
Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës u mbajt një takim letrar me poeten, studiuesen e botuesen Donika Dabishevci. Aktiviteti u organizua nga Fakulteti i Edukimit, Departamenti i Letërsisë, në bashkëpunim me Bibliotekën e UAMD-së.

Gjatë takimit u lexuan pjesë të zgjedhura nga librat me poezi E gjithkohshmja Andërr dhe Kam me ardhë si deka, të cilat u interpretuan dhe u analizuan nga studentët, duke hapur diskutime, pyetje dhe debat mbi temat qendrore të veprave, si liria, identiteti, trupi, memoria dhe përvoja kolektive. Takimi u shndërrua në një hapësirë dialogu të hapur mes autores dhe lexuesve të rinj, ku poezia u trajtua si akt estetik, etik dhe shoqëror.

Në kuadër të aktivitetit, profesoresha Enida Lama Godina paraqiti një vështrim interpretues mbi krijimtarinë e Donika Dabishevcit, duke vënë theksin te motivi i lirisë si bosht themelor i poezisë së saj. Duke iu referuar vargut “Che bacio come una folle la libertà”, ajo theksoi se ky varg shpreh jo vetëm një dashuri të pakompromis për lirinë individuale të gruas, por edhe për lirinë kolektive të shqiptarëve të Kosovës. Sipas saj, poezia e Dabishevcit përçon një pasion jetësor që përqafon jetën pa frikë dhe u dëshmon studentëve bukurinë e të jetuarit në përputhje me ritmin e zemrës dhe pa drojën e gjykimit.

Takimi u vlerësua si një përvojë e çmuar kulturore dhe akademike për studentët, bibliotekën dhe komunitetin universitar të UAMD-së.
ObserverKult






