kohë kur shkruaja më shumë publicistikë dhe u përcaktova gazetar në radio, dhe një reportazhist i mirë, i vlerësuar për shtypin e shkruar. Poezinë nuk e braktisa asnjëherë as dashurinë pasi ishin e njëjta gjë, nuk funksiononin veç e veç e pa njëra-tjetrën.

Në vitin 1988 Shtëpia Botuese „Naim Frashëri“, e vetmja shtëpi botuese në Shqipëri ma refuzoi librin poetik me arsyetimin se i mungon partishmëria dhe ka shumë erotizëm. U ndjeva keq, u mbusha me inat. E mora librin dhe në shumë poezi e zëvendësova fjalën dashuria me fjalën partia. Por këto kërcisnin, kuptoheshin dhe nuk u botua libri.
Një poet i njohur dashamirës ndaj meje çoi fjalë që të mos ngutesha ta botoja librin në gjendjen siç e rregullova. Ashtu u bë. Nuk botova, por e ndjeva vlerësimin dhe më bëri mirë, do të thotë se nuk isha pemë fare pa kokrra. Dhjetë vjet më vonë më 1998 e botova atë libër me titullin “Mali i hënës”.
Ndjehesha tashmë shkrimtar pasi pëlqehesha më shumë se sa nga një lexues.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Shpesh pyes veten në heshtje po pse, pse shkruaj, pse duhet të shkruaj. Para nuk ka, famë e lavdi nuk ka. Mundim e lodhje të skajshme ka shpesh. Atëherë kush dreqin m‘i komandon gishtat te tastiera, kush ma vë stilolapsin në dorë e bllokun. Ndoshta dreqi. Nuk e di pse shkruaj. Kjo është pyetje e madhe dhe unë i vogël, por nuk e di pse shkruaj. Ndoshta se nuk bëj dot asgjë tjetër më me kënaqësi dhe nuk më jep asgje tjetër kënaqësinë e te shkruarit në jetë, nuk më mbush asgjë tjetër emocionalisht sa shkrimi.

Them se nuk kam ndonjë gjë tjetër që më bën të dobishëm për veten e të dashurit e mi, them të dobishëm jo të rëndësishëm, pasi rëndësia nuk ka gjithmonë vlerë në jetë pasi ka gjëra si shëndeti, vetmia, braktisja nga të dashurit që e zhvlerëson të rëndësishmin sado i madh të jetë. Shkruj po që të pohohem, të shënohem, të mos mungojë as zëri im as emri im në regjistër.

Shkruaj për t‘u pohuar, jo për të udhëhequr, këndoj këngën time në copën e qiellit tim, shkruaj letra dashurie për ata që më duan. Këndoj si një zog i zakonshëm në qiell, di se këndoj këngën time- nuk ngjaj me kënd tjetër. Nuk shitem as botohem në tirazhe të mëdha, nuk jam i zgjedhur i partisë nuk jam në librat shkollorë, më mjafton një lexues, një zemër, dy sy porta dashurie. Letërsia ime është pasioni im, nuk është buka e përditshme as e imja as e lexuesit tim.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

Besoj se kam arritë ta kem portretin tim, ndonëse ne shkrimtarët ngjajme si kinezët. Unë besoj se jam thellësisht i sinqertë, i vrazhdë e i ashpër në esetë e prozat e mi, edhe pak banal në poezi, siç më thonë. Nuk kam frikë, nuk e njoh frikën në shkrim, dashurinë kam Zot. U kushtoj vëmendje shkrimtarëve martirë dua të njihen e nderohen, u detyrohet shoqëria shkrimtarëve martirë. Nuk di të them tjetër.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Besoj se në mënyrën time kam thënë në shkrime rroftë dashuria, veç dashuria, dashuria e shpëton botën, dashuria e bën botën të mirë e më të mirë. Besoj kam thënë se urrejtja e shkuli dhe e çmendi botën si urthi njeriun.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

Më ka mbetë pa thënë se dashuria e bën botën, jetën, njeriun të bukur e fisnik, se pa dashuri nuk ka as do të ketë jetë veç luftë, vdekje dhe toka nuk do të mjaftojë për varre.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

I besoj muzës dhe dijes dhe punës. Kam shumë frikë te padijshmit që zakonisht ftohen e nderohen si mentarë në republikën e mediokritetit.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Nuk e di, por përgatitja nuk pushon. Kur nis ta shkruaj një libër nuk ka pushim deri sa të mbarohet.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Po veç do të bëhesha shkrimtar më i mirë, do të lexoja e mësoja më shumë.

ObserverKult


Lexo edhe:

REXHEP SHAHU: NUK E DI ORËN KUR DO TË VDES

REXHEP SHAHU: GJITHMONË KAM DASHTË TË MË DUASH…

REXHEP SHAHU: SA PAK JEMI DASHTË