
Nga Bardhyl Zaimi
Përtej çdo forme të rrëfimit, njashtu siç e shpërfaqin teoritë, në këtë fazë të jetës sime, unë kam nevojë të rrëfehem, t’i them disa fjalë për gjendjen time, për keqkuptimin e madh, që më gërryen dhe nuk më lë për asnjë çast të qetë.
Nuk e di si u mbylla në këtë kuvli keqkuptimi dhe as se si më projektuan të jem ky që jam, një qenie njerëzore me reputacion, por me aq kufizime që ta zënë frymën. Është një barrë e rëndë që e mbaj mbi shpinë nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë, biles edhe pas mesnate, atëherë kur mendimet se jam dikush tjetër më trondisin gjer në palcë.
Nuk kam ndonjë shpjegim për të qenë, por nganjëherë mendoj se është punë fati. Më vjen një e qeshur e budallaftë kur dëgjoj njerëz të thonë: unë jam ky që jam dhe kjo është zgjedhja ime!
Unë thellësisht dyshoj se jam ky që jam, aq më tepër, nuk më shkon asnjëherë mendja ta mbroj me këmbëngulje këtë mendjemadhësi boshe. Unë gjatë tërë kohës kridhem në mendime, në dilema, për të gjetur rrënjët e këtij keqkuptimi trishtues që më ka krijuar shpeshherë idenë e një modeli shoqëror, siç thuhet zakonisht në shkencat e sociologjisë.
Unë dua ta çjerr këtë maskë të krijuar dhe të vënë në fytyrë nga vetvetja dhe nga të tjerët. Është një maskë e dylltë, që mpinë gjithçka brenda meje si një ftohtësi kozmike.
Me orë të tëra përpiqem t’i gjej fijet e këtij keqkuptimi për ta shmangur veten time të dyzuar në dy botëra, krejtësisht të kundërta.
Më tepër më pengon ideja e modelit të përkryer, që ngritet si një balonë nga një dorë delikate dëshirash. Kjo i jep maskës sime vrazhdësinë e njerëzve ambicioz, që nuk kursejnë asgjë për t’u ngjitur qiellit të shpresës. Unë nuk kam asgjë për t’u ofruar këtyre njerëzve, përkundrazi trishtohem kur mendoj se ata vërtet shohin diçka tek unë.
Nën maskën që ma kanë vendosur të tjerët me marifete, brenda meje vlojnë njëmijë pyetje, njëmijë dilema. Njerëzit zakonisht kërkojnë vendime, vendime të prera suksesi, integriteti. Për mua, përkundrazi, një vendim do të thotë një therrje e ftohtë në qenësinë time.
Unë ndodhem në këtë dhomë të ftohtë bodrumi dhe dua të jem një asgjë, një copë e lodhur gjithësie që nuk pretendon shfaqje në qiellin spektakular të shoqërisë. Unë vetëm dua ta rrëfej pafundësisht këtë keqkuptim të madh, që më ngufat, më trishton dhe më bën nevrastik në ekzistencën time. Dhe, të jeni të sigurt kjo nuk është punë e lehtë, sepse ata që e kanë krijuar profilin tim jashtë, janë mizorë dhe e masin çdo kërcim nervi në maskën time, çdo dyshim të mundshëm që kërkon të shfaqet me pyetje të shumta, nganjëherë absurde!
Unë jam vetëm një njeri i përkulur në trishtimin tim, që do dhe ka frikë të rrëfehet, sepse sa më shumë që rrëfehet honi i keqkuptimit bëhet më i përbindshëm!
ObserverKult
Lexo edhe:






