Përnjëmend, Afrika m’i ka luajt kufijtë e imagjinatës! Ma ka zhvilluar dijen, informacionin, fantazinë, emocionin …! E pranoj se kam pasë frikë nga Afrika, por nuk kam më dhe nuk do të kem kurrë. E dua Afrikën!
Nga Shemsi Krasniqi
Ishte dimri i vitit 1971, kur një grup ndërtimtarësh të ish-Kombinatit “Ramiz Sadikut”, në mesin e tyre edhe babai im, Zenel Krasniqi nga Grashtica, shkuan në Afrikë për të punuar përkohësisht në aeroportin e Kampalas, kryeqytetin e Ugandës. Kam qenë i vogël atëherë, por nuk e harroj kurrë zbrazëtinë që na la në shtëpi shkuarja e tij. Nuk e harroj as frikën dhe ankthin që ndjenim, se a do të kthehej më nga ai vend i largët dhe krejt i panjohur për ne! Nuk e harroj as kërshërinë që më pati zgjuar fluturimi i tij me aeroplan, e sidomos habinë e pakuptueshme, se si ishte e mundur që atje të jetë verë, e te ne dimër!
Afrika m’ka prekë n’imagjinatë! Qysh atëherë ajo u bë pjesë e fjalorit tonë familjar. Dëgjoja njerëz që thoshin se Afrika është larg, por Australia dhe Amerika janë edhe ma larg. Kjo për nanën time ishte njëfarë ngushëllimi, por mua m’vinte pak inat që paska vende edhe më larg se atje ku m’ka shku baba! E mbaj mend se vëllai i madh e pati sjellë një atlas n’shpi dhe aty e shikonim hartën e botës. E këqyrnim me sy Afrikën, Ugandën, Kampalën, Liqenin Viktoria dhe i preknim me dorë e i lëmonim, si me dashtë me krijue një kontakt imagjinar me babën. Atëherë pra për herë të parë e kam pa hartën e Afrikës dhe përveç Ugandës, i mësova emrat edhe të disa shteteve tjera, si: Egjipti, Sudani, Çadi, Libia, Tanzania. Pra, ra kjo punë dhe unë si fëmijë i mësova kontinentet e botës. Afrika për nga forma më dukej si dardhë, ndoshta pse kemi pasur dardha shumë n’katund n’atë kohë. Në pamje pra më dukej si diçka e njohur, por përditë dëgjoja edhe gjëra të panjohura për të, disa të çuditshme e disa të frikshme! Për shembull, dëgjoja se atje ishte verë gjithmonë dhe s’kishte dimër kurrë! Kjo më pëlqente dhe u mundoja ta përktheja në realitetin tonë, por kurrsesi as ta përktheja, as ta përthekoja me mend! Dëgjoja se njerëzit atje ishin me ngjyrë të zezë. Çuditesha dhe i paramendoja ashtu, por s’disha kurrgjë. Dëgjoja për shkretirën, për xhunglën, për kafshët e egra, tigrat, luajt, elefantat, majmunët, gjirafat, gjarpërinjtë e mëdhenj …! Kisha pak drojë! Kisha frikë nga Afrika!
I mbaj mend letrat që na i çonte baba me ata zarfat me ngjyrë të kaltërt e të kuqe në skaj dhe me shenjën e aeroplanit në mes. Më kujtohen pullat postare afrikane me kafshët e egra, që dallonin shumë prej atyre te ne me foton e Titos. Me njërën prej letrave, e pati dërguar edhe një foto të vetën, ku shihej ulur pranë një druri, së bashku me shokun e tij, Osmanin nga Gllogoci i Lipjanit. Baba ishte ulur këmbëkryq, kishte vënë duart mbi gjunjë dhe mbante cigaren në gojë – taman si në odat e katundit, ku gjithmonë shkëlqente me respekt e muhabet. Ajo foto e tij jo vetëm se na pat gëzuar, por edhe na pat dhënë zemër se edhe atje ishte i njëjti; pra, si këtu, si atje. Me letrat e tij nuk vinin vetëm fjalët e shkruara në disa rrjeshta të pjerrët, por vinte edhe njëfarë fuqie e jetës. Vinte një forcë, një siguri, një shpresë, një shpirt …! Letrat i lënim në raft dhe i lexonim nga disa herë, i shikonim, i preknim dhe i ruanim si me qenë të shejta!
E mbaj mend edhe mërzinë e nanës, sëgëlltinë e saj, por edhe forcën për t’i përballuar sfidat e jetës. Puna, kujdesi, dashnia dhe diciplina e saj nuk harrohen kurrë. I mbaj mend dajtë dhe kusherinjtë që vinin e na ndihmonin në të gjitha punët. Tash pesëdhjetë vjet më vonë, edhe një falënderim të përzemërt për të gjithë ata që janë dhe për ata që nuk janë!
Nga ajo shkuarje e babës n’Afrikë, jemi mërzitur shumë, jemi trembur e frikuar, por edhe kemi përfituar shumë. Kryesorja, me paratë e fituara atje e ndërtuam shtëpinë e re në katund, një shtëpi moderne dhe me plotë risi n’atë kohë, një shtëpi me blloka, me beton dhe armaturë, me shkallë, me korridor, me dyer dhe me dritare të mëdha. Atë shtëpi e renovuam tash pas pesëdhjetë vjete.
Nga Afrika, baba i solli edhe disa gjëra të veçanta që nuk i kemi pasur më parë në shtëpi. I solli dy pajisje elektronike, të cilat tashmë kanë dalë moti prej përdorimit, por i ruaj si kujtime në muzeun familjar. Radio-magnetofoni i markës HITACHI dhe fotoaparati me ngjyra i markës Voigtländer patën bërë revolucion në shtëpinë tonë.
Kam shumëçka për të thënë për atë radio, por po i veçoj vetëm dy-tri gjëra. Ajo veç tjerash, na pati shpëtuar prej një detyrimi të shpeshtë, por edhe prej një turpi që ndjenim për të kënduar në kallabëllak. Kur na thonin burrat në odë: “hajt rrokne ni kangë tash”, ne si fëmijë s’kishim çare pa e rrokë. Këngët dhe muzikën që dëgjonim atëherë në radio, përfshirë edhe humorin e Mixhës Ramë, radiodramat, e dikur edhe kampionatet e futbollit, kanë mbetur të paharrueshme.
Për herë të parë atëherë, pata mësuar për incizimin e zërit. Ishte magji në vete me ndi zërin tënd në magnetofon! Fjalët e mia të para të incizuara kanë qenë: “O Azem, a po vjen lujmë?”. Këto m’dolën nga goja në momentin kur vëllai im i madh Beqiri, duke shtypur pullën e kuqe të magnetofonit, tha: “Folni diçka!”. Në të vërtetë kjo nuk ishte një thirrje për lojë, por vetëm një test, një simulim, sepse Azemi ishte pranë meje. Ishim fëmijë n’atë kohë dhe loja ka qenë realiteti ynë i përditshëm. Nuk e kam ditë, se me atë radio po fillonte një lojë e re, një lojë e cila nuk ka përfunduar akoma dhe nuk do të përfundojë kurrë. Megjithatë, ajo që e dëgjonim dhe incizonim më së shumti atëherë, ishin këngët e Radio Kukësit. Ato këngë i incizonim edhe atëherë kur zëri nuk vinte mjaft i pastër. Na digjte n’shpirt teksti, vokali dhe melodia e tyre këngëve…!
Radio-magnetofoni punonte me bateria, sepse në Grashticë atëherë akoma nuk kishte rrymë elektrike. E bateriat shpenzoheshin shpejt. Kur dobësoheshin, i nxenim te zjarri për t’u forcuar pak. Për ta mbrojtur radion prej pluhurit, motra ime Fatimja e pati qëndisur një futrollë. Valëve të radios atëherë iu thoshim tallaz. Në tallazin e dytë punonte më së miri. Më vonë fjala “tallaz” u bë metaforë e habitjes, harresës dhe mosmarrëveshjes. Kur dikush habitej ose ngatërrohej me dikë ose për diçka, thoshim: “Iu kanë përzi tallazat”.
E sa i përket fotoaparatit, fotografitë e shumta të bëra me të në vitet e ‘70-ta dhe ’80-ta, sot janë një thesar i çmuar i arkivit tonë familjar. Fotoaparati ka pasur edhe blic për të fotografuar natën. Meqë atëherë pra nuk kishim rrymë, drita e blicit të fotoaparatit, ndoshta ishte drita më e fortë që e kam pa deri atëherë, kuptohet pas asaj të diellit dhe vetimës.
Veç këtyre sendeve, në Afrikë baba i kishte blerë edhe pesë piktura. Sipas nënshkrimit, shihet se autor i tyre është T. Kavita. Të gjitha janë të punuara me ngjyra vaji në pëlhurë dhe katër prej tyre i ruaj edhe sot. Në ato piktura shihen peisazhe tipike afrikane, pyje me palma, zogj që fluturojnë, shtëpi lloqi të mbuluara me kashtë dhe disa gra me nga një shkop në dorë që rrinë pranë shtëpisë. Në njërën prej pikturave shihen dy kajakë duke lundruar, sigurisht në Liqenin Viktoria. Dy prej këtyre pikturave janë kornizuar herët: njëra në vitin 1974 kur kemi hyrë në shtëpinë e re, tjetra në 1986, kur i kemi bërë disa rregullime, kurse dy tjerat i kornizova tash, pas 50 vjete, në kohën e renovimit.
Prej gjërave tjera janë edhe disa vargje me rruza të bëra prej farave të një bime të panjohur, të futura në një pe të hollë por të fortë, e që akoma janë në të njëjtën qese me të cilën kanë ardhur prej Afrike. Një çadër e thyer ka mbetë po ashtu relikt i asaj kohe. Janë edhe dy panorama me motive afrikane, prej të cilave njëra paraqet valltaret afrikane me kostume shumëngjyrëshe, duke luajtur vallen “Dingi-dingi”, kurse tjetra paraqet xhaminë Kibuli në Kampala, me një pemë në oborr, për të cilën baba thoshte se bën hije aq të fortë, sa që as drita e diellit nuk duket. Sipas pamjeve aktuale në internet, pema qëndron akoma aty, por degët e saj duken më ndryshe se sa në panoramën e vitit 1971.
Prej asaj kohe i ruaj edhe disa fotografi të babës që ka dalë me kolegët e tij dhe të cilat po i botoj këtu për herë të parë. Kurse, për një broshurë me peisazhe dhe me kafshë të egra, si dhe një kalendar me fotografi të trashëgimisë kulturore të Ugandës, më vjen shumë keq që nuk kanë mbijetuar. Nga kjo e fundit, më rri ndërmend një foto ku shihej statuja e një gruaje e lidhur për një druri dhe e kthyer me fytyrë prej tij. Nuk e di se a ka qenë ajo foto pasqyrim i ndonjë torture njerëzore apo bëhej fjalë për ndonjë ritual vendor, për ndonjë identifikim të njeriut me natyrën, me malin, me drurin! Këtë nuk e di, por sidoqoftë, imazhi prekës i gruas së lidhur për druri, nuk m’hiqet nga mendja dhe kujtesa tash e pesëdhjetë vjet.
Më kujtohet po ashtu se pas kthimit nga Afrika, vinin shumë mysafirë për me e pa babën. Ai ka qenë mikpritës dhe rrëfimtar i mirë. Fliste me pasion për jetën, natyrën, klimën, kafshët e egra, insektet, por edhe për kulturën, shprehitë dhe stilin e jetës atje. Tregonte për veshjen gjysmë-lakuriq, për shtëpitë, ushqimin, vallëzimin, harenë dhe shpirtin afrikan. E mbaj mend kurreshtjen e njerëzve, kur tregonte për mënyrën se si hanin atje, si visheshin, si kërcenin dhe si i bartnin gjërat me kokë, në vend se me dorë. Baba kurrë nuk ka qenë përqeshës. Ka qenë shumë përparimtar dhe liberal si njeri. E ka çmuar shumë njerzillëkun, lirinë, çiltërsinë, të vërtetën dhe natyralitetin. E ka çmuar shumë thjeshtësinë, shpirtin gazmor, harenë dhe çehrën e mirë. E ka çmuar shumë dijen, shkollimin, guximin, drejtësinë dhe humanizmin.
E mbaj mend se tregonte edhe për kafshët e egra që dilnin në rrugë. E di që ka pasë treguar edhe për një rast të trishtë, se si bubërrecat e kishin hangër njeriun me gjithë kali! Përnjëmend, Afrika m’i ka luajt kufijtë e imagjinatës! Ma ka zhvilluar dijen, informacionin, fantazinë, emocionin …! E pranoj se kam pasë frikë nga Afrika, por nuk kam më dhe nuk do të kem kurrë. E dua Afrikën!
Prishtinë, 20 qershor 2021
ObserverKult