reklamë

Ilir Sefaj: Vargu i Donika Dabishevcit, manifest poetik për dinjitetin e grave

Edhe pse analiza e poezisë ka qenë fushë e interesimeve të mia në pasionin tim për letërsinë, në “përpjekjet” e mia në fushën e kritikës, mbase është hera e parë që trajtoj një poezi si të vetme (të veçuar nga libri-përmbledhja) dhe kjo jo pa shkas. Lexuesi ynë e njeh Donika Dabishevcin si grua të zonjën, përvoja profesionale e së cilës përfshin një gamë të gjerë interesimesh, ndërkaq vokacion i saj pa dyshim është poezia: vargu i goditur, sa i drejtpërdrejtë aq edhe i figurshëm, por që përherë mbart një mesazh të fuqishëm.

Nga Ilir Sefaj

Figura e gruas është ndër temat më intriguese në krijimtarinë letrare dhe jo vetëm. Duke qenë “baza e shoqërisë njerëzore” (S.Frashëri), gruaja zë vend të rëndësishëm në letërsinë botërore, ndërsa një vend meritor (të paktën si personazh) figurës së saj i jepet edhe në letërsinë shqipe. Ajo shfaqet në të gjitha dimensionet e veta: e fortë, djallëzore, e bukur, e emancipuar, e nëpërkëmbur, e dinjitetshme, shtëpiake, e shkolluar, dhe i gjithë ky rrugëtim i saj sikur lidhet me ecejaket tona kombëtare në histori e flet për faza të caktuara të zhvillimit tonë.

Në botën tonë moderne apo postmoderne, mendoj se janë tejkaluar shumë stereotipe që kanë ekzistuar për gruan, për dinjitetin e saj dhe për gjykimin tonë për të në përgjithësi, por që, fatkeqësisht, brishtësia e saj ende nuk është shkëputur njëherë e mirë nga gjykimi maskilist, i cili në shoqërinë tonë mbetet mjaft i theksuar.

Këtyre botëkuptimeve arkaike, Donika u përgjigjet fuqishëm me poezinë që është si një manifest për dinjitetin e gruas shqiptare: “Mos u dorëzo kurrë, çika jeme!”.

Në nji vend ku ma shumë t’i vlerësojnë t’pasmet se shpirtin,
ku për tru tandin kush pesë pare si jep,
mos u dorëzo, çika jem!

Kjo është një thirrje për gruan shqiptare që të qëndrojë e pathyeshme përballë një shoqërie dogmatike, e cila më shumë vlerëson të pasmet sesa shpirtin dhe mendjen e një gruaje të emancipuar. Përveç mllefit dhe papajtueshmërisë, këto vargje synojnë të na zgjojnë nga një përgjumje kolektive që ka përfshirë shoqërinë tonë.

Zhagitu, katrithu, rrëzohu,
lëpijë varrat, kthjellu e çohu,
Veç mos u dorëzo!

Intonon gruaja për gruan në vargjet e mësipërme.

Poetja e zgjedh protestën përballë nënshtrimit, fuqinë përballë dobësisë, njerëzoren përballë të panjerëzishmes. E gjendur në situata makthi si rrjedhojë e një mentaliteti që ende ka vështirësi t’ia japë vendin e merituar gruas shqiptare në shoqëri, poezia e Dabishevcit thërret për zgjim:

Zani le t’nihet n’kupë t’qiellit.

Për të vazhduar më tej te vargjet e mëposhtme, në përpjekjen e saj që idenë ta kthejë në veprim e veprimin në qëllim:

Nuk kanë me t’dashtë,
dihet ajo punë.
Janë msue me t’pasy e t’pagojë,
ama bash, punemadhe…

Pra, edhe pse nuk do të të duan, kundërshto, lufto, përpiqu dhe protesto me një: „Punë e madhe!“ Vargu i Donikës nuk thërret për tjetërsim në emër të një emancipimi të rremë. Përkundrazi, zërit dhe gjykimit arkaik, poetja kërkon që gruaja shqiptare t’i përgjigjet me dëshirën e saj për t’i ndjekur ëndrrat, duke theksuar se këto synime e qëllime realizohen vetëm duke qëndruar tek e natyrshmja dhe te mosdorëzimi.

Rri n’natyrën tande,
njeki andrrat, e mira e nanës…

Jepi, ec para,
forcohu e bahu gur,
mos u përkul, theje çdo mur
dhe kurrë, aman, mos u dorëzo kurrë!

Si përfundim i kësaj përqasjeje, mund të themi se poezia „Mos u dorëzo kurrë, çika jeme!“ e Donika Dabishevcit është një manifest për dinjitetin e gruas shqiptare, një rrugë e nisur bukur, mbi idenë e së cilës mund të kontribuohet në forma e mënyra të ndryshme. Kjo është një rrugë e hapur nga zëri i një gruaje të formuar dhe intelektuale, ku fjala dhe vepra e saj kanë peshën e vet të pakontestueshme.

ObserverKult