
Qyteti nuk është thjesht hapësira ku jetojnë njerëzit e thjeshtë, qyteti ynë është vendi ku ndodh historia. Por në poezinë e Donika Dabishevcit shndërrohet në personazh, madje në një lloj qenieje kolektive që ka sy, veshë, kujtesë dhe gjykim.

Nga Anila Toto
Oh, qyteti im i dashur, ti je porsi një organizëm që sheh, dëgjon, kujton, gjykon dhe kontrollon fatet njerëzore, si nje përrallë! E kështu qyteti fiton tipare njerëzore dhe sillet si një organizëm social me një lloj vetëdijeje kolektive. Ai sheh përmes dritareve, dëgjon përmes veshëve të njerëzve, kujton përmes gjurmëve të së shkuarës, gjykon përmes fjalëve dhe kontrollon përmes syrit të opinionit kolektiv.
Në këtë mënyrë, ajo që duket si vetëdije e qytetit është, në të vërtetë, vetëdija dhe gjykimi i komunitetit të shndërruar artistikisht në një qenie të vetme. Që në vargun: “Qyteti jem asht i vogël për njerëz si ti. Asht i ngushtë. Inatçor. Egoist.”, qyteti del nga statusi i një vendi gjeografik dhe merr një personalitet psikologjik. Ai është “i vogël” jo vetëm në përmasa fizike, por mbi të gjitha në kapacitetin e tij për të pranuar njeriun me të gjitha përmasat e tij të vërteta. Ngushtësia e rrugëve bëhet metaforë e ngushtësisë mendore, vogëlsia hapësinore shndërrohet në vogëlsi dhe ngushtësi të ekzistencës sociale. Por si mund të jetohet në një qytet që të sheh, të dëgjon, të kujton dhe të gjykon, ku individi nuk e zotëron plotësisht jetën e vet private, sepse jeta e tij kalon nëpër filtrin e komunitetit.
Rruga mban gjurmët, dritaret mbajnë sytë, veshët mbledhin fjalët, ndërsa kujtesa kolektive nuk lejon që e shkuara të varroset lehtë.
“Asht i ngushtë. Inatçor. Egoist asht.” Dhe, me një shkallëzim antropomorfizues, autorja në planin fizik mund të nënkuptojë hapësirën e kufizuar, por në planin psikologjik shënjon ngushtësinë e mendësisë, sepse ky qytet nuk ka hapësirë për tjetrin, për ndryshimin, për një individ që nuk i bindet normës së tij. Ai bëhet “inatçor”. Ai nuk harron lehtë, ai bën mëri, ruan kujtime dhe mund ta kthejë të kaluarën në dënim.
“Egoist asht” vjen si kulmi i personifikimit. Qyteti nuk është thjesht konservator, ai ka interesin e vet, ruan formimin, rendin dhe imazhin e vet edhe kur kjo cënon dhe sakrifikon lirinë e individit. Të gjitha këto tipare që përmenden sikur qyteti të ishte njeri, natyrisht, janë tiparet e njerëzve që banojnë në këtë qytet, që marrin frymë aty, e madje edhe që janë pjesë e dënimit dhe vuajtjes së përbashkët.
Duke shndërruar qytetin nga një vend gjeografik në qenie psikologjike, autorja prek njerëzit që ngrenë këtë frymë e nuk arrijnë të jetojnë të lirë e të lënë të jetojnë edhe të tjerët. “Dritaret e veshët i mbesin hapun. Pas perdesh Moirat tjerrin fate.” E kështu poezia arrin një kulm simbolik ku qyteti shndërrohet nga një hapësirë që sheh e dëgjon në një fuqi mitike që ndërhyn në fatin njerëzor.
Me lojën e personifikimit të qytetit, autorja e bën më të fuqishëm vargun, por edhe mesazhin që do të shpërndahet mbi mungesën e lirisë dhe gjykimin e vazhdueshëm e të gjithanshëm të jetës së individit. E kjo nuk na çudit, sepse e jetojmë çdo ditë të gjithë nga pak.
Pra, dritarja është “syri” i qytetit, ndërsa veshi është organi i dëgjimit të tij. Por autorja, përmes dritareve dhe veshëve, krijon përshtypjen e një burgu të madh, e një organizmi të madh, me qindra sy e veshë, që vëzhgon jetët e njerëzve.
Dritarja dhe veshi funksionojnë si metafora përmes të cilave realizohet personifikimi i qytetit, ndërsa veprimet “t’sheh”, “t’ndjek” dhe “t’ruen” e bëjnë qytetin të sillet si një qenie njerëzore, me vullnet dhe qëllim. Dhe autorja hyn me mitologjinë greke. Moirat, dihet, janë tri hyjni të fatit, të lidhura me fillin e jetës njerëzore. Metafora e “tjerrjes” lidhet me idenë e fillit të jetës, i cili mund të zgjatet, të matet ose të këputet. Ato përfaqësojnë fatin e pashmangshëm të çdo njeriu, nga lindja deri te vdekja, prandaj bëhet tragjike situata, sepse duket sikur dikush po vendos për ty, ndërsa ti jeton jetën tënde.
Ka edhe satirë brenda kësaj figure, sepse autorja duket sikur e sjell figurën mitologjike të Moirave në një realitet modern, ku fatet nuk tirren më vetëm nga hyjnitë, por edhe nga njerëzit që merren me jetën e të tjerëve. Në këtë kuptim, “Moirat” mund të lexohen metaforikisht si një figurë e shtrigave moderne, që jetojnë me historitë e të tjerëve dhe ndërhyjnë në fatet e tyre përmes fjalës, gjykimit dhe opinionit shoqëror.
Kemi edhe një paraqitje të thjeshtë, por me pamje dyplanëshe. Moirat rrinë pas perdeve, ndërsa qyteti është përpara perdeve. Njëra është fuqia mitike e padukshme, ndërsa tjetra është fuqia sociale e dukshme. Të dyja kontrollojnë fatin njerëzor, ku njeriu rri përballë fatit, qytetit dhe vetvetes. “Ti vazhdon me ecë tuj mos përfillë gja, si dikush që s’i përket askujt, e qyteti t’sheh. T’ndjek. T’ruen për me t’ngranë në nji kohë t’përshtatshme.” Folja “ecë” vendos në qendër individin që vazhdon rrugën e vet, nuk do t’ia dijë, nuk ndalet përballë gjykimeve, zërave apo rregullave të qytetit.
Por shprehja “tuj mos përfillë gja” nuk është thjesht indiferencë. Ajo krijon figurën e një njeriu që refuzon t’i nënshtrohet kontrollit kolektiv.
Kështu, në njërën anë individi i lirë që nuk kërkon miratim, nuk i nënshtrohet komunitetit dhe, nga ana tjetër, në një qytet të vogël, të mos i përkasësh askujt, mesa duket, është pothuajse një kërcënim ndaj rendit shoqëror e komunitetit në qytetin “grabitqar”. Folja “ngranë” e thellon këtë figurë, sepse qyteti nuk paraqitet më vetëm si vëzhgues apo gjykues, por si një grabitqar që pret momentin e përshtatshëm për të sulmuar. “Me t’ngranë” mund të lexohet jo vetëm si agresion, por edhe si shkatërrim social, diskreditim, përjashtim apo cenim i individit që guxon të jetojë jashtë normës së komunitetit.
“Hajde te unë, syn! Hajde i zhveshun slloganesh, klishesh e mburojash politike. Hajde i zhveshun prej ditës. Prej kauzash. Prej ideologjish. Nuk m’josh asnjilloj variacioni i tyne. I dua t’vërtetat lakuriqe. Ato që djegin. Që t’bajnë hi.”
“Hajde te unë, syn!” Thirrja përsëritet si një ftesë për afërsi. “Hajde” nuk është urdhër, por është një dorë e zgjatur që nuk ka frikë të shtrëngojë një dorë tjetër. “Te unë” është një derë, një hapësirë ku tjetri mund të vijë me shpirt të hapur.
Por fjala “syn” e zbut edhe më shumë tekstin. Në këtë kontekst, ajo nuk është thjesht një fjalë përkëdhelëse, por krijon një hapësirë afërsie, pranimi dhe intimiteti, ku njeriu nuk ka pse dhe nga kush të mbrohet. Këtu krijohet edhe një kontrast i bukur me qytetin. Qyteti të sheh, të ndjek, të ruan dhe të gjykon, ndërsa “tek unë syn” të afron, të pranon dhe të fton të vish pa mburoja. Prandaj kjo fjalë e vogël mbart një ngarkesë të madhe emocionale dhe njerëzore, sepse i ofron individit pikërisht atë që qyteti nuk ia jep, një hapësirë ku mund të jetë vetvetja.
“Hajde i zhveshun slloganesh, klishesh e mburojash politike.” Këtu “zhveshja” merr një kuptim etik. Slogani është një formulë që e thjeshton realitetin në atë njerëzor, i zhveshun nga klisheja është një pranim i sigurt dhe i gatshëm për gjithçka, mburoja politike është një identitet pas të cilit njeriu mund të fshihet pa pasur nevojë për shpjegime.
Më pas zgjerohet hapësira e mendimit, pranimit dhe përjetimit, duket sikur i thotë të mos lejojë që kauza të bëhet më e madhe se njeriu. “Nuk m’josh asnjilloj variacioni i tyne.” deklaron poetja dhe tregon një lloj pavarësie intelektuale që nuk pajtohet me asnjë kompromis që cënon, diskriminon apo kufizon ekzistencën.
“Qysh ke qëllue. Vetëm. Pa histori. Pa rrëfime.” Tashmë njeriu mund të vijë ashtu siç është, pa pasur nevojë për ndryshime banale, pa biografi të deklaruar, lakuriq, trup e shpirt, si të ishte një çarmatosje ekzistenciale. “I zhveshun prej tana lëkurave e koracave.” Vjen natyrshëm në rrugëtimin e vargjeve metafora qendrore e fragmentit, sepse në një kuptim jo të drejtpërdrejtë, lëkurat mund të lexohen si shtresat identitare që njeriu grumbullon gjatë jetës, rolet, statuset, kujtimet, plagët, krenarinë, frikërat, maskat.
Koracat, ndërkaq, janë mbrojtjet dhe arsyetimet, fshehjet dhe zgjidhjet psikologjike. Kur njeriu ndërton një armaturë për të mos u lënduar, sepse sa më shumë ka vuajtur, aq më shumë do të donte të mbrohej prej saj. Eja… “Qysh t’ka ba nana.” Këtu poezia prek një simbolikë shumë më të thellë antropologjike. “Nana” përfaqëson origjinën, pikën zero të ekzistencës. Para se të ishe emër, profesion, status, histori, reputacion apo rol shoqëror, ishe thjesht një fëmijë, njeri, engjëll.
Eja, “Veç”, dhe një fjalë e vetme në fund bëhet thirrja, ose edhe një goditje e fortë emocionale. Qyteti është komuniteti kolektiv, njeriu është individual. “Ashtu-kshtu” ka një ton gati tallës, por edhe fatalist, pasi duket sikur poetja e njeh psikologjinë e këtij qyteti vrastar. Nuk është më pyetje nëse do të ndodhë. Do të ndodhë.
“Herët a vonë” e shndërron përvojën individuale në një ligj ekzistencial, askush nuk shpëton përfundimisht nga procesi i zhveshjes.
Nëse kujtesa lidhet me atë që kemi qenë, dinjiteti lidhet me mënyrën si qëndrojmë sot përballë botës. E nëse qyteti të zhvesh edhe nga ëndrrat, ai nuk të ka marrë vetëm të kaluarën dhe të tashmen.
Kjo është shumë e zgjuar artistikisht, zgjidhja artistike midis zhveshjes së zgjedhur nga njeriu që ka të bëjë me autenticitetin dhe identitetin e tij, dhe zhveshjes së imponuar nga qyteti që sjell në çdo rast humbje të dinjitetit dhe individit brenda tij, duke të detyruar gradualisht të heqësh dorë nga pjesë të vetes.
“K’tu, nata t’le fikall vetëm.
Asht pasqyrë nata e këtij qyteti. E kush guxon me u pa s’brendshmi n’te çlirohet ose humbë përgjithmonë.” Këtu ka një rezonancë shumë të bukur me simbolikën biblike të errësirës dhe dritës. Në traditën biblike, errësira shpesh lidhet me pasigurinë, mosnjohjen dhe mungesën e qartësisë, ndërsa drita lidhet me të vërtetën, udhëzimin dhe shpëtimin. Antiteza përball ndjenjat në formën më të drejtpërdrejtë, “çlirohet ose humbë përgjithmonë.” Ky është kulmi filozofik dhe psikologjik i poezisë. Nëse pjesët e mëparshme flisnin për qytetin që të sheh, të ndjek dhe të zhvesh, këtu qyteti bëhet më i thellë, ai të detyron të përballesh me veten, me një vetmi të rrallë, të madhe, dhe jo vetëm fizikisht.
Natën mbetesh vetëm ti dhe vetmia jote dhe zgjedhjet e tua drejt humbjes apo çlirimit përgjithmonë. “Asht pasqyrë nata e këtij qyteti.” Vjen si metafora qendrore e fragmentit, sepse pasqyra na përball me veten, ndërsa nata na çon drejt asaj që nuk duket në dritën e ditës. Në këtë kuptim, nata bëhet ose pasqyra e shpirtit, ose errësira e përjetshme. Por natën, identitetet shoqërore humbasin dhe njeriu mbetet përballë vetvetes. Kështu, poezia nis me gjykimin e qytetit mbi individin, por përfundon me përballjen e individit me pasqyrën e shpirtit. Në këtë mënyrë, mbyllja bëhet shumë më e fuqishme se një kritikë politike apo sociale e banorëve të një qyteti. Qyteti është vetëm skena, ndërsa beteja e vërtetë ndodh brenda individit…
Donika Dabishevci: Hajde te unë, syn!
Qyteti jem asht i vogël për njerëz si ti. Asht i ngushtë. Inatçor.
Egoist asht. Rrugët e tij ruejnë gjurmë, hije e fjalë.
Dritaret e veshët i mbesin hapun. Pas perdesh moirat ngatërrojnë fate.
Ti vazhdon me ecë tuj mos përfillë gja, si dikush që s’i përket askujt,
e qyteti t’sheh. T’ndjek. T’ruen për me t’ngranë
në nji kohë t’përshtatshme.
Hajde te unë, syn! Hajde i zhveshun sloganesh, klishesh
e mburojash politike. Hajde i zhveshun prej ditës. Prej kauzash.
Prej ideologjish. Nuk m’josh asnjilloj variacioni i tyne.
I dua t’vërtetat lakuriqe. Ato që djegin. Që t’bajnë hi.
Hajde qysh je, syn! Qysh ke qëllue. Vetëm. Pa histori. Pa rrëfime.
I zhveshun prej tana lëkurave e koracave. Qysh t’ka ba nana. Veç.
Ashtu – kështu, n’kët’ qytet, gjithçka zhvishet herët a vonë.
Edhe nga kujtesa, edhe nga dinjiteti, edhe nga andrrat.
K’tu, nata t’le fikall vetëm. Asht pasqyrë nata
e këtij qyteti. E kush guxon me u pa s’brendshmi n’të
çlirohet ose humb përgjithmonë!
ObserverKult






