Letra që do ta lexosh, po s’do ta mbash mend

Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

I dashur ishi im,

Po të shkruaj, edhe pse nuk jam e sigurt nëse më kujton. Edhe pse e ndarë prej teje, vazhdoj të ta ndjej mungesën. Një jetë të tërë bashkë, në të mirë, por më shumë në të keqe.

mungon zëri yt. Ai zë që dikur më thërriste me ëmbëlsi, pastaj nisi të më jepte urdhra, pastaj erdhën nervozizmi, britmat, dhe në fund… heshtja. Harresa. Si një perde që ra ngadalë mbi gjithçka që kishim.

Më ke përdorur si shërbëtore, jo thjesht për të të ndihmuar, por për të të mbajtur në këmbë kur ti vetë nuk dije si të ecje. Më shtrydhe për të tejkaluar frikërat, për të zbutur dështimet, për të fshehur pasiguritë. Doje të ishe më i miri, i përsosuri, i padiskutueshmi. Dhe unë duhej të të ndihmoja, pa u lodhur, pa u ankuar.

Por perfeksionizmi yt më lodhi. Izolimi yt social më mbylli. Vetëneglizhimi yt emocional më bëri të ndihem si një hije. Pastaj erdhën netët me alkool, ditët me hashash, dhe më vonë ajo e bardha që të zbardhi sytë por të nxiu mendjen.

Vije e ikje, hyje e dilje, pa më parë, pa më ndjerë. Nuk të interesonte nëse unë kisha nevojë për pushim, për argëtim, për shoqëri, për një fjalë të butë. Dhe erdhi një ditë…

Një ditë kur kupa u mbush. Dhe unë, që s’isha bërë për të ikur, ika. Jo nga inati. Nga lodhja. Nga dhimbja. Nga mungesa e një “faleminderit”. Ti më kishe marrë si të dhenë njëherë e përgjithmonë.

Më vjen keq që të lash tani, në këtë moshë, kur të duhesha më shumë se kurrë. Kur fjalët të ngatërrohen, kur kujtimet treten si sheqeri në ujë, kur rrezikon të mbetesh duke bredhur, sepse nuk gjen më rrugën për në shtëpi.

Pa mua, mund të harrosh edhe rrugën për në tualet. Ndruaj se prapë do ta kesh të vështirë të më kujtosh, ndaj po ta them: po të shkruan mendja jote e dikurshme, gjykimi yt i bërë fir…

ObserverKult


Lexo edhe:

A PO BËHEMI MË TË MENÇUR, APO MË BUDALLENJ?