Robert Prifti, shkrimtari disident përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti, në mjediset e Qendrës “Sotir Kolea”, aktivitetin me temë “Portreti i një intelektuali të vërtetë”, kushtuar shkrimtarit disident Robert Prifti.

“Portreti i një intelektuali të vërtetë” u zhvillua në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Robert Priftit, një figurë e rëndësishme e letrave shqipe, i njohur jo sa duhet, duke qenë se edhe ka shkruar në gjuhën italiane.

Robert Prifti ishte poliglot, njohës i 8 gjuhëve të huaja dhe kimist me profesion. Përgjatë viteve të diktaturës ai u njoh si mësues i disa lëndëve shkencore, si dhe i gjuhëve të huaja. Por në më shumë se 4 dekada të diktaturës, gjatë të cilave ai jetoi, shkroi një varg veprash në prozë dhe poezi, të gjitha në gjuhën italiane, vepra për të cilat nuk kishte njohuri as familja e tij.
Kjo krijimtari, u zbulua rastësisht pas vdekjes, në tetor të vitit 1993, fillimisht nga i biri Edgari e më pas edhe nga lexues të një rrethi më të gjerë, duke shpërfaqur në publik profilin e një shkrimtari me kurajë të rrallë intelektuale dhe njëkohësisht një histori të rrallë krijimi dhe qëndrese.

Në aktivitetin e mbajtur në Qendrën “Sotir Kolea”, morën pjesë prof. Viola Isufi dhe Spartak Topollaj, të cilët folën mbi jetën dhe krijimtarinë prozaike dhe poetike të autorit Robert Prifti. Pjesë e këtij aktiviteti u bënë edhe prof. Artan Fuga, Visar Zhiti, Nevruz Maluka dhe studiuesi italian Mauro Geraci nëpërmjet videomesazheve. 

ObserverKult


Lexo edhe:

NUMRI MË I ULËT PREJ VITIT 2003/ EUROVISION PUBLIKON LISTËN E VENDEVE PJESËMARRËSE