Homazh për Gaqo Çakon dhe net vjeneze/ “Mik Festival” rikthehet në Korçë

Nga data 10 deri më 13 korrik, qyteti i Korçës do të mirëpresë edicionin e 8-të të “Mik Festival”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës klasike dhe artistike në Shqipëri.

Për katër net me radhë, festivali do të sjellë pesë koncerte, ku një nga më të veçantët do t’i kushtohet tenorit të madh shqiptar, Gaqo Çako.

Ky koncert-homazh do të rrëfejë jetën artistike dhe personale të Gaqo Çakos dhe do të shënojë rikthimin në skenë, pas më shumë se 30 vitesh, të artistes Tatjana Kora Elmazi.

Në skenë do të ngjiten edhe emra të njohur si Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi, si dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura nën dirigjimin e Eno Koços, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Çakos.

“Në natën e dytë i bëjmë homazh lirikut më të madh të vokalit shqiptar, Gaço Çako”, – u shpreh sopranoja Inva Mula.

Një tjetër koncert me peshë do të zhvillohet në Drenovë, me titullin “Stili Vjenez”. Ylli i mbrëmjes do të jetë balerini me famë botërore Eno Peçi, që interpreton në Operën e Vjenës, së bashku me balerinën Adela Muçollari.

“Do të sjellim dy numra nga Vjena. Njëri është nga kompozitori Gustav Mahler, mjaft intim dhe delikat. Tjetri është një koreografi me stilin vjenez, krijuar nga unë”, – u shpreh Peçi.

“Pjesa që do të interpretoj me Eno Peçin është një krijim i ri, një emocion i ri. Jemi në detajet e fundit”, – shtoi balerina Adela Muçollari.

Festivali do të hapet me natën shqiptaro-kineze, një koncert që bashkon muzikën klasike dhe tradicionale të dy vendeve. Një risi këtë vit është edhe koncerti kushtuar serenatave korçare, ku do të interpretohen këngë të panjohura më parë për publikun.

Ky koncert është menduar si finalja e festivalit dhe do të zhvillohet në Parkun e Qytetit. Mbrëmja, e titulluar “Retro Passion”, do të sjellë në skenë qytetarë me pasion për muzikën, edhe pse nuk e kanë ndjekur në mënyrë profesionale.

ObserverKult


Lexo edhe:

“E frikshme”: Inteligjenca Artificiale diagnostikon katërfish më saktë se mjekët?

UNESCO: Parku Kombëtar i Drilonit në rrezik nga ndërhyrjet pa kriter