Leonard Cohen: Pyes veten nëse vëllai im do ta lexojë ndonjëherë këtë

Nga Leonard Cohen

Pyes veten nëse vëllai im do ta lexojë ndonjëherë këtë. Ai pa dyshim do ta refuzonte atë, shpresoj butësisht, ai do të thoshte se ndoshta deti është gjithçka që ke thënë, makinë ëndrrash, një sy xhami e kështu me radhë, ama edhe nëse është e vërtetë është më mirë të lihet pa thënë.

Tash mund t’i tregoja diçka që nuk e dija kurrë kur jetoja pranë tij, që është luks, kjo që të lësh gjërat pa thënë është luks që pak kush e shijon. Fëmijët e erës dhe të ujit nuk kanë nevojë të shtjellojnë se çfarë di gjaku i tyre, por sa mund ta komandojnë këtë ekonomi, sa të tjerë duhet ta gërvishtin dhe ta mbërthejnë botën në një mijë mënyra të ndryshme sall për të vendosur sado pak lidhje me jetën e tyre të vërtetë.

Heronjtë dhe pothuajse heronjtë, fëmijët e mirosur që synojnë konstelacionet e tyre të pritjes, ata mund të përbuzin të përgjërojnë botën horizontale me fjalë dhe metafora organizuese, ama unë nuk e kam ekuilibrin e tyre, sa vetë e kanë, unë nuk synoj asgjë, nuk jam gati të ngjitem drejt lavdisë sime, kështu që më duhet të endem qorrazi me këto pranga, më duhet të bëj pazare për atë dashuri që do të marr, jashtë historisë sime të shkurtër asnjë pasion nuk do të më shpalosë, asnjë i veçantë nuk më ka përvetësuar kështu që unë duhet të kënaqem me politikën e fëlliqur të përgjithshme, dhe t’u përlotem zotave për të vërtetuar se perënditë janë joreale, bash njashtu siç i mjegullonim xhamat e dritareve vëllai im dhe unë me frymën tonë për të vizatuar me gishta në ta.

Ai vizatonte profile, të cilëve unë ua dizajnoja sytë e ndërlikuar, dhe nuk na pyeste njeri se cila nga përpjekjet tona ishte më e rëndësishme.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

JACK KEROUAC: “ZOTI NUK E KRIJOI BOTËN PËR KËNAQËSI”