Pse në rrjetet sociale ma shumë na përkrahin të panjohurit, e na injorojnë të njohurit?

Nga Anisa Liço

“Njeriu që të mbështet më shumë, shpesh nuk është ai që të njeh më mirë, por ai që nuk të njeh fare.”

Kjo frazë, që bëri jehonë në rrjetet sociale pasi u shqiptua nga Jake Paul, u risolli në vëmendje një të vërtetë të heshtur që shumë prej nesh e kanë ndjerë, por rrallë e kemi artikuluar: shpesh, adhuruesi yt më i madh është një i panjohur.

Në një botë ku lidhjet njerëzore shpesh janë të përbaltura me xhelozi, krahasime dhe paragjykime të fshehta, mbështetja më e pastër shpesh vjen nga dikush që s’të ka parë kurrë, por ndjen thellë atë që përfaqëson. Një ndjekës i panjohur që komenton çdo postim, që ndan punën tënde pa interes personal, që emocionohet me arritjet e tua – dhe nuk e bën këtë sepse të njeh, por sepse e ndjen.
Kjo ndodh sepse të panjohurit nuk kanë memorie emocionale që i lidh me ty – kanë vetëm vlerësimin që buron nga ajo që ti je sot, nga ajo që ata shohin të mishëruar në punën tënde, artin tënd, zërin tënd.

Të panjohurit s’të krahasojnë – të admirojnë.

Të njohurit të krahasojnë – ndonjëherë s’iu vjen mirë.

Të panjohurit shohin potencialin – të afërmit shpesh shohin konkurrencën.

Njeriu i afërt, ai që të njeh, përkundrazi, ndonjëherë nuk feston për ty nga frika që t’i po i tejkalon. Disa njerëz rreth teje nuk të përkrahin jo sepse nuk të duan, por sepse ndihen të kërcënuar nga versioni yt më i mirë.

Janë të panjohurit ata që shpesh e mbajnë gjallë pasionin e një artisti në ditët kur s’ka asnjë motiv. Janë ata që blejnë librin tënd pa të njohur, që e dëgjojnë këngën tënde pa e ditur jetën tënde, që të dërgojnë një mesazh të sinqertë pa pritur kthim.

Kjo nuk është një ftesë për të shpërfillur njerëzit afër. Është një thirrje për të kuptuar që nuk duhet të presim verifikim emocional vetëm nga rrethi ynë i ngushtë. Ngjashëm me mënyrën si një farë lulëzon më mirë në tokë të re, ndonjëherë duartrokitja më e vërtetë vjen nga një audiencë e freskët.

Statistikat tregojnë se 60% e njerëzve ndihen më të vlerësuar nga ndjekës anonimë sesa nga rrethi i afërt (Harvard Business Review, 2021).

70% e përdoruesve në rrjet kanë marrë mesazhe përkrahjeje nga persona që nuk i njohin — dhe për 1 në 3 prej tyre, këto mesazhe kanë qenë vendimtare për të mos hequr dorë (Pew Research Center, 2022).

Kur ndjejmë validim dhe përkrahje, qoftë edhe virtuale, rritet niveli i dopaminës, neurotransmetuesit të motivimit. Studime të fundit tregojnë se edhe komentet pozitive nga të huajt ndikojnë në zonën e trurit të lidhur me shpërblimin dhe vetëvlerësimin.

Një studim i University of California, Berkeley zbuloi se:

45% e njerëzve që marrin komente negative në rrjet, i marrin nga njerëz që i kanë takuar personalisht.

Në 63% të rasteve, xhelozia personale është arsyeja kryesore për kritikat e fshehta ose përçmimin publik.

Kjo të mëson të mos e presësh validimin vetëm nga miqtë dhe familja. Të mëson që ndikimi yt nuk matet vetëm nga rrëfimet intime, por nga gjurmët që lë te të panjohurit. Të mëson të vazhdosh, edhe kur s’je duartrokitur nga ata që duhet të duartrokasin. Sepse ndonjëherë, për ta parë veten më qartë, duhet të shikohesh me sytë e dikujt që nuk ka interesa përveç vlerësimit.

Në fund të ditës…
Në një botë ku të gjithë e ndjekin njëri-tjetrin, të kuptuarit dhe përkrahja janë akoma valutë e rrallë. Mos e nënvlerëso zërin e një të panjohuri që thotë “Faleminderit që ekziston.”
Sepse ndoshta ai është i vetmi që të sheh pa gjykim. Dhe nganjëherë, kjo mjafton për të të mbajtur në këmbë.

ObserverKult


Lexo edhe:

PSE INTELIGJENCA ARTIFICIALE NUK ËSHTË AQ E MIRË PËR TRURIN? A DUHET TA PËRDORIM MA PAK, E TË MENDOJMË MË SHUMË?