reklamë

Ligjërimi bisedor, nyjat dhe alkimia poetike e Donika Dabishevcit

grue prej zjermi

Nga Ismail Syla

Në përmbledhjen me poezi Grue prej zjermi, të Donika Dabishevcit ka vargje-ftesë që grishin për të pirë një kafe, rrëfim lirik si u rrit një brez ose shpjegime poetike pse një grua nuk pranoi të jetonte sipas parapëlqimeve të të tjerëve. Vargu i saj merr ritmin e një bisede që lejon veten të sqarojë, të përsërisë e të ndalet te një hollësi, derisa, brenda së njëjtës fjali, varg, një folje ndryshon gjithçka. Këmbët nën tavolinë “rrnojnë”, nënat “e lexonin t’keqen” në zhurmën e hapave, kufijtë gjenden “të gdhendur” në mishin e kufomave. Në këtë lëvizje qëndron harmonia e diskurseve në librin e Dabishevcit: ligjërimi bisedor krijon afërsinë e zërit, ai rrëfimor dhe shpjegues i jep përvojës rendin në kohë, ndërsa nyja poetike kuptimeve ua ndryshon peshën. Kjo është alkimia estetike e figurës, e cila vepron mbi lëndën e sjellë tashmë në varg,  qoftë një ngjarje historike, formulë e të folurit ose gjest i përditshëm.

Fjala e zakonshme në çastin e kthesës

Te poezia Adami jem, përshkrimi i syve të zgurdulluar  “Dro me m’dalë krejt/ edhe pse kush nuk m’kishte nem me t’dalçin sytë” subjekti lirik vetëm brenda një vargu ngarkon ligjërimin bisedor dhe trajtën e mallkimi të befasishëm. Që në start mallkimi merr kuptim të mirëfilltë trupor. Uni i saj dëgjon veten duke iu afruar një mallkim që askush nuk ia ka shqiptuar. Ndërhyrjet si “Rrej me thanë” krijojnë përshtypjen se rrëfimi merr formë gjatë të folurit. Ky zë, e mban skenën pranë bisedës edhe kur ajo merr përmasa fantastike me rastin e shfaqjes së burrit të parë në botë. Një mallkim që askush s’ia ka thënë bëhet mënyra më e gjallë për të rrëfyer çfarë i ka bërë lektisja heroinës lirike, dëshira e fortë e hedhjes së shikimit mbi Adamin e saj.

Te poezia Hajde te unë, syn!, thirrorja e përzemërt dhe urdhërorja e thjeshtë krijojnë afërsinë e një ftese. Kthesa vjen sapo folja e zhveshjes merr një rol të papritur: “Hajde i zhveshun sloganesh, klishesh e mburojash politike.” Slogani dhe klisheja, fjalë të diskursit publik, bashkëjetojnë në një rrafsh me shprehjen popullore “Qysh t’ka ba nana”. Kështu, heroi lirik kërkon ta takojë tjetrin përpara roleve me të cilat paraqitet në botë. Ligjërimi intim i jep leksikut të gjuhës publike një adresë të vetme dhe një arsye personale.

Te poezia Mos u ndal, syn!, kthesa ndodh pa ia ndryshuar fjalisë ndërtimin. Pas enumeracionit të pasthirrmave “Janë psherëtimat, janë ofshamat” poezia vijon me zbulimin e hapësirës së re “Janë boshllëqet mes tyne.” Pas tingujve, e njëjta sintaksë i jep peshë asaj që gjendet ndërmjet tyre. Kur autorja thotë “Ku mund t’strofullohem” (të gjej strofull, çerdhe) boshllëku merr përmasën e një vendi ku mund të hyhet e të qëndrohet.

Intimiteti nën tavolinë dhe gjesti publik

Te poezia A je për kafe, syn?, dy veta përpiqen të duken sikur janë takuar rastësisht, si kolegë pune, shokë studimesh apo armiq të gjendur kot në të njëjtën tavolinë. Numërimi i këtyre roleve ka natyrshmërinë e bisedës dhe tregon përpjekjen për fshehjen e marrëdhënieje të tyre para të tjerëve. “I masim fjalët. I ftohim shikimet…” Fjalia e parë shënon vetëkontrollin e të folurit, ndërsa e dyta i jep atij kontrolli një temperaturë. Njëri prej tyre vazhdon të pëshpëritë, cepi i buzëve nis t’i dridhet dhe, “ndërkohë që nën tavolinë/ kambët na rrnojnë n’nji realitet tjetër. Preken ngapak.”

Folja “rrnojnë” një prekjeje të fshehtë i jep përmasën e një jete që çifti s’mund ta shfaqë. Ndërsa sipër tavolinës vazhdon biseda e matur, poshtë saj trupi e jeton marrëdhënien që fjalët po e mbajnë të fshehur. Dy skenat ndodhin njëkohësisht, siç e shënon ndajfolja “ndërkohë që”, dhe tavolina, orendi e zakonshme e skenës, bëhet kufiri midis dy mënyrave të të qenit bashkë.

Shprehja “Preken ngapak” skenës ia jep masën e gjestit. Vetë ndajfolja “ngapak” ruan drojën e prekjes dhe, njëkohësisht, vendosmërinë e saj. Shprehjet  “Pa pyet. Pa lejen e botës” e lidhin gjestin me vështrimin shoqëror, publik, të pranishëm që në fillim si “nji hije e paftueme që vjen bashkë me kafet”. Kur autorja thotë më pas se e vërteta është “ajo që na ndodh n’trup”, lexuesi e ka parë tashmë atë të vërtetë në veprim. Vargu shpjeguese emërton atë që figura e ka bërë të prekshme.

Buzëqeshja dhe serioziteti i rinisë

Në poezinë Ne ishim ndryshe është paraqitur nostalgjia për kohën e rezistencës shumë autentike të Kosovës në dy dekadat e fundit të shekullit njëzet, me një ton madje ironik.

“Me libra nën sqetulla e dy gishtërinj nalt’
buzëqeshnim mes kordonash t’milicisë,
tuj mendue se jemi tuj e ba
formën ma t’thellë t’rezistencës.

Besonim se nji poezi e lexueme me za
mundet me e ruejtë dinjitetin e njeriut.”


Këtu ironia qëndron te forma përcjellore “tuj mendue”. Zëri lirik, që kujton, nga distanca  e viteve e kupton arsyen pse brezi i saj ia atribuonte gjestit të vogël një fuqi aq të madhe. Dy gishta të ngritur, librat nën sqetull dhe një buzëqeshje përballë milicisë mund të duken gati fëmijërore, por fjala “mes” e vendos buzëqeshjen pikërisht brenda hapësirës që kordoni kërkon ta kontrollojë, duke ua bërë të dukshëm qëndrimin të pranishmëve dhe duke i bërë të rinjtë ta njohin njëri-tjetrin në të njëjtën rezistencë. Besonim se nji poezi e lexueme me za/ mundet me e ruejtë dinjitetin e njeriut. Rëndësia e vargjeve bie mbi trajtën e foljes “me za” dhe me e “ruejtë”. Në një botë ku bisedat “këputeshin n’gjysmë” sa herë afrohej dikush te dera, ta lexoje një poezi me zë do të thoshte ta çoje fjalën deri në fund dhe ta bëje të dëgjueshme për të tjerët. Këtu poezia është më shumë se art. Është shqiptimi i idealit. i të ndaluarës. Vetëdija. Kështu shfaqej rezultati i atyre gjesteve në kujtesën e brezit: ruajtja e mundësisë për të shprehur publikisht një qëndrim, nga njëra anë.  dhe krijimi i një hapësire ku dinjiteti ushtrohej së bashku. Ironi për butësinë e mjeteve dhe seriozitet për atë që mbajtën gjallë.

Prekja nën tavolinë dhe dy gishtat përballë kordonit kanë kahe të ndryshme: e para i shpëton vështrimit publik, të dytët ngrihen që të shihen. Në të dyja rastet, gjesti ka përmasë të vogël dhe peshë të madhe për mënyrën si njeriu e jeton marrëdhënien me të tjerët: “Preken ngapak” ruan hapësirën e një dashurie nën paragjykim, kurse “Buzëqeshnim mes kordonash” shpreh qëndrimin përballë frikës.

Nga kronika e brezave

Te poezia me elemente të poemës Ne ishim ndryshe, ritmi i diskursit zgjerohet në dëshmi kolektive. Foljet në shumës “U rritëm” dhe “Pamë” përsëriten ndërsa vijnë me radhë librat, filmat, rrëfenjat për burgjet dhe shembja e sistemeve. Ky ritëm relativisht i njëtrajtshëm krijon pritshmëri: pas “Pamë” receptori pret ngjarjen e radhës, dhe pikërisht aty ndodh kthesa më e fuqishme:

“Pamë Jugosllavinë tuj u shkrumbue ngadalë,
si nji trup i madh që s’mun’ i kurthon ma kundërshtitë
 e kufijtë e gdhendun thellë n’mishna kufomash.”

Shprehja “Tuj u shkrumbue” e nis figurën, e krahasimi “si nji trup i madh” i jep shtetit formë trupore, ndërsa mbiemri “gdhendun” e çon shndërrimin te pasoja njerëzore. Kufiri, zakonisht vijë imagjinare në terren, vijë e kuqe në  hartë,  këtu lë gjurmë në mishin e të vdekurve, ndërsa shkalla e tragjedisë kalon nga njëjësia e “trupit të madh” te shumësia e kufomave. Brenda një fjalie që nisi si kronikë e shpërbërjes së një shteti, pika e shikimit  zhvendoset te trupat e njerëzve që e pësuan, duke i dhënë  foljes “Pamë” peshën e asaj që brezi u detyrua të shohë. Në tri vargje diskursin teorik e prek nyja poetike, fjalët e fundit “kujfijtë e gdhendun thellë n’mishna kufomash,” Përballë “mishit të kufomave” eklipsohen të gjitha përpjekjet diplomatike. Kjo nyje alkimike shpërfaq çminin real të prishje së një federate.   

E njëjta histori, por në përmasa shtëpie, dëgjohet nga nënat shqiptare që “e lexonin t’keqen / n’llojin e zhurmës s’hapave n’shkallë.” Folja” e lexonin” i kthen hapat dhe trokitjet në shenja të një rreziku ende të padukshëm, ndërsa “para se me u hapë” e mban tensionin në pak sekonda pritjeje.  Dera këtu shfaqet si vend ku frika ndërhyn në jetën e shtëpisë.

Në një skenë tjetër, “s’vinin e s’vinin, e s’erdhën kurrë” shtrin pritjen për vite, deri te fjalia në kllapa (E kthyemja brenda nji arkivoli, s’ishte kthim!)  Kjo fjali ka pamjen e një sqarimi anësor dhe forcën e një kulmi lirik. E njëjta rrënjë “e kthyemja” dhe emri në trajtë të pashquar “kthim” mban dy kuptime që përplasen: trupi sillet në shtëpi, ndërsa rikthimi i njeriut të pritur (i gjallë) bëhet i pamundur. Historia kalon nga lajmi te shtëpia dhe nga shtëpia te trupi; frika dëgjohet në shkallë, pritja zgjatet në ritëm dhe humbja përqendrohet te një fjalë që përsëritet me kuptim të tjetërsuar.

Trupi që flet, fjala që kthen drejtimin

Te poezia Trup që flet, ndryshimi nis me ndarjen shpjeguese “Para teje” dhe “Mbas teje”. Fillimisht, trupi është “veç vendbanim”, hapësira ku jetonte subjekti lirik. Pas “Mbas teje, diçka u përmbys”, vjen nyja: “Trupi m’u ba gjuhë e nisi me folë edhe pa mu”. “Edhe pa mu” i jep trupit një nismë që i paraprin formulimit të vetëdijshëm të dëshirës, duke shprehur diçka që shpjegimi kronologjik vetëm e kishte përgatitur.

Në poezinë “Fjalët”, një kthesë e ngjashme ndodh me mjete fare të afërta me prozën: “Fjalë që ta kanë ndërrue drejtimin e jetës pa ta ndërrue udhën!” “Drejtimi” dhe “udha”, shpesh të përdorura me kuptime të afërta në të folur, ndahen me prerjen e vargut: udha e dukshme mund të mbetet e njëjta, ndërsa një fjalë e dëgjuar ndryshon kahun e brendshëm të përvojës.

Te poezia E lirë, ligjërimi merr formën e një dëshmie. “Po. Edhe kurvë m’kanë qujtë” sjell në poezi fjalën me të cilën të tjerët kanë dashur ta përcaktojnë subjektin lirik, ndërsa përsëritja e “nuk kam leju”, “S’kam pranu” dhe “S’jam ulë” rendit vendimet e saj, deri te shprehja lapidare me nyje lirike “Me thonj kam çelë udhë kur m’janë mshelë…”. Pohimi me “Me thonj” i jep qëndresës përmasë trupore dhe e bën të përfytyrueshëm mundin e dëshmisë; në fund të librit, liria merr peshën e një udhe të hapur me dorën e vet.

Në vend të përfundimit: atdheu kohor

Në mbylljen e poezisë Ne ishim ndryshe, autorja shpjegon pozitën e brezit të saj, tepër të vjetër për të jetuar në botën e re dhe tepër të rinj për të vdekur me të kaluarën, vargu e emërton humbjen si mërgim në kohë. Pas urave të djegura dhe stacioneve të braktisura, shpjegimi përqendrohet te një fjalë: “Si njerëz që s’kanë ma atdhe kohor.” Mbiemri “kohor” i jep humbjes së një epoke peshën e humbjes së një vendi: një brez mund të jetojë në të njëjtën hapësirë dhe të mos e ketë më botën që i përkiste. Prej këtij vargu, refreni “Ne ishim ndryshe, syni jem” dëgjohet sërish ndryshe vetë e vërteta e një brezi, që merr tonin e një kërkese intime për dikë me të cilin ajo kohë ende mund të kujtohet.

Aty shihet deri ku shkon alkimia poetike e autores Dabishevci: mjafton një fjalë, një folje apo një prerje vargu që i gjithë rrëfimi i mëparshëm të ndryshojë peshë, duke ruajtur deri në fund zërin e njeriut të saj: të afërt, të përkorë dhe të pashkëputur nga përvoja e jetuar.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ilir Sefaj: Vargu i Donika Dabishevcit, manifest poetik për dinjitetin e grave