Lexoni nëse dëshironi të jetoni më gjatë dhe të keni një jetë të mirë e të qetë

Kur libri bëhet ilaç: Arti i leximit dhe shëndeti i mendjes

Nga Anisa Liço

Në një botë që lëviz me ritme të egra, ku vëmendja është bërë monedhë e rrallë dhe koha një luks, libri mbetet një nga trajtimet më të nënvlerësuara të shpirtit. Nuk ka recetë më të heshtur e më të saktë se një faqe letërsie, një poezi përpara gjumit, një rresht që flet më shumë sesa një bisedë e tërë në rrjete sociale.

Si mjeke dhe si poete, kam parë nga afër se si trupi reagon ndaj stresit dhe se si mendja kërkon një strehë. Dhe shpesh, ajo strehë nuk është as një qetësues, as një terapi intensive, por një libër i lexuar në qetësi.

Leximi nuk është thjesht një akt kulturor – është një akt shërues. Neuroshkenca moderne ka vërtetuar se kur lexojmë letërsi cilësore, aktivizohen zona të trurit që lidhen me ndjeshmërinë, kujtesën emocionale dhe përpunimin e emocioneve.

Leximi i poezisë, në veçanti, përfshin lobin frontal të trurit – aty ku formohen ndjenjat më të thella të reflektimit dhe empatisë. Një roman i mirë na bën të jetojmë jetën e tjetrit, të ndiejmë dhimbjen dhe ëndrrat e dikujt tjetër, e kështu të zbutim gjykimin dhe të forcojmë ndjeshmërinë.

Në një botë ku çdo gjë matet me “like” dhe filtra, arti i leximit mbetet një strehë pa zhurmë, ku njeriu nuk vlerësohet për pamjen, por për përjetimin.

Leximi për 6 minuta në ditë – sipas një studimi të Universitetit të Sussex – ul nivelin e stresit me 68%, më shumë sesa dëgjimi i muzikës (61%), një filxhan çaji (54%) apo një shëtitje e zakonshme (42%).

Sipas një tjetër studimi të “Yale University School of Public Health”, personat që lexojnë rregullisht letërsi jetojnë mesatarisht 2 vjet më shumë sesa ata që nuk lexojnë fare, për shkak të ndikimit pozitiv në funksionet kognitive dhe shëndetin emocional.

Në mënyrë të ngjashme, Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor në SHBA (NIMH) ka evidentuar se leximi i narrativave ndihmon në uljen e simptomave të ankthit dhe depresionit, veçanërisht te personat që kanë vështirësi në përpunimin emocional verbal.

Rrjetet sociale janë bërë laboratorë të ankthit: gjithçka është e menjëhershme, krahasuese, shpesh fals. Leximi, përkundrazi, është një akt intim, pa krahasim, pa presion. Një mënyrë për të qëndruar me veten pa nevojën për të performuar.

Arti na shpëton nga lodhja e përditshme, nga “scroll”-i i pafund, nga presioni për të qenë perfektë. Një faqe e lexuar në heshtje na jep më shumë kuptim se një orë “feed” i rrjeteve sociale.

Ky është një apel i qetë, por i fortë:
Lexoni. Qoftë edhe një faqe në ditë. Një poezi para gjumit. Një paragraf ndërsa pini kafenë e mëngjesit.
Sepse leximi është kujdes për veten. Është të thuash: “unë meritoj të pushoj”, “unë dua të ushqej mendjen time jo vetëm me lajme e foto, por me përjetime të thella”.
Leximi nuk të kërkon shumë. Por jep shumë: qetësi, kuptim, përfshirje, dhe nganjëherë, edhe një shërim të butë emocional.

Në një shoqëri që ka mësuar të reagojë shpejt por jo të ndjejë thellë, leximi është forma më e thjeshtë e rikthimit te vetja. Është një akt modest, por me pasoja të mëdha në kujdesin mendor, emocional dhe shpirtëror. Si mjeke, e them me bindje se një poezi në ditë mund të jetë më shumë se një dozë antistresi. Si poete, e ndiej se një libër i mirë nuk na bën të ikim nga realiteti – na mëson ta kuptojmë atë më mirë.

Lexoni, jo për të harruar jetën, por për ta jetuar më thellë.
Në fund të fundit, nuk jemi bërë prej lajmesh, por prej ndjesish. Dhe ndjesitë kultivohen, mbrohen dhe shërohen… një faqe pas tjetrës.

ObserverKult