
Ka dalë nga shtypi libri “Kumanova – kujtesa që nuk u nënshkrua” i autorit Hajriz Sejdiu, botuar nga Shtëpia Botuese LITTERA (Prishtinë, 2025).
Ky libër përbëhet nga shtatë fragmente dhe nëntë tregime që ndjekin një roman, duke ndërtuar një strukturë të veçantë narrative ku letërsia shndërrohet në hapësirë kujtese, dëshmie dhe përballjeje me historinë e pashkruar. Në qendër të veprës qëndron Kumanova, jo vetëm si qytet, por si metaforë e një kujtese kolektive të ndërprerë, të shtypur dhe të pambyllur.
Përmes figurës së Arbënit, i cili shfaqet në tri kohë historike (1912, 1999 dhe 2015), autori ndërthur fatin individual me traumën historike, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes luftës, paqes dhe harresës. Teksti lëviz mes rrëfimit poetik dhe prozës reflektive, duke i dhënë zë atyre që historia zyrtare i ka lënë në heshtje.
“Kumanova – kujtesa që nuk u nënshkrua” nuk është thjesht një libër tregimesh apo fragmentesh narrative, por një akt letrar që synon të rikthejë në vëmendje plagët e pambyllura, marrëveshjet e heshtura dhe dhimbjet që nuk gjetën gjuhë për t’u rrëfyer. Vepra ngrihet si një formë rezistence ndaj harresës dhe si thirrje për vetëdije kolektive.
ObserverKult






