
Ju ftojmë të lexoni një cikël poetik nga Alesia Xhogu:
1.As qiell e as tokë
kjo mospërkatësi mban aromë demoniake
As humanë e as yjësi
kjo mospërkatësi mban aromë kaosi
As aromë e as shije
kjo është mbretëria e ndjeshmërisë
As nigredo e as albedo
kështu quhet kjo rrugë pa rrugë
Rrugëtimi pa shteg mbart misterin paradoksal
Rebusi i asgjësë kërkon deshifrim
Nga kush vallë?!
Nga qielli a nga toka?
Nga njeriu a mbinjeriu?
Nga natyra apo nëpërmjet përdorimit të saj?
Konfuzioni faustian fillon të zbehet sapo mbretëria e tre motrave pushton
Tre motrat janë qenia,
Kazani është ëndrra,
dhe rebusi zgjidhet
nëpërmjet gjuhës së harruar
2.Një mori ndjesish e pengon mbretërinë e ëndrrës
diç duan të thonë por fjalët e pengojnë
një ndjesi metafizike pluskon si një mikrokozmosh
si një simfoni ciklike vërshojnë njëra pas tjetrës
përtej mendjes qëndrojnë e arsyeja e ka të vështirë t’i përmbledhë
ç’quhet vallë kjo simfoni e çdo të tregojë?!
3.Mbretërinë e ndërtuar nga net të sëmura
zgjedh ta shkatërroj
këtë herë, ditët e shëndosha
më urdhërojnë ta rikrijoj
Arkitektura e saj qëndronte e paqtë si ujëvarë
këtë herë, një zjarr i përflaktë
E shëndosha vallëzon me zjarrin
fryt i tyre, një krijesë hermafrodite
Mbretëria pa emër sundon njerëzimin
vlerësimi është dual
dhe vlerat me kokëposhtë
4.Shko përtej rrugëve të njohura
përtej pyjeve me rrugëdalje
ngadhënjeu në errësirën pa orientim
në shpërblim të shpirtit tënd
5.Një kurë divine zbriti në qendrën e qenies
nëpërmjet një kërcimi
por jo vallëzimi
Qëndron e plotësuar në Boshllëkun e saj
përbri rrethohet nga figura meditimesh
6.Lindje e largët sa pranë ndodhesh
Të ndjej karrocat e drunjta
me aromën e erëzave e çajrave magjikë
Flladi yt vjen në qytetërimin modern
për të bashkuar shpirtërat e së njëjtës Dorë
Shkretëtira e tingujve misteriozë
bollëkun e gjithëpërfshirëses shfaq
Aromë natyre e ekzistence të kulluar
Je po e njëjta o Lindje e Largët
Mendjet tona të shohin me sytë e zemrës
E këta sy shfaqin të tashmen
Ekzistenca jote shkëlqen si Diell
për shpirtërat që ti vetë ke përzgjedhur
7.Përballë syve që shohin
fantazmagoria e së vërtetës ndriçon
shtegu i acartë e plot zymtësi
qartësohet
Bindjet sintetizohen në vallëzimet dionisiake
dirigjuar nga rendi apollonian.
ObserverKult
Lexo edhe:






