Një vepër vizionare epike letrare

-Jusuf Buxhovi: “UDHËTIMI NË KOHË”, roman. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2025.

Nga Agim Byci

Jusuf Buxhovi që moti shquhet edhe si romansier. Ky roman është më i veçantë, ndër më të rrallët në letërsinë shqipe, ndoshta i vetmi. Është një roman historik, psikologjik, filozofik, një vepër vizionare epike letrare.

Shtjellimi, pasqyrimi dhe përjetimi i kohës së kaluar, të tashme e të ardhshme dhe gjurmimi i çështjeve, rrethanave e ngjarjeve të kohëve rrjedh në mënyrë transcenentale e metafizike, dy komponente këto që përbëjne dymbdhjetë Ligjet e Universit. Është Ligji i Njëshmërisë Hyjrore dhe Ligji i Përputhjes, se e gjithë ekzistenca – njerëzit, natyra, jeta, koha dhe gjithësia – janë të ndërlidhura dhe janë pjesë e një tërësie të vetme dhe të unifikuar, se të gjitha qeniet janë të lidhura dhe se ekziston një unitet shpirtëror i natyrshëm në krijim, dhe se bota e brendshme e dikujt pasqyrohet në botën e jashtme. Kjo lidhet me përvojën dhe intuitën e brendshme të individit si burim i së vërtetës, dhe se gjendja e brendshme e dikujt formëson realitetin e tij të jashtëm.

Romani shtjellohet në tre kapituj, përkatësisht kohë. Koha e kaluar, koha e tashme dhe koha e ardhshme. Këto tri kohë ekzistojnë në mënyrë rrethore dhe kanë lidhshmëri me njëra-tjetrën. Fizikanët thonë se të tri kohët mund të jenë reale dhe se ekzistojnë njëkohësisht dhe sinkronikisht. Kjo nënkupton se edhe rrethanat e ngjarjet mund të përsëriten në secilën kohë. Se çfarë mund të jetë përsëritja – e mirë apo e keqe, e mbarë apo e dëmshme, e suksesshme apo e dështuar – varet nga prijësit dhe populli. Këtu, në roman përsëritja me gabime e lëshime, me papërgjegjësi e përgjumësi – shkaktohet nga mosdërgjegjësimi e veprimet tona të pamatura, nga dështimet tona e mopërfillja e gjendjes faktike. Në pyetje është fuqia e shpirtit dhe mendjes që nuk i japim rëndësi, nuk e përfillim ose nuk e ushqejmë me dituri. Prandaj masa e paditur e manipuluar u nënshtrohet pushtuesve, pranon kryqet e simbolet fetare dhe u mundëson që besimet fetare të shfrytëzohen për pozitat e tyre.

Romani Udhëtimi në kohë është një udhëtim i Artan Rrashtës, udhëtim nëpër tre kohë të ndara që ndërlidhen transcendentalisht dhe përfshijnë një periudhë një mijë vjeçare nëpër mjergullën e ngjarjeve vendimtare historike, në të cilin mijëvjeçar ka mundur të ndërrohet e të vuloset historia jonë.

Udhëtimit i paraprin falli me plumbin shkrirë, nga i cili plumb fallxhorja nxjerrë një merimangë dhe ia la si busullë orientimi, si thurëse e fatit, që kur të bredhë nëpër vende të ndryshme të botës, me fuqinë personale të durimit, me zotimet e përgjegjësisë morale, dhe me energjinë e mbijetesës të jetë i zoti të gjejë rrugën e lirisë nëpër labirinthet e pushtuesve.

Tashmë, Artani me përvojën vet dhe me intuitën si strumbullare e shqisave, në mënyrë mbinatyrore e paranormale i kundron, gjurmon e vlerëson çastet, rrethanat e ngjarjet lidhur me gjendjen e principatës, fisit dhe popullit në trevat dardane rrëze Bjeshkëve të Nemuna, Dushkajës, Sukës, Erenikut, Drinit… duke na dhënë një refleksion e vizion të historisë, ekzistencës e fatit.

Pas kthimit nga udhëtimi nga e kaluara, arrin te e tashmja. E tashmja është e vetmja kohë reale që ekziston, kurse e kaluara ekziston në kujtesën e njeriut. Gjërat mund të ndryshojnë nëse njeriu i kupton. Artan Rrashta tashmë shpirtërisht është i

ndërgjegjshëm dhe ka fituar dituri e aftësi për ta kuptuar, por mendimet e tija nuk mirëpriten. Si mund ta përkrahin njerëzit tjerë, kur i Vëllai binjak nuk e përkrah dhe nuk pajtohet.

Artani kupton se jeton i vetëm me shpirt e ide në të gjitha kohët, por tjerët nuk janë të vetëdijshëm për kohët që jetojnë, për kohët që janë determinanta kryesore për fatin e ekzistencës sonë. Nëse kohët kalojnë pa shenja të mbetjes në kujtesë, atëherë shërimi e rizgjimi i popullit do jetë i vështirë. Tash, në të tashmen mendon se është koha e shërimit dhe rizgjimitt, por tjerët nuk janë as të vetëdijshëm, as të ndërgjegjshëm për këtë kohë vendimtare.

Në bazë të përvojës jetësore, që përfshijnë përsiatjet mbi jetën, ekzistencën e historinë dhe në bazë të përjetimeve si fryt i bredhjeve nëpër botë, Artan Rrashta kupton se shpirti i njeriut jeton në tre kohë, bindet se e kaluara ka ndikim në të tashmen dhe të dyja ndikojnë në të ardhshmen. Meqë tashmë është besnik ndaj parimeve të mirëfillta mendore dhe cilësive morale e shpirtërore, me vetëbesimin në vete dhe me ndjenjën e përgjegjësisë atdhetare, fiton fuqinë për ta vlerësuar gjendjen që ka të bëjë me fatin e vet, të vëllait dhe të fisit, por si vëllau ashtu edhe fisnikët e prijësit lokalë nuk pajtohen me mendimet e tija dhe e pengojnë. Ndonëse emocionet e ndjenjat e Artan Rrashtës janë jashtë të menduarit të vet, megjithatë varen e krijohen nga mendja e vet. Për t’i hequr emocionet nga i Vëllau duhet t’i ndërrojë mendimet. Këtë e ka vështirë ta bëj, ngase nuk e lë zakoni, tradita, fisi, familja.

Ai është në mes të dy zjarreve, që e përcjellin çdo kohë kruciale për të vendosur. Është në gjendje hamletiane: me vra apo me u vra, me mbet gjallë apo me vdekë, as i madh e as i vogël, as i fortë e as i lig… Meqë është shpirt binjak, peng dhe viktimë e Vëllait, cili në vend se me shpirt e arsye, mendon me emocione e trup dhe ka qëndrime e orijentime tjera në zgjidhjen përfundimtare të çështjeve madhore të pricipatës, fisit, vendit, – nuk mund të vendos. Poashtu edhe principata e prijësit lokalë që përshtaten me rrethant e vazalitetit kanë mendime gati të njëjta, sepse qëllimi kryesor është ruajtja e tokës, pronës, fronit e pushtetit, madje në heshtje bashkëpunojnë e bashkëveprojnë me të huajtë dhe gjejnë kohë e hapësira për të krijuar errësirë e për ta realizuar planin e përçarjes e sundimit.

Nga udhëtimi në kohë, në bazë të kujtimeve të shtresuara në kujtesë nga e kaluara dhe duke u nisur nga përjetimi real i të tashmes, del se disi mbijetuam nëpër shekuj por kurrë nuk u bëmë principatë apo mbretëri i pavarur, e mëvetësishme. Artan Rrashta mendon dhe mundohet të ndërgjegjësojë faktin, se e nesërmja do të mundë të gjendet në të kaluarën dhe të tashmen. E nëse ky fakt i tre dimensioneve të ndara të kohës nuk kuptohet shpirtërisht në kohë, e njeriu nuk ndërgjegjësohet e nuk vetëdijesohet, atëherë e ardhmja dështon dhe humbë mundësia e jetesës në kohë dhe shfrytëzimit të saj për ta formësuar të ardhshmen.

Prandaj, nëse koha e kaluar dhe e tashme nuk kanë shkuar, por vazhdojnë të ekzistojnë në të ardhshmen, atëherë e ardhshmja mund të jetë e sigurtë, e suksesshme dhe e mbarë, por kjo varet nga njeriu/populli se sa ka mësuar nga e kaluara dhe nga e tashmja. Pra, çastet e ngjarjet mbesin në kujtesë dhe bashkë me realet e së tashmes bashkëdyzohen dhe marrin trajtat e duhura për të vazhduar jetën dhe kohën e së ardhshmes. Dhe kjo është plotësisht në rregull, nëse nuk janë bërë gabime dhe dështime në të kaluarën dhe të tashmen, të cilat do ta rrezikonin pritshmërinë e një të ardhme të mbarë.

Po çfarë ndodh në roman kur mbaron e tashmja fillon e nesërmja? Fillojnë hutimet, hallakatjet, veprimet e ndyra, tollovitë, kritikat, propagandat, … dhe masa është në delirium. Pushtetarët thonë: Njerëzit duhet të hutohen me thashetheme, duhet t’u lejohet të merren me përgojime, trillime, mashtrime, kotësira, magjira, veprime të dëmshme, ngase vetëm kështu mund t’i sundojmë, t’i ruajmë pozitat tona, ta ruajmë principatën e fisin, se kjo na konvenon.Thashethemet luajnë rol të pazëvendësueshëm që njerëzit të largohen nga e drejta për liri e të mos mirren me këtë çështje, por të dëgjojnë prijësit, sundimtarët e kryqtarët, që janë të vetmit që kujdesen për ta.

Dhe fillon qarkullimi i lloj-lloj tregimesh, historish e pallavrash me ndikim politik e psikologjik, që nuk kanë të ndalur, por marrin permasa të mëdha, natyrisht të dëmshme e të padobishme. Njollosen, dëmtohen e damkosen njerëzit e ditur, idetë e veprimet e tyre, me qëllim të fundit që të rrënohet e të humb besimi ndaj njerëzve mes veti. Kështu thashethemet e mbulojnë atmosferën dhe ia zënë frymën çdo të vërtete.

Dashur e padashur pason ironia e fatit, e cila lind mllefin, urrejtjen,, hidhërimin, dëshpërimin dhe shndërrohet në sarkazëm. Dialogjet, fjalimet, pohimet e gjykimet e pamenduara, thashethemet që shkaktohen në kaosin e kohës e hapësirës nëpër defilimet e fanitura pengojnë rizgjimit e pritur me shekuj.

Dhe fillon e nesërmja me thashethemexhinjtë, palaçot, hipokritët, çanaklëpirësit, bashkpunëtorët, demagogët, intrigantët, tellallxhinjtë, magjibërësit, mashtruesit, rrenacakët…

A keni dëgjuar se delja e Balisë i polli dy thi, një i zi e një e kuq? Ky është parajmërim i kobit.

Lum e lum për ne. Deti do të bëhet kos!

Ardhja ushtarëve të huaj na solli bushtra të pudrosura.

Bota na i di sa dhëmbë i kemi në gojë, sa zorrë në bark.

Lotët e kuq të cjapit të Sylës tregojnë për shtet-rrethimin. Cjapi është evlia.

A u kënaqe që i cofi lopa fqinjit?

Gëzohuni se nuk do të dënohen ata që flenë me sy hapur e shohin ëndrra natën.

Ruana Zot nga e keqja. Po vjen koha që do ta hamë njëri-tjetrin.

Katrahura po afrohet e ne po qeshim. (E shumë të tjera…)

Shfaqja e shkalluar vazhdon, zëret çirren e ulurojnë, arena e zhurshme ushton dhe e merr Artanin me vete. Turma e përgjumur larg rizgjimit ende nuk di se fjalët, llafosjet e pamfletet janë vepra të hetuesve, të shtabeve të ushtrisë pushtuese, se të gjitha trillohen vetëm për ta arsyetuar dhunën, burgosjet, vrasjet…

Dhe në kapitullin e fundit, në kohën e të së ardhshmes, kur bëhet fjalë për fatin, për jetën e pozitën tonë në botë, në disharmoni e kundërshti me mësimet e Kantit, Haidegerit, Huserlit e Tomas Eliotit, në atë kaos, çmenduri e cirk të ekzistencës kombëtare, historike, politike, fisnore, atdhetare, në epilog, Artan Rrashta e gjen veten lakuriq. Në roman, lakuriqësia e mirëfilltë e tij simbolizon gjendjen e brendshme dhe tregon zbulimin e një të vërtete të fshehur ose e një gjendje fisnore të vetërealizimit të zymtë, e cila e bën që të të fshehet pas perdeve, apo si thotë autori, “as i lirë, e as rob në Dushkajën e fshehur nga bota, në cep të askundjes”.

Vajmedet për ne!

(Kumtesë e lexuar me rastin e promovimit të romanit në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, më 21 11 2025).

ObserverKult


Lexo edhe:

JUSUF BUXHOVI: 61 VJET TË MITINGUT TË POEZISË NË GJAKOVË