
Reflektim personal
Nga Alma Dema
Në sistemin arsimor shqiptar, festivalet korale të fëmijëve vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm si forma të shprehjes artistike dhe të prezantimit publik të kompetencave muzikore. Megjithatë, repertori i këngëve që përdoren, shpesh, mbështetet në materiale të vjetra patriotike ose partizane, të krijuara në kontekste historike dhe ideologjike të caktuara, të cilat sot nuk mund të përdoren pa kriter. Kjo e bën të domosdoshme një analizë të plotë nga perspektiva e politikave arsimore, duke vlerësuar ndikimet mbi zhvillimin e fëmijëve dhe standardet bashkëkohore të edukimit.
Shumica e këngëve patriotike janë të ndërtuara mbi narrativat e luftës, sakrificës dhe heroizmit, që kërkojnë kompetenca të caktuara historike dhe abstragimit moral. Në këtë kontekst, fëmijët e arsimit të mesëm të ulet, por jo vetëm, nuk kanë zhvilluar ende kuptimin kritik të kauzave historike, konceptet e abstraguara të viktimës dhe heroit, dallimin e perspektivave në konflikt, kapacitetin për të kuptuar simbolikën politike, prandaj, repertori, shpesh, çon në një memorim mekanik të teksteve, pa asnjë përthithje konceptuale. Për pasojë, komponenti edukativ i artit, që duhet të ndërtojë kuptim, reflektim dhe emocion të shëndetshëm, zbehet plotësisht.
Tekstet që përmendin luftën, armët, armiqtë apo flijimin nuk janë të përshtatshme për zhvillimin emocional të moshës 6–10 vjeç. Politikat arsimore bashkëkohore, përfshirë ato të UNESCO-s, theksojnë se materiali artistik për fëmijët duhet të shmangë temat që nxisin frikë, agresivitet apo përfytyrime të dhunës, përveç nëse shoqërohen nga udhëzime pedagogjike. Në këtë kontekst lind pyetja ime si prind: A ka një udhëzim pedagogjik mbi këtë temë? Nëse po, kush e ka hartuar dhe kush e ekzekuton?
Druaj se në festivalet korale shqiptare, këto këngë ofrohen pa asnjë kontekstualizim, duke krijuar një boshllëk mes intencës patriotike të të rriturve dhe botës emocionale të fëmijëve.
Mospërputhja midis kurrikulës aktuale dhe praktikave tradicionale të festivaleve. Çfarë thotë kurrikula kompetencave?
Korniza e kompetencave të nxënësit shqiptar përqendrohet tek qytetaria demokratike, zgjidhja e konflikteve me mjete paqësore, të menduarit kritik, komunikimi i ndjeshëm dhe etik, zhvillimi artistik imagjinativ. Ndërkohë, këngët patriotike të periudhës së luftës janë të ndërtuara sipas një paradigme të vjetër, ku theksohen polarizimi “ne–ata”, idealizimi i dhunës si mjet çlirimi, flijimi ekstrem, modeli i heroit martir, duke krijuar një moskoherencë të dukshme midis qëllimeve të kurrikulës moderne dhe mesazheve të materialeve muzikore të përdorura në festivale.
Festivalet korale të fëmijëve mbeten, shpesh, të mbështetura në traditat e periudhës socialiste, jo për arsye ideologjike të qëllimshme sot, por për mungesë alternativash moderne të përgatitura nga institucionet. Kjo tregon se politika arsimore nuk ka ndërtuar ende një infrastrukturë repertoresh të standardizuara, duke e lënë mësuesin të improvizojë. Rezultati është një praktikë kulturore e trashëguar, jo e rishikuar, dhe jo e mbështetur nga politika të qarta.
A i njohin fëmijët heronjtë dhe kontekstin historik?
Fëmijët e arsimit të mesëm të ulët por edhe ata të arsimit të mesëm të lartë, nuk e zotërojnë të kuptuarit e kronologjisë historike, natyrës komplekse të luftërave, ideologjive politike të kohës, motivimeve individuale të personazheve historikë, kështu, ata këndojnë për Vojo Kushin, Liri Gero, Mujo Ulqinaku apo heroinat e Luftës së Dytë Botërore pa ditur as se cilit epokë i përkasin, dhe shpesh as se çfarë simbolizojnë. Njohja e figurave të historisë nëpërmjet vetëm një kënge çon në mitizim të tepruar, shtrembërim të kuptimit real, ngrirje të historisë në formën e sloganit, zhdukjen e aftësisë kritike të fëmijëve, duke iu kundërvënë çdo standardi modern të edukimit qytetar.
Për të gjithë këtë, nuk ekziston një strukturë rregulluese dhe nuk mban njeri përgjegjësi institucionale, sepse pikë së pari, nuk ekziston një bord i posaçëm rregullues apo një bord i repertorit muzikor për fëmijët. Nga ana tjetër, nuk figuron asnjë rregullore kombëtare për përzgjedhjen e materialeve në festivale të tilla korale apo udhëzime të detajuara për përmbajtjen edukative të tyre.
Përzgjedhja mbetet përgjithësisht individuale. Mësuesi zgjedh këngën, drejtori e miraton, organizatori e vendos në skenë. Kjo, në fakt tregon një mungesë politike arsimore, jo një shkelje personale, duke qenë se sistemi nuk ka mekanizma cilësie.
Në këto kushte, kushdo që merret me fëmijët dhe punon për mirëqenien e tyre institucionale, psikologjike, pedagogjike, morale dhe mbi të gjitha, njerëzore, duhet të kërkojë që të mbahet përgjegjësi e qartë institucionale dhe politikat arsimore duhet:
- të përcaktojnë standardet e përmbajtjes artistike
- të krijojnë repertore të filtruar nga ekspertë
- të ofrojnë trajnime për mësuesit në edukimin muzikor modern
- të mbrojnë fëmijët nga ekspozimi ndaj materialeve të papërshtatshme
Në mungesë të këtyre mekanizmave, këto lloj festivalesh (pra, korale) bëhen terren për improvizim dhe përsëritje të pandërgjegjshme të materialeve të vjetra dhe dhënie çmimesh e trofesh pa meritë!
Lipset një politikë e re arsimore për artin muzikor të fëmijëve
Është një kënaqësi e veçantë të jesh spektatore e një Festivali Koral të shkollave 9-vjeçare, siç më rastisi të isha më 14 nëntor, pranë QKF-së Durrës, ku u përfshiva emocionalisht nga zërat e koreve të shkollave pjesëmarrëse, ashtu siç mbeta e dyzuar mes mundësisë dhe aftësisë që patën koret për të fituar çmimin e parë.
Isha thjeshtë një spektatore e nderuar, por si profesioniste, ndjeve se e gjithë ndërmarrja ka dhe kishte nevojë për filtrim dhe riklasifikim të repertorit muzikor. Institucionet duhet të hartojnë një listë rekomandimesh që ndan: a) këngët e përshtatshme për moshat, b) këngët që duan kontekstualizim c) këngët që duhen shmangur.
Kjo është një praktikë e zakonshme në shumë shtete europiane.
Përveç kësaj, gjykoj se do të ishte me vend krijimi i një bordi multidisiplinar, i cili duhet të përbëhet nga pedagogë të muzikës, psikologë të fëmijëve, historianë, ekspertë të kurrikulës. Ky bord do të vlerësonte çdo material përpara se të përdorej gjerësisht në shkolla. Ose, a ishte juria e përbërë nga personalitete të tilla?
Por, kjo nuk është se behet vetëm me dëshira dhe ëndrra, kjo bëhet me një planifikim të mirë dhe të rregullt ndërinstitucional. Nga ana tjetër, është shumë e domosdoshme nxitja e krijimtarisë së re muzikore për fëmijë, kompozime të reja, tekste bashkëkohore pedagogjikisht të shëndetshme
projekte artistike që pasqyrojnë realitetet e sotme, bashkëpunime me autorë, kompozitorë, ilustratorë dhe edukatorë të fëmijëve, për të larguare varësinë nga repertori i vjetruar.
Përdorimi i këngëve patriotike me fëmijët nuk është problem në vetvete; problemi lind kur repertori merret i gatshëm, i pakontrolluar dhe përdoret pa kriter pedagogjik e historik. Politikat arsimore duhet të ndërtojnë një infrastrukturë të qartë filtrimi, zgjedhjeje dhe shpjegimi të materialit artistik, duke mbrojtur zhvillimin emocional, njohës dhe etik të fëmijëve.
Në mungesë të kësaj infrastrukture, festivalet korale të fëmijëve rizgjojnë pa kriticizëm modele të së kaluarës dhe dështojnë të përmbushin një nga misionet kryesore të edukimit: formimin e qytetarëve të menduar, të ndjeshëm dhe të kultivuar!
ObserverKult
Lexo edhe:






