Rita Petro shpallet “Poete Laureate” për vitin 2025

Rita Petro u shpall “Poete Laureate” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në ceremoninë e zhvilluar sot.

Përzgjedhja u bë nga një juri e kryesuar nga Primo Shllaku, me anëtarë Ymer Çirakun, Aleksandër Çipën, Majlinda Ramën dhe Koloreto Cukalin.

Rita Petro është poete, botuese dhe publiciste. Ajo u shfaq në letërsinë shqipe në vitet ’90-ta dhe është bërë një nga zërat më të dallueshëm të poezisë bashkëkohore, veçanërisht për trajtimin e drejtpërdrejtë të temave që lidhen me trupin, identitetin, marrëdhëniet njerëzore dhe përvojën personale.

Poezia e saj karakterizohet nga një gjuhë e qartë dhe shpesh provokuese, që ka nxitur debat kritik dhe publik, sidomos me librin “Vrima” që bëri bujë.

Përveç krijimtarisë poetike, Rita Petro ka qenë aktive në jetën kulturore si botuese dhe organizatore veprimtarish letrare, si dhe në debatin publik mbi çështje sociale dhe kulturore. Ajo është autore e disa vëllimeve poetike dhe ka pasur një prani të vazhdueshme në skenën letrare shqiptare gjatë dekadave të fundit.

Shpallja e saj si Poete Laureate 2025 vjen si një vlerësim institucional për një krijimtari të njohur dhe me ndikim në poezinë shqipe bashkëkohore.

Titulli “Poeti Laureat” është vlerësimi më i lartë profesional që i jepet një shkrimtari për kontribut në fushën e poezisë në Shqipëri.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA KËNGËTARI I NJOHUR, CHRIS REA