
1.
Çka i duhen botës hapësinat pa za,
ku nuk frymojnë as mite, as histori,
ku shpirti s’ka forcë me lind
as edhe nji dashuni te vetme?
2
Çka i duhet Rusisë, Siberia
ky shkretim i akullt, pa cicërima
pa kumbona, e asnji poezi?
Aty nuk lind ma Dostojevski,
as zemra e Çajkovskit s’gjen melodi,
veç britma shpirtash të burgosun.
Çka i duhet Rusisë ky Hades i pa fund?
ku poetët i ngulin në borë,
ku shpirti ndalet, e nëndheu flet, si vorr.
Kjo tokë e zbrazun pa njerí,
një mbretni akullit, planet pa jetë
ku hija e njeriut rrnon e vjerrun per hanë.
3
Çka i duhet Amerikës Alaska
ky cep i ngrimë,
ku deti hesht nën akull,
e stuhitë flasin gjuhë të frikshme?
Ku Jack London kërkoi arin në akull,
e gjeti romanet e tij plot poezi,
në kufijtë e pafund të shpirtit plot zjerm.
Gershwin s’e ndigjoi kurrë kërcitjen e akullit,
melodia e tij lindi në rrugët e zhurmshme
të qyteteve që s’flejnë kurrë,
jo në fushat ku mbretëron ariu i bardhë.
Çka i duhet Amerikës ky varr i akullt?
që nuk të jep asnjë fjalë,
asnjë këngë, asnjë poet
E kërkon me vendos fatet e botës.
4.
Fundja,
Çka i duhen botës akullnajat e ngrime,
ku bora rri si varr i bardhë pa epitaf,
e s’ka ma Saga eskimezësh,
as zjerm me kendu pranë igluve?
Ç’i duhen botës shkretinat pa fund,
ku era shlyen çdo gjurmë të njeriut,
ku s’ka ma Nji mije e një net histori,
as Sheherazada që mbijeton me fjalë?
Këto hapësina të zbrazta
janë pasqyra të frikës sonë,
janë vendi ku njeriu s’e gjen kurre vedin,
veç hijen e vet të thyeme nen diell.
Ne jena bije të kësaj toke, të lindun
E vetëm shtohena, si peshqit
anipse kena perlen hyjnore në zemër.
Ndër ne ka vende ku vdekja sundon aq gjatë
saqe shpirtit i duhet me lindë sërish
që mos me humb përgjithmonë landën e dashunisë.
5
Tokat e pa shpirt lindin njerëz te pashpirt, pra,
Çka i duhet Rusisë Siberia e pafund,
ky varr i bardhë i poetëve,
ku Dostojevski nuk lind kurrë,
por veç dhimbja e të burgosunve mban frymë?
Çka i duhet Amerikës Alaska,
ky akull i heshtun i veriut,
ku Gershwin nuk gjeti asnjë notë,
e Jack London ndeshi vetëm egërsinë?
Çka i duhen botës akullnajat e ngrime,
ku nuk ka ma Saga eskimezësh,
as kangë pranë igluve të dritës blu?
Çka i duhen botës shkretinat e pafund,
ku era zhduk çdo gjurmë të njeriut,
ku Sheherazada hesht përgjithmonë
e Nji mije e nji net nuk rrnojnë ma?
6
Këto toka pa shpirt
janë pasunitë e heshtjes,
miniera fosilesh, të naftës e gazit,
por jo te fjalës, të muzikës, e dashnisë.
Perandoritë e akullit jane kështjella të zbrazta,
ku njeriu i perjetshëm humb melodinë,
e ndihet vetëm zhurma e armëve,
ku heshtja asht rojtar Cerberusi
i pushtetit mbi botën.
Bijte e Hadesit dalin
Nga njëna lufte në tjetrën
e dojnë me i dhanë botës fytyrën
e akullt e me na tregue
se shpirti në boten tonë nuk lind ma
e na bajmë se jena në andërr
e nuk po e ndijme kuisjen
e vdekjes nëpër shkretinat e ngrime.
7.
Prandaj
eja
shpirt i bukur vajznor
me krahë engjùjsh
në agim
kur Afërdita
mbush me trandafila
hijen e andrrës tande
dhe e ban dritë
fluturo
mbi ballkonet e varuna të Vjenës
zbukuru me fole lulesh
si në kohen e Semiramides
zbrit n’Paris
ku rruga âsht pentagram
e çdo shenjë muri
bahet alfabet i dashunisë
kalò Romen
me kambana t’arta
që bien për pasion
e na kujton se koha
asht veç tingull i përjetshëm
kthehu në Shkodër
ku gjurma mbi gurë
asht dëshmi pagëzimi
që pret dorën tande
eja
e shih se si jeta
ndërton qytete prej ngjyrash
vetëm për ty
si kjo poezi dhuratë
strukë në nji kuti të hollë
që fsheh nji parfum origjinal
të panjoftun për botën
e si kombinacion ka veç
synin tand të qeshun.
8
Prandaj:
Çka i duhet botës vetja pa ty
me hap sytë nadje herët
E mos me pa të qeshunen tande
Që parfumon në dashuni?
Vjenë, gusht 2025
ObserverKult
Lexo edhe:






