
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Sejnur Veshall:
Andrra e Hanës
A thue edhe Hana andrron si na?
Ndoshta edhe ajo mbetet e fiksume mbas Diellit?
E din që s’bën,
Ama prap tenton,
Se drita e saj ma e ngrohtë se zjarmi i tij është
Ndoshta?
Çka dijmë?
Ku Hana e Dielli kurrë s’preken,
Veç yjet e dijn pse kurrë s’bashkohen,
E nata i ruejtë sekretet e tyne,
Se disa drita shkëlqejnë veç kur humbin.
Kena me udhëtu nji ditë
Valigjet kena me i mbushë
me krejt çka s’kena guxu me i thanë me za.
Kena me qitë:
nji përqafim të lanun përgjysmë,
nji “mos shko” që na ka ngelë n’fyt,
disa romanca të palueme që s’gjetën kurrë adresë.
Kur t’mbrrijmë
n’destinacionin e iluzionit,
kena me i hap valigjet
kena me pa vetveten
n’të tana copat që i kemi fshehë.
E n’atë rrëmujë të shpirtit,
mos me u gjetë ma kurrë
si përpara.
Nji ditë prej ditëve
Nji ditë prej ditëve
n’jetën e jetëve,
unë, ti, e yjet
kena me fjet bashkë
n’nji heshtje t’madhnueshme,
si me qenë kurrgja
po prapë gjithçka.
Nji ditë prej ditëve,
n’jetën e jetëve,
kur andrrat s’kanë me pas ma emën,
e medyshjet kanë me tretë
si mjegulla n’dritë,
na kena me u gjet
jo n’kohë,
as n’vend,
por n’qetësi që rrin pezull
mbi shpirtin që s’ka resht me dashtë.
Nji ditë prej ditëve,
n’jetën e jetëve…
ObserverKult
Lexo edhe:






