Shemsi Krasniqi: Afria me Afrikën

Shemsi Krasniqi

Nga Shemsi Krasniqi

Në kohën kur kam qenë fëmijë, më saktësisht në dimrin dhe pranverën e vitit 1971, Afrika gati m’i pat luajtur mentë prej kreje! Në të vërtetë, ajo më ka pasuruar shumë shpirtërisht, ma ka shtuar dijen dhe ma ka zhvilluar kurreshtjen, imagjinatën dhe fantazinë, për çka jam shumë mirënjohës. Mbresa të thella m’kanë mbetë vrragë n’kujtesë, prej kohës kur babai im pati shkuar në Kampala të Ugandës, për të punuar atje, në atë vend të largët e të panjohur për neve atëherë. Kujtimet e asaj kohe i kam rrëfyer në tregimin “Frika nga Afrika”, publikuar në ObserverKult(https://observerkult.com/shemsi-krasniqi-frika-nga-afrika-1971), kurse tash po rrëfej për përshtypjet nga vizita ime që bëra atje, mu në vendin ku ka punuar, në hotelin të cilin e ka ndërtuar, te lisi pranë të cilit është fotografuar, në tregun në të cilin ka blerë dhe te xhamia në të cilën është falur. Nëse si fëmijë, kam pasur frikë nga Afrika, sot ndiej një afërsi me të, kam një përvojë familjare dhe personale, një kujtesë të pashlyer, një ndjenjë dashnie dhe respekti për të. Me paratë e fituara atje, babai im e pat ndërtuar një shtëpi të re në katund, shtëpinë në të cilën kam jetuar rrafsh tridhjet vjet, kam kaluar çaste të hareshme të rinisë, shtëpinë në të cilën kam filluar jetën martesore dhe jam bërë prind, shtëpinë në të cilën tash po kaloj çaste të lumtura të gjyshërisë, pra atë shtëpi të kujtimeve dhe dashnisë së pasosur. Prandaj Afrikën, simbolikisht e kam edhe shtëpi, e kam kujtesë fëmijërore, eksperiencë jetësore, e kam zemër dhe shpirt…!

Tash kur jam afër përmbylljes së karrierës, Afrika po vazhdon të ma pasurojë më tej përvojën time jetësore. Në këto tri-katër vjet diplomaci, me saktësisht përfaqësim të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, më ra t’i vizitojë disa shtete të atij kontinenti dhe të takohem me përfaqësuesë të tyre në këtë organizatë. Jo vetëm formimi im, por sigurisht se edhe kujtesa e hershme për Afrikën, sidomos rrëfimet e bukura të babait, më kanë shpëtuar nga paragjykimet, por edhe ma kanë shtuar dijen dhe dashurinë për të. Për shkak të Afrikës, e kam mësuar më mirë edhe gjeografinë e botës. Qysh në klasën e tretë, akoma pa filluar ta mësojë këtë lëndë në shkollë, i mësova emrat e disa shteteve afrikane dhe të kontinenteve të botës. Me gjasë, Afrika ma ka mbjellur edhe kurreshtjen për natyrën, për kulturat dhe qytetërimet, madje edhe pasionin për të udhëtuar.   

Kaherë e kam pasur ndërmend të vizitojë Ugandën, përkatësisht kryeqytetin e saj Kampala, vendin ku ka punuar babai im, por kjo ide m’u përforcua veçanërisht kur publikova shkrimin “Frika nga Afrika”. Një shkrim tjetër, “Udhëtim e përjetim”, po ashtu i dedikohet udhëtimit në Afrikë dhe është njëfar krahasimi mes udhëtimit në Ugandë, në vitin 1971, me udhëtimin tim në Kamerun, në vitin 2023. Edhe shkrimi i tashëm ka të bëjë me Afrikën, por më shumë me një udhëtim privat, me rastin e një udhëtimi zyrtar. Udhëtimi zyrtar ishte pjesëmarrja ime në sesionin e 132-të të Këshillit të Përhershëm të Frankofonisë (CPF), në cilësinë e shefit të delegacionit të Kosovës dhe pastaj në sesionin e 46-të të Konferencës Ministrore të Frankofonisë (CMF), në cilësinë e anëtarit të delegacionit. Këto dy sesione u mbajtën në Kigali të Ruandës, më 18, 19 dhei 20 nëntor 2025. Në të parën isha me kolegun tim nga Ambasada e Kosovës në Paris, z. Arbër Maliqi, një diplomat i ri dhe shumë i talentuar, me të cilin ndajmë zyrën e përbashkët, kurse në të dytën, ishim ne të dy, por shef i delegacionit ishte z. Bardhyl Dobra, Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, një frankofon dhe anglofon i përkryer, fjalimi i të cilit la përshtypje shumë të mira.

Udhëtimi privat është shkuarja në Ugandë, pas përfundimit të konferencës në Ruandë, me qëllim për t’i ndjekur hapat e babait, për të parë vendin ku ka punuar, për të qëndruar pikërisht në hotelin të cilin e ka ndërtuar, për ta bërë pra një paralele dhe përvojë jetësore unike e të papërsëritshme, për të përmbushur një kërshëri të përhershme me të cilën jam rritur e bërë burrë, për të rikthyer simbolikisht praninë ime familjare atje, dhe për më tepër, për të ndier erën e tij dhe të shpirtit të tij atje. E ndiej një afërsi me Afrikën…!

Për planin tim për të shkuar në Ugandë, e pata njoftuar Arbërin më herët. I pata treguar edhe arsyen përse dhe atij i pat pëlqyer. Një ditë prej ditësh Arbëri më tha: “Shemi, nëse nuk të pengoj, do të isha ardhë edhe unë me ty në Ugandë. Pse të mos e shfrytëzojë rastin të vizitojë edhe një vend tjetër afrikan?” U ndiva shumë mirë për këtë dhe menjëherë ia ktheva: “Arbër, jo që nuk më pengon, por gëzohem shumë nëse vjen edhe ti”.  Dhe në të vërtetë ashtu ishte, sepse duke e pasur koleg dhe mik të mirë, pastaj duke njohur mirësjelljen dhe sensin e tij për bashkëpunim, e sidomos zgjuarësinë dhe shkathtësitë e tij, e dija se shumë më lehtë e më mirë do ta kem edhe unë. Pastaj ajo pyetja e moçme e babait, ‘A e ke naj shoq me vete’,që rëndom ma bënte sa herë që nisesha për ndonjë udhë, në këtë rast do të merrte përgjigjen ‘Po’. Sa herë që udhëtoja me dikë, ai ndihej më rehat. Babai ka pasur besim në miq, sikurse edhe në drejtësi.

Javën e parë të nëntorit, aplikuam për vizë, kurse Arbëri ia bëri një Notë verbale Ambasadës së Ugandës në Paris, me të cilën e njoftoi për planin tonë për të vizituar Kampalan, prej 22 deri 24 nëntor 2025. Më 11 nëntor, morrëm konfirmimin se kërkesa jonë për vizë është aprovuar. Ndjenjë e bukur, fantastike, fenomenale! Përnjëherë mu kujtua gëzimi i madh që ndienin të rinjtë tanë kur merrnin vizë Schengen. Me vete thash: ata dikur gëzoheshin kur merrnin vizë për Gjermani ose për Zvicërr, e unë tash po gëzohem që morra vizë për Ugandë! Por në të vërtetë, gëzimi im ishte i natyrshëm, sepse shkoja në një vend, të cilin duke e mbajtur mbi pesëdhjet vjet në kujtesë, mu kishte bërë më shumë si një vend imagjinar, sesa real. Kjo për mua ishte një ëndërr, ishte ndjenjë e veçantë, një lloj misioni, një përkushtim, një nderim dhe përkujtim krejt ndryshe për babain në 20-vjetorin e kalimit tij në amshim. Kjo për mua Ishte njëfar udhëtimi shpirtëror, më shumë sesa fizik, një udhëtim në kohë, më shumë sesa në hapësirë, një prekje me dorë e tokës të cilën ai e kishte shkelur me këmbë. Ishte ky njëfar pelegrinazhi, një takim simbolik me jetën, trupin dhe shpirtin e tij …!

Tashmë që u bënë hapat e parë drejt realizimit të kësaj ëndërre, në kokë më silleshin tyrli mendimesh, aso që kapnin e bashkonin skaje të largëta të biografisë sime. Mendoja për trajektoren e jetës nëpër dekada dhe momentet e dhimbshme dhe krenare të saj. Mendoja për njerëzit e dashur që nuk janë më… Më vinin në mendje shumë gjëra dhe ngjarje, shumë ide dhe dëshira, shumë pyetje dhe dilema… A do të arrijë t’i gjejë gjurmët e babait atje, të flejë në hotelin të cilin e ka ndërtuar, të gjejë lisin tek i cili është fotografuar, t’i gjejë në treg gjërat e njëjta të cilat i ka blerë; pastaj, t’i shohë pamjet të cilat i përshkruante, ta ndiej shpirtin afrikan të cilin e kishte ndier ai, e të cilin e çmonte shumë. Reflektoja për vetën time dhe bëja krahasime tash me atëherë. Atëherë isha fëmijë 10 vjeç e tash burrë 64 vjeç; atëherë isha në klasën e tretë të shkollës fillore, tash në vitet e fundit të karrierës profesionale; atëherë isha nxënës i fillores, tash profesor shumëvjeçar i universitetit, e së fundi edhe përfaqësues shteti në Frankofoni, atëherë që as n’Prishtinë ndoshta kurrë s’kisha qenë, e tash në të katër anët e botës, madje njëherë, me një guri të Kosovës me vete, iu pata sjellë botës rreth e për qark saj.

Mendoja se si u bë që t’i kem ruajtur të freskëta kujtimet e asaj kohe!? Sigurisht se në rend të parë, kanë ndikuar emocionet e forta që i kam pasur atëherë, sepse ishte një ngjarje krejt e veçantë dhe në rrethin ku jetoja nuk i gjendej dot analogjia. Peshën e saj e shihja edhe te mysafirët e shumtë që sipas zakonit, vinin e shihnin para se të nisej për udhë. Shkuarja e tij në atë vend të largët e të panjohur, për ne ishte një ndarje për s’gjalli prej tij, një “mbetje” pa të! Një frikë sundonte n’thellësitë e shpirtit…! Ngjarja ka mbetur e pashlyer n’kujtesë, sepse më ka prekur në imagjinatë, në fantazi, në mendje dhe në zemër. Arsyeja tjetër mund të ishte edhe fakti se kushdo që vinte mysafir te ne, edhe shumë vite pas kësaj, kërkonte prej babait t’i rrëfente përvojën e tij atje. Ai rëndom rrëfente bukur, me ritëm, me stil, me një zë të ëmbël dhe me përshkrime të bukura e interesante. Kam mbajt mend shumëçka, por një gjë që nuk e harroj kurrë ishte se gjithmonë fliste me admirim për shpirtin afrikan, si një shpirt i çiltër, i hareshëm dhe natyral. Veshjet gjysmëlakuriq, vallëzimet drithëruese, mënyra e jetesës, ushqimi, miqësia dhe humori i tyre, i kishin lënë shumë përshtypje.

Arsye tjetër për kujtesën e freskët të asaj kohe, mund të jenë vetë gjërat që i pat sjellur prej andej dhe që akoma edhe sot janë pjesë e mjedisit tonë familjar. Radiokasetofoni “Hitachi” dhe fotoaparati me ngjyra, i markës “Woigtländer”, patën bërë diferencë të madhe jo vetëm në krahasim me të kaluarën tonë, por edhe fqinjëve tanë. Ato aparate, siç pata thënë edhe në shkrimin e mëparshëm, patën bërë revolucion në familjen tonë. Falë atij radiokasetofoni, te ne mblidheshin fqinjë, pleq e të rij, për t’i dëgjuar këngët e programit muzikor të mbrëmjes; kurse falë atij fotoaparati, sot kemi një arkiv familjar me foto të vjetra mbi pesëdhjet vjet. Pikturat që i pati sjellur, po ashtu ishin risi atëherë dhe përveç dy prej tyre, tjerat kanë mbetur të pakornizuara, derisa e bëra muzeun familjar, i kornizova edhe ato dhe i vura në muri. Perlat prej farës së bimës Larme de Job, po ashtu kanë ndejtur të paprekura prej asaj kohe, në qesen e njëjtë, derisa në pandeminë COVID-19, kur punoja në ciklin “Artefakte”, i përdora disa për t’i paraqitur dritat e syve të portreteve ose figurave të kafshëve që i bëja. Domethënë, në atë cikël punimesh të bëra me objekte të thjeshta familjare dhe me suvenire nga kontinente të ndryshme të botës, Afrika përfaqësohej me sy. Disa ditë para nisjes, derisa isha në Prishtinë, e luta Vlerën që të ma bëjë një rreth dore ose byzylyk me ato perla. Ajo ma bëri dhe unë e vura në dorë dhe e morra me vete. Kësisoji ndodhi që disa nga perlat e viteve 70-ta u rikthyen sërish në “atdheun” e tyre, në Ugandë, sa për një “vizitë” të shkurtër. Afrinë me Afrikën duhet dëshmuar.

Më 12 nëntor shikuam opsionet e rezervimit të hotelit në Kampala. Për mua, fillimisht nuk ishte e domosdoshme të flija në Serena, hotelin me pesë yje të cilin e kishte ndërtuar babai. Mendoja se do t’më mjaftonte të bëja një vizitë aty, të haja një drekë, të pija një kafe, ta shihja me sy dhe ta fotografoja. Por më vonë filloi të më thërras mendja: përse të mos e shfrytëzoj rastin e të flejë në atë hotel? Ndoshta babai im ka punuar pikërisht në dhomën në të cilën do të flija unë! Me që merrej me rezervimet, e luta Arbërin që natën e parë të flejmë diku afër aeroportit, sepse edhe ashtu do të mbërrijmë vonë, kurse të dytën në Serena. I thash se pa keqkuptim, por gjysmën e çmimit ta paguaj unë, sepse ç’është e vërteta, ishte pak shtrejtë dhe më vinte keq t’i bëja shpenzime. “Jo, jo” – tha, “kjo nuk vjen në konsiderim!”. Pastaj ia ktheva si me humor “Këtë e bëjë me shumë kënaqësi, se ai është hoteli jem more! Baba ma ka maru, veç hala s’e kam privatizu.” Arbëri qeshi, por prej këtij humori reflektohej një lidhje personale dhe emocionale e imja me atë hotel, të cilin e kisha parë vetëm në fotografi. “Po frikohem se pastaj i bie pishman pse nuk kam fjetë aty, prandaj ma mirë është ta shfrytëzojë këtë rast, e të mos pendohem masandej!” – i thash. Ok, shofim e ia bëjmë si është ma smiri. Eshtë e kuptueshme, sepse fundi i fundit për atë hotel po shkojmë atje”- më tha ai. Më pëlqeu shumë lehtësia e mirëkuptimit të tij dhe isha i sigurtë se përvojë interesante do të ndajmë së bashku. Pas pak e bëri rezervimin dhe ashtu u bë: natën e parë do jemi afër aeroportit, të dytën në Serena. Një drithërimë n’shpirt e ndiva …!

Të hënën në mëngjes, më 17 nëntor 2025, nga aeroporti i Brukselit u nisëm për Kigali. Aeroplani u nis dhe shumë shpejt e kaloi pjesën kontinentale të Evropës për të hyrë pastaj në zonën e Mesdheut. Nganjëherë më vinte një ndjenjë çudie kur e dija se ku do të shkojë, por gjithmonë i thërrisja mendjes. Isha i sigurtë se jam duke e rikthyer një kujtesë familjare gjysmëshekullore, e ndoshta edhe duke e rikrijuar një tjetër, e cila mund të jetë edhe shekullore, jo pse ka ndonjë vlerë publike ose univerzale, por pse shkrimi dhe digjitalizimi e bëjnë të vetën. Ndoshta kujtesa për udhëtimin tim do t’ia zgjasë jetën edhe kujtesës për udhëtimin e babait dhe ndoshta do ta përcjellë atë edhe te brezat e ardhshëm. Gjërat, sikurse edhe ngjarjet, janë të lidhura mesveti, janë të pashkëputshme dhe ne gabojmë nëse nuk e njohim këtë veti të tyre.

Në orën 18h:05 minuta, aeroplani iu afrua hapësirës ajrore të Ugandës. S’di pse, por si një radar trupi ma ndjeu afërsinë me atë vend. Në orën 18h:10, tashmë ishim në hapësirën ajrore të Ugandës. E bëra një screenshot. Kishte mbetur më pak se një orë deri në destinacion. Në 18:15 praktikisht ishim në vijën ekuadoriale të planetit. Ishte hera e parë që po kapërceja nëpër atë vijë. Një screenshot tjetër e bëra. Në 18:36 ateruam në Airoportin e Kigalit. Pritja në aeroport dhe ajo në hotelin i cili po ashtu quhej Serena, qe mjaft e mirë.

Të nesërmen, në Qendrën e Konferencave të Kigalit, një ndërtesë e bukur dhe madhështore, filloi sesioni i CPF-së dhe çdo gjë kaloi bukur. Të pasnesërmen filloi sesioni i CMF-së dhe gjithashtu çdo gjë shkoi bukur, si në hapje, si gjatë punimeve, si në mbyllje. U ndiva mirë sepse, përveçse Kosova u përfaqësua në mënyrë dinjitoze, aty u aprovua edhe dokumenti “Thirrja e Kigalit(“Apel de Kigali”), i hartuar nga një grup punues, pjesë e të cilit kam qenë edhe vet. Delegacioni ynë morri pjesë edhe në disa aktivitete tjera në margjinat e kësaj konference dhe po ashtu kaluam bukur. Në fund vizituam Memorialin e Gjenocidit në Kigali (Kigali Genocid Memorial) dhe bëmë homazhe për viktimat e gjenocidit në Ruandë. E ndiem dhimbjen e thellë për atë tragjedi njerëzore. E pamë edhe ngjashmërinë me atë që ka ndodhur te ne 26 vite më parë. Me Afrikën kemi edhe dhimbje të përbashkëta.

Mbërrijtja në Aeroportin Entebbe, Ugandë, 22 nëntor 2025

Të shtunën më 22 nëntor 2025, në orën 19h:50, unë dhe Arbëri mbërrijtëm në Aeroportin Entebbe, në Ugandë. Nisja, fluturimi dhe aterrimi, që të triat për mua qenë momente prekëse! Çasti kur dola nga bordi i avionit e po zbrisja shkallëve, më dukej si një çast solemn, si një ardhje në një vend të dashur, pas një kohe të gjatë. E ndieja se po shkelja në tokën të cilën e kishte shkelur babai im gjysëm shekulli më parë. E shihja se më në fund erdha në vendin që dekada me radhë ka qenë pjesë e kujtesës personale dhe familjare. E luta Arbërin që të ma bëjë një foto nga ai çast dhe ai m’i bëri tri. Isha i ngazëllyer, por pa i kaluar procedurat kufitare, akoma nuk isha krejtësisht i sigurtë se plani im do të realizohet. Kalimi i kontrollit kufitar ishte çasti i ngazëllimit të vërtetë. Tashmë e dija saktë se erdha në Ugandë.

Kaluam në pjesën e pranimit të bagazhit dhe derisa Arbëri po priste për valixhen e tij, unë u lidha me internet dhe iu bëra Teutës e Kronit mesazh: “Mbërrijtëm mirë në Ugandë. Të fala”. Kroni, i cili kishte qenë vetëm me Nikun në shtëpi, ma ktheu me video-thirrje. Kjo përnjëherë ma solli n’kujtesë letrën e parë të babait. Pra tash prej asaj Afrikës së largët, siç e imagjinoja dikur, tash po e shihja djalin tim, nipin tim, shtëpinë time! Ja se çfarë ndryshimesh kanë ndodhë: atëherë komunikohej me letra të shkruara me pak rrjeshta, por që në zarfin e tyre mund të futej edhe ndonjë foto, kurse tash me video-thirrje! I bëra disa screenshot nga biseda me Kronin, gjithnjë duke rikujtuar atë letrën misterioze dhe gëzimplote që na pat ardhur nga ky vend i largët; atë letrën e shkruar me rrjeshta të pjerrët, me shkronja çirilice dhe me fjalë shqipe, të futur në zarfin për avion dhe të stampuar me një pullë postare ugandeze; atë letrën që pat mbërrijtur tek ne, diku pas dy-tri javësh apo një muaji, por që si një dhuratë qiellore, na e riktheu gëzimin, shpresën dhe sigurinë.

Palm Hotel (EPH), Entebbe, 22 nëntor 2025

Në pikën e pritjes në aeroport, kishte dalur taksisti që na priste për të shkuar në Entebbe Palm Hotel (EPH). Mbërrijtëm në hotel dhe menjëherë e bëra pagesen e dhomës për të dytë. E luta Arbërin që të më mirëkuptojë, sepse: “Po dua të paguaj, thjesht për shpirt t’babës!” Atëherë ai pranoi dhe më tha: ”Ok, pasi po thua për shpirt t’babës.” Përndryshe hoteli ishte një shtëpi e thjeshtë që gjendej në një fshat. Apartamenti kishte dy dhoma dhe një banjo, kurse dyert kërcisnin sa herë që hapeshin e mbylleshin. Të nesërmen shkuam në restorant për të ngrënë mëngjesin. Restoranti ishte një shtëpi tradicionale, me kulm të mbuluar me kashtë. Kishte dysheme betoni dhe shumë tavolina, kurse në kulm kishte flamuj të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe atë të Amerikës dhe Rusisë. Ushqimi ishte i mirë.

Pasi që erdhi taksi u nisëm për Kampala. Rrugës u gëzova shumë kur e pash Liqenin Viktoria. Më dukej e pabesueshme! I thash Arbërit: “A e sheh këtë liqen, emrin e tij e kam ditë qysh në moshën 10 vjeçare!”. Pikturat e sjellura nga babai përmbanin motive prej këtij liqeni. Në to duken njerëz me kajakë, shtëpi tradicionale, palma dhe zogj. Palma dhe zogj pamë edhe tash, por kajakë jo. Edhe shtëpitë tashmë ishin transformuar në moderne, edhepse kishte edhe të thjeshta, me mbulesa llamarine, kishte aso të tipit barakë, pastaj dyqane dhe punëtori të tipit kiosk etj. Në pjesën e qytetit nga erdhëm, vrehej se kishte mungesë asfalti dhe infrastrukture, dendësi njerëzish dhe veturash, e sidomos prani enorme skuterësh që shërbenin si taksi, por që dukeshin si në gara motociklizmi. Për luhatjet tona për shkak të gropave në rrugë, taksisti tha se ky është njëlloj “masazhi” afrikan. Sikur nuk e dinte se këtë lloj “masazhi” e kemi të njhur shumë mirë edhe ne.

Hotel Serena, Kampala, 23 nëntor 2025

Në mesditë mbërrijtëm në hotel Serena. Në çastin e mbërrijtjes pata emocione. Te porta kryesore na ndaloi rojtari dhe na shikoi në fytyrë. Kur më pa mua, buzëqeshi. Iu thash me humor se po më njeh. Arbëri dhe taksisti qeshën. E njëjta gjë ndodhi edhe kur dolëm nga vetura. Edhe zyrtari i hotelit që na priti në hyrje, kur më pa, po ashtu buzëqeshi. Atëherë edhe njëherë iu thash, a e shihni se të gjithë po më njohin! Një parandjenjë e bukur …!

Hotel Serena, Kampala, 2025

Filluam me procedurën e cheek-in-it në recepcion. Pas pak, Arbëri me anglishten e tij të rrjedhshme, i tregoi recepcionistes për historinë e babait tim që kishte punuar këtu 50 vjet më parë dhe për arsyen për çka kishim ardhur. “Aaaah! E vërtetë! Shumë interesante!” –  u çudit ajo. “Po” – thash, “në vitin 1971, babai im ka punur katër muaj këtu. Ka punuar në ndërtimin e këtij hoteli dhe unë i kam fotografitë me vete dhe tash ju tregoj”. I nxora fotot e printuara dhe ia tregova. “Oooooh!” – u çudit shumë kur i pa. Menjëherë filloi t’iu tregojë kolegëve tjerë. Njëri prej tyre tha se çudi si i ke ruajtur, sepse ne në Afrikë nuk i ruajmë kështu fotografitë. Ia tregova edhe perlat që i mbaja në dorë dhe i thash se edhe këto janë prej asaj kohe. E pash se vërtetë u çuditën të gjithë, por edhe unë kisha emocione. E thirrën edhe shefin kryesor. Ai erdhi dhe na përshëndeti. Ia shpjeguam edhe atij, por me ndihmoi Arbëri, sepse tashmë emocionet nuk më lenin të flisja. E paramendoja babain tim duke punuar n’atë vend. I shikoja muret, tavanin, dyshemenë, shtyllat dhe e imagjinoja atë këtu. Megjithatë sërish e morra vetën dhe ia tregova fotot edhe atij.  U çudit shumë edhe ai dhe na tha se a mund te dalim së bashku për drekë dhe të bisedojmë më hollësisht lidhur me këtë. Po i thash me shumë kënaqesi dhe ua tregoj krejt historinë.

I pyeta se a mund ta gjejë drurin që po duket në këtë foto. “Oh, ka ndryshuar gjithçka këtu. Tash nuk është më si dikur dhe nuk besoj se ai dru ekziston akoma” – tha recepcionistja. Megjithatë, dolëm jashtë për të shikuar vendin, sepse përveç kurreshtjes, e kisha edhe parandjenjën se do ta gjeja aty. Dhe në të vërtetë ashtu doli. Diku rreth tri-katërdhjet metra prej hyrjes, në parkun e hotelit, vërejta katër drunjë të mëdhenjë, të gjithë rend në një vijë dhe me trung të përhimtë, ashtu si në foto. Vetëmevete thash, njëri prej tyre duhet të jetë! Jo vetëm pamja e lëvozhgës, por edhe trashësia e trungut, duke llogaritur edhe vitet që kanë kaluar prej atëherë, përputhej me foton, por edhe vendodhja e tyre në raport me vendpunishten e atëherit, po ashtu. I thash Arbërit sigurisht se aty duhet të jetë. Atëherë shkuam te secili për ta identifikuar saktë në bazë të pamjes në foto. Dy të parët i kaluam shpejtë, sepse asnjërit nuk i përputhej pamja e trungut me pamjen në foto. Njëri ishte pak sa I zgavëruar e tjetri i shtrembër, kurse te i treti u ndalëm pak më gjatë. Dukej se jo vetëm forma e drejtë e trungut, por edhe pozita në raport me objektin në prapavijë, po përputhej me pamjen në foto. Ishim pak si të shtangur nga pritja e kësaj t’papriture! Tashmë ishim të pajtimit se ai ishte druri që dukej në foto. E gjetëm! Atëherë, plot mallëngjim iu hodha në përqafim! E shtrëngova me të dy duart dhe me faqen mbi të, e natyrshëm edhe me një gulshimë n’fyt, vaj n’buzë e lot n’sy. Më dukej sikur po e përqafoja një njeri të dashur, e jo një dru. Më dukej sikur po e përqafoja babain tim, që po më shihte dhe po e dinte se ku jam dhe çka po bëj! Më dukej se po e ndieja praninë e tij dhe të shpirtit të tij aty. Më dukej sikur po e ndieja forcën, mençurinë dhe mirësinë e tij, humorin, optimizmin dhe krenarinë e tij. Disa foto m’i bëri Arbëri, por dhe Cliff, i cili vazhdimisht thoshte: “Oooooh, this is something special! Very special! Very, very emocional! We never seen this!”

Kampala, 1971 dhe 2025

Menjëherë pas kësaj, kërkova prej Arbërit ta ribëjmë foton e babait ulur pranë këtij druri, së bashku me shokun e tij, për aq sa më kujtohet emri, Osmanin nga Gllogovci i Lipjanit. Unë e morra pozicionin kambëkryq me duar të vendosura mbi gjunjë, njësoj si ai dikur, kurse Arbëri pozicionin e njëjtë si të Osmanit dhe ashtu i bëmë disa foto. Cliff na fotografoi disa herë.Pastaje pyeta për emrin e drurit, por nuk e dinte, e ai pastaj i pyeti disa persona tjerë që erdhën aty dhe të cilëve ua shpjegoi historinë. Njëri prej tyre më tha se druri quhet ‘Moutoma’. Në të vërtetë, sipas pamjes së lëvozhgës, trungut dhe gjethit, ishte një lloj ahu.  

U kthyem në hotel duke komentuar me Arbërin atë që ndodhi. Ishim të tronditur prej emocioneve, habive dhe befasive. Ishte kjo diçka unike, si për vetë neve, ashtu edhe për personelin e hotelit. “Pate një energji pozitive dhe i përvetësove shpejtë!” – më tha. “Po, vërtetë se u çuditën të gjithë, por çdo gjë ishte spontane, e sinqertë, e natyrshme. E vërteta flet vetë” – I thash. Me të vërtetë ishte kjo njëfarë empatie, njëfarë solidariteti dhe shkrirje mes neve dhe atyre. Na pritën me shumë dashamirësi, me shumë mirëkuptim dhe mirëbesim. Madje u treguan shumë falenderues ndaj neve që kishim ardhur. Iu dukej se iu kemi bërë nder të veçantë me këtë vizitë.

Pas kësaj dolëm për të shetitur në qytet. Papritmas, në një park jo shumë larg hotelit, e pash një statujë e cila përnjëherë ma riktheu në kujtesë imazhin e gruaje të mbështjellur për një druri, ashtu siç më kujtohej nga foto e një kalendari të asaj kohe që e kam përshkruar në shkrimin “Frika nga Afrika”. Kur iu ofruam e kuptova se bëhej fjalë për Monumentin e Pavarësisë. I bëmë disa foto edhe aty. U ngazëlleva përsësi, sepse e rigjeta një imazh të humbur kaherë, por të mbetur në kujtesën time përherë.

U ulëm në një kafiteri dhe u lidhëm me internet. E pashë se matanë rrugës ishte Posta. E morra me mend se prej aty qenka nisur ajo letra e parë që na pat gëzuar shumë. Ia bëra një foto për kujtim. Vazhduam rrugën më poshtë dhe tashmë ishim në një pjesë të qytetit që dukej si zonë tregtare. Kishte shumë njerëz, shumë vetura, shumë dyqane dhe shumë mallra. Frutat dukeshin të freskëta, por tekstili i cilësisë së ultë, kurse hapësira thuajse kaotike. Kudo gra e burra që bartnin gjëra me kokë, e ndonjë edhe me karrocë dore. Dukeshin edhe fëmijë që të ndiqnin mbrapa duke lypur lëmoshë. Kudo shihje posterë me portrete kandidatësh për zgjedhjet qendrore. Ishte fushatë parazgjedhore e presidenti i tyre, tashmë i moshuar, po kandidonte sërish …

U kthyem në hotel duke komentuar pamjet e qytetit dhe duke shprehur keqardhje për nivelin e zhvillimit të Ugandës dhe të Afrikës në përgjithësi. Në raport me Ruandën, Uganda dukej më e varfër dhe ndotja ishte më e madhe. Pasi një ore, dolëm përsëri, por tash për të vizituar xhaminë Kibuli. Ajo gjendej në një kodër qyteti, në një lagje të varfër, diku rreth 40 minuta këmbë. Për të mbërrijtur më shpejtë, hymë në një rrugë tërthore dhe të paasfaltuar. Në çastin kur mbërrijtëm, përnjëherë mu rikthye pamja e kartolinës së vitit 1971. Gjithçka dukej njësoj. Edhe pema e vjetër ishte aty, anipse kurora e saj kishte ndryshuar shumë. U ofrova pranë dhe e pash se një degë i ishte thyer e disa tjera ia kishin prerë. Megjithatë, pema e kishte ruajtur bukurinë dhe madhështinë e saj, por edhe dendësinë e kurorës. Hyra nën hijen e saj dhe shikova lartë. E pash se qielli dukej, por dendësia e degëve dhe gjetheve vërtetë ishte shumë e madhe. E madhe po, por më e vogël sesa ajo që duket në kartolinën e viti 1971.

Personi kujdestar i cili ishte aty, na pyeti se a doni të hipni në minare. Ne pranuam dhe ai na drejtoi kah minareja. Hipëm lartë dhe u ndalëm në rrethin e parë. Prej aty arrita ta prekë me dorë një gjeth të pemës së moçme. Ndjeva diçka të veçantë. Mu duk sikur preka diçka të shenjtë, sikur e preka një kohë e jo një gjeth peme! Pyeta se si quhet ky dru dhe çfarë historie ka. Ai më tha se ky është Mango tree dhe se është rreth 100 vjet më i vjetër se xhamia. “Nën hijen e tij është mbajtur mbledhja kur është vendosur të ndërtohej xhamia” – tha ai. Gurëthemelin e kësaj xhamie e kishte vënë Princi Alykhan, më 15 nëntor 1941. Hipëm pastaj edhe në rrethin e dytë dhe bëmë edhe disa foto. Prej andej dukej krejt qyteti Kampala. Edhe për këtë u gëzova, sepse po e shihja me sy qytetin afrikan, emrin e të cilit e kisha mësuar qysh si fëmijë. Dielli po perëndonte dhe pamja ishte e bukur.

I bëmë pastaj edhe disa foto poshtë dhe u nisëm për hotel për të mbërrijtur për dritë. Nga hoteli pastaj iu telefonova motrave të mia, Mirishahut she Shefkijes, jo vetëm për t’i përshëndetur, por edhe për t’iu treguar se ku jam, për ta parë edhe ato praninë time në vendin ku ka punuar babai ynë. U gëzuan shumë për thirrjen, më falenderuan shumë dhe më uruan shëndet e bekim. Shprehën admirim për vizitën time atje dhe më thanë se ti je si ai…! E ndjeva në shpirt dashninë, nderin dhe bekimin e tyre!

Në darkë, dolëm me Arbërin në njërin nga restorantet e hotelit dhe porositëm pica. Arbëri si kurreshtar që është, më bënte pyetje të shumta. Më pyeti për autoritetin e babës, në çka bazohej autoriteti i tij. I thash se ka qenë njeri shumë i mençur dhe i drejtë. Me pikëpamje ka qenë shumë progresiv dhe liberal, sidomos në krahasim me burrat e asaj kohe. Ka qenë shumë i dashur dhe i respektuar për të gjithë dhe e kanë konsideruar si njeriun më të mençur në katund. Ka ndodhë që në shtëpinë tonë, në sofrën tonë, në atë sofër që tash e ruaj si artefakt në muze, kanë hangër bukë bashkë edhe ata që me vite të tëra nuk kanë folur mesveti.

Pijet dhe picat erdhën, kurse Arbëri më bëri edhe disa pyetje prej të cilave dolën edhe disa “ligjërata”. Më pyeti për shkollimin tim. I tregova për ecjet e gjata këmbë kur kam qenë në shkollën fillore dhe për udhëtimin me autobus gjatë shkollës së mesme dhe studimeve. I tregova për pritjet e gjata të autobusit gjatë dimrit dhe për dridhjet e këmbëve si ‘thupra n’ujë’, pastaj për mosardhjet fare të tij dhe për ngushllakun e madh që kisha kur u detyroja të shkojë diku për të bujtë. I tregova për një rast kur pata pritur autobusin nja 5-6 orë kot dhe me në fund u detyrova të shkojë te një shok i imi, i cili atëherë kishte dy fëmijë të vegjël, një djalë dhe një vajzë, e sot ajo vajzë është prorektore e Universitetit të Prishtinës. Ajo është personi që tash së voni më vuri në kontakt me motrën e heroit Afrim Zhitia, fletoren e të cilit e kam ruajtur për 36 vjet me radhë dhe të cilën para disa ditëve ia dhash asaj. I tregova se si i bëra dy kopje të fletores, njërën për vete e tjetrën për prorektoren, në shenjë falenderimi për atë natë dimri që pata bujtë te ta. Terraca ku ishim ulur ishte një kopsht tepër i bukur. E shikonim atë far mrekullie dhe e përjetonim. Bënim foto dhe inçizonim ujin e fontanës, lulet, gjelbërimin, palmat, zërat e zogjve. Arbëri dikur si me humor më tha: “Ti këtu je si n’bahçe t’babës!”. Qeshëm së bashku edhe i thash: “Eh, po, po, shumë mirë e ke. N’midis t’Afrikës, po taman si n’bahçe t’babës!”

Hotel Serena, Kampala, 24 nëntor 2025

Anipse patëm një ditë plot përjetime dhe në mbrëmje ndejtëm gjatë, të nesërmen u zgjova herët. Morra llaptopin dhe shkova poshtë në restoran për të pirë kafe dhe për t’i shkruar përjetimet e ditës së parë. Desha të ulem në një vend ku pamja e hotelit do të dukej e plotë, por edhe kopshti që tash e ndieja si “bahçe t’babës”. Tavolinat që më së miri i plotësonin këto kushte, tashmë ishin nxënë, prandaj mu desh të ulem pak më tej. Porosita një café late dhe kamarieri m’i solli edhe dy kifle gratis. Shkrova pak dhe pastaj shkova përsëri te lisat për ta verifikuar edhe njëherë se a ishte me të vërtetë lisi që e përqafova dje, ai që figuronte në foto. I vështrova edhe njëherë me rend e me kujdes të gjithë dhe u binda se po, ai ishte lisi ku është fotografuar babai. Duke qenë tashmë i sigurtë se aty ka shkelur këmba e tij, e preka tokën me dorë. Afrika preket …

Dikur më thirri Arbëri për tu takuar në recepcion dhe për të bërë check-out. E bëmë me kohë, i lam çantat aty dhe u nisëm për Craft Market. I treguam recepcionistes se ne po shkojmë për të blerë diçka, por nëse shefi juaj do të jetë këtu gjatë ditës, ne do të mund të takohemi me të.

Monumenti i Pavarësisë në Kampala.  Në terrasën e Hotel Serena, 2025.

Shkuam në Craft Market dhe aty afër, një piktor shiste piktura. Kishte me qindra dhe ato ishin me motive të ndryshme. Kishte edhe me motive të njëjta me ato të cilat para gjysëm shekulli i kishte blerë babai, porse dominonin ngjyrat e përfalakura. E nxora telefonin dhe ia tregova fotot e pikturave të vjetra dhe e pyeta se a keni diçka kësisoji. Ai më tha jo, por mund t’i bëjë. I tregova se nuk kam kohë të pres, sepse sot nisemi. E pyeta po ashtu se mos e njihte piktorin T. Kavita, atë që i kishte bërë pikturat e vitit 1971, por nuk e njihte.

Craft Market ishte mjaft i pasur me mallra të ndryshme, si: punime dore, tekstil, stoli, bizhuteri, piktura, skulptura, vegla muzikore, maska, suvenire dhe artefakte të llojllojshme. Isha i sigurtë se këtu do t’i gjeja edhe ato perlat e famshme, që i mbaja në dorë. Shitëset që punonin aty, derisa parakalonim pranë dyqaneve të tyre, çoheshin në këmbë, na përshëndesnin “Hello my friend!”. “Hello, hello!”, “Came hier!” dhe na ftonin për të blerë diçka. Megjithatë, vëmendjen ma tërhoqi një dyqan me disa instrumente muzikore tradicionale. E bleva një që i përngjante lahutës, por që kishte tetë korda, e jo një. Në gjuhën lokale quhej ‘Adungu’. Aty kishte shumëçka tjetër. Ia tregova shitëses byzylykun tim dhe e pyeta se a keni diçka kësisoji? Po, tha, kemi ato janë fara (seeds) dhe menjëherë m’i tregoi vargjet e gjata që kishte me Larme de Job. E pash se vërtetë ishin identitike me ato të vitit 1971. I bleva tri vargje dhe u gëzova shumë që u përmbusha edhe në këtë aspekt…

Bleva edhe disa suvenire tjera, sidomos byzylykë dore për Teutën dhe Vlerën, por edhe për motrat e mia dhe mbesat të cilat gjithmonë ruajnë kujtimet dhe respektin për gjyshin e tyre. Në një dyqan tjetër, bleva një fustan të bukur për Verën dhe një palë veshje sportive për Nikun. Vizituam edhe disa dyqane pikturash, ku i pash dy sosh që përmbanin motivet e pikturave të vjetra, edhepse me ngjyra të përdnezura, i bleva me kënaqësi. Arbëri, po ashtu e bleu një për vete e bërë në stilin impresionist. Për diçka tashmë isha i sigurtë, babai im e paska pas vizituar Craft Market-in e asaj kohe dhe aty i paska blerë perlat dhe pikturat që sot i ruaj në shtëpi. Fotoaparatin dhe kasetofonin nuk kisha idenë se ku ka mund t’i blejë. Në krejt këtë punë, diçka duhet të mbetet peng …!

U kthyem në hotel dhe shkuam në restorant. Pas pak, erdhi menaxheri, ma vuri dorën në krah dhe me tha: “Hello my friend!”. U ul me neve në tavolinë, e unë shkova ta marrë çantën për t’ia treguar edhe njëherë fotografitë. “M’i dërgo se i reprodukoj dhe i vendosi në mure.” – më tha. Ia tregova edhe kartolinën me gratë afrikane duke luajtur vallen “Dingi-dingi” dhe atë me Xhaminë Kibuli, të cilën nuk e kishte parë kurrë. I pëlqyen shumë dhe më tha se edhe këto do t’i reprodukojë. I thash se do t’i dërgojë në watsap të skanuara. Pasi që na tregoi edhe historinë e vet dhe të babait të tij që kishte qenë ambasador i Egjiptit në Ugandë, u çua sepse kishte takim edhe me një grup tjetër. Na falenderoj shumë për vizitën tonë dhe na tregoi se më 10 nëntor të vitit të ardhshm, do ta kenë 20-vjetorin e renovimit dhe se do të kenë shumë mysafirë dhe se do të ishte i lumtur nëse do të vinim edhe ne. E falenderuam shumë për të gjithat, kurse Arbëri ia dha si dhuratë një flamur të vogël të Kosovës. U falenderua shume dhe tha se do ta mbajë në tavolinën e zyres. Pas pak erdhi mesazhi prej tij: “Ishte vërtetë kënaqësi që ju takova dhe pres të mbesim në kontakt. Rrugë të mbarë!”

Ndejtëm në hollin e hotelit për të pritur orën 8h:00 të mbrëmjes, kur sipas marrëveshjes do të vinte taksi për të na çuar në aeroport. Me njërin nga punëtorët e hotelit bisedova për dëshirën time për të rikrijuar foton e babait ku duket së bashku kolegët e tij afrikanë. Dolëm te porta dhe ai shumë shpejtë i mblodhi pesë-gjashtë veta, kolegë të tij. Unë u pozicionova mes tyre, ashtu si babai im në foton e vet, ku verehet se me dashamirësi ua kishte vënë duart në krah dy vetave. Ashtu bëra edhe unë dhe u gëzova shumë edhe për këtë.

Para hyrjes së Hotel Serena, Kampala, 1971 dhe 2025.

Derisa po prisnim, bisedonim me Arbërin për shumë tema. Meqë tashmë i blemë pikturat, ra tema për artin dhe kiçin. I tregova se është në pyetje kujtesa familjare dhe paralelja historike që po dua ta krijojë, se për ndryshe, pikëpamjet dhe preferencat e mia për artin janë tjera. Folëm pastaj për unikalitetin, origjinalitetin, kreativitetin por edhe për serialitetin, reprodukimin, imitimin, komercializimin e shumëçka tjetër që ka të bëjë me këto fenomene kulturore e artistike. Pas një kohe u takova edhe njehere me Cliff-in e recepcionit, i cili u ndal dhe me pyeti: “Si po kalon?” I thash: “Tepër mirë! Si në shtëpinë time. Faleminderit shumë për mikpritjen!”. “Oooh” – tha, “këtu je në shtëpinë tënde. Po ta kishim ditur më herët këtë histori, nuk do të lënim fare të pagush”. I thash: “Shumë faleminderit për këtë dhe kjo për mua është njësoj, si të mos kisha paguar fare. Unë nuk kam dashtë ta keqpërdori këtë përvojë dhe kujtim të bukur familjar, kështu që këtë herë kam ardhur veç sa për të parë vendin ku ka punuar babai im, e herën tjetër shpresoj të vijë me krejt familjen”. “Eja” – tha, “kur të duash, edhe rri më gjatë, sepse këtu je në shtëpinë tënde”. Vërtetë u ndjeva si n’shtëpi.

Dikur erdhi taksisti dhe pak para se të nisemi për aeroport, një zë i brenshëm më thërriste që të shkoja edhe njëherë te lisi në parkun e hotelit. Më dukej sikur po e tradhtoja duke mos e përshëndetur edhe atë. I thash Cliff-it, si me humor: “Po shkoj ta përshëndes edhe njëherë lisin, sepse tash edhe ai është mik i imi. E kam si vëlla”. Ai ma ktheu: “Po po, është mik i juaj edhe ai. Storja e juaj është mjaft interesante!”. Erdhi me mua duke mbajtur ndezur dritën e telefonit, sepse tashmë kishte rënë terri. Shkova te druri e përqafova edhe njëherë dhe i thash: “Shihemi përsëri!”. Cliff sërish u çudit dhe iu duk shumë emocionuese kjo gjë. “Edhe drunjtë janë si njerëzit” – tha, “kur është thatësi vuajnë, kur iu pren degën iu dhemb!”. “Po” – i thash, “edhe ata janë të gjallë sikurse ne. Duhet t’i ruajmë e respektojmë!”.  Ama, ai dru për mua nuk ishte vetëm dru. Ishte edhe diçka tjetër… Ishte afria me Afrikën.

U përshëndetëm me personelin e recepcionit dhe hipëm në taksi. Mbërrijtëm me kohë në aeroport dhe u ulëm të presim pranë një dyqani që dukej se kishte edhe pajisje elektronike. Arbëri brofi në këmbë dhe më tha: “Po këçyri se mos po ka fotoaparate këtu, e sikur baba yt që ia ka ble djalit, edhe ti tash ia blen djalit”. Hyri në dyqan dhe për çudi e gjeti një fotoaparat digjital, veçse për fëmijë. Ma tregoi dhe më pyeti: “A po të pëlqen?”. “Po, po, shumë!” – i thash, “E marr me shumë kënaqësi. Një dhuratë e bukur për Nikun!”. E pagoi ai me para t’veta për tu kusuritur më vonë. U gëzova shumë për këtë dhuratë. Një paralele tjetër historike u bë. I thash Arbërit: “Kjo më erdhi si qershia mbi torte! Faleminderit shumë që t’ra ndërmend!” Ai ma ktheu: “M’vjen shumë mirë që arrite me i plotësu të gjitha dëshirat dhe me e realizu planin tënd!” E falenderova shumë për krejt mbështetjen që ma dha dhe isha shumë i lumtur që pata një shoq kaq të mirë me vete.

Erdhi koha për tu nisur. Hipëm në avion. Gati të gjithë pasagjerët flejtën thuajse gjithë kohën e fluturimit. Navigimi në monitori po bënte. I bëra disa foto derisa ishim në Afrikën subsahariane, pastaj disa tjera kur ishim kah mesi i Saharasë dhe një tjetër mbi Detin Mesdhe. Sa më shumë që largoheshim nga Afrika, aq më shumë e ndieja afrinë me të. Kontinent magnetik është Afrika.

Prishtinë, 30 dhjetor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

SHEMSI KRASNIQI: “I RRËMBYER NGA SHKRONJAT”, ROMAN KU SHKRONJAT SHNDËRROHEN NË PERSONAZHE TË REBELUARA