Shtëpia pa Pasqyrë – një rrëfim unik për veten, tjetrin dhe luftën mes tyre

Libri Shtëpia pa Pasqyrë, i autores Majlinda Bregasi, është një roman që mbart përshkrime të gjalla të historisë, të luftës dhe gjendjeve ekzistenciale të individëve të ndryshëm në kohë lufte dhe paqeje. Kur mora librin në dorë, mendova se do ta lexoja shpejt, por me kalimin e faqeve kuptova se libri kërkonte një angazhim të domosdoshëm intelektual, bashkëpunues dhe empatik. Autorja ndërton rrëfimin me copëza dhe vetëm në fund të librit, kur t’i kesh grumbulluar dhe renditur copëzat e mozaikut të kësaj vepre, e zbulon kutimin.

latif mustafa

Nga Latif Mustafa

 Titulli i veprës është intrigues dhe, akoma pa filluar librin, më shtyn të mendoj për karakterin autorrëfyes që ai mund të ketë, por vetëm ideja e një shtëpie ku nuk mund të gjesh pasqyrë, ku njeriu nuk mund ta shohë veten, paraqitet si parim i identitetit logjik, ku njeriu është i barabartë me veten. Ky është thelbi filozofik dhe protagonisti kryesor i librit.

Teksa lexoja faqet e para, m’u kujtua kënga e famshme italiane për fëmijë ‘Era una casa’ (Ishte një shtëpi), e cila flet për një shtëpi shumë të bukur, pa çati, pa kuzhinë, pa dysheme, pa vater, por megjithatë ishte një shtëpi shumë e bukur, e bukur vërtet, në rrugën e Të marrëve me numër zero. Kjo këngë që simbolizon lirinë, na tregon se çdo gjë mund të krijohet e mund të zbulohet, duke e bërë njeriun eksploruesin më të madh të botës. Kështu liria mund të na sjellë zbulime të mëdha, ashtu si na i sjell në këtë roman, liria kreative.

Libri përmban disa dimensione të fuqishme që lënë gjurmë të thella në subjektin që përpiqet të emaptizojë dhe të bashkëmendojë me personazhet. Ndër më të theksuarat janë: patjetërsueshmëria e tjetrit për të njohur veten, gjeografia si fat ose fatkeqësi, lufta si gjendje kufitare, por edhe themel i paqes; dhe, metodologjia e përdorimit kuptimor të semantikës, ku autorja përmes ambiguitetit dhe mozaikut i zhvesh personazhet dhe ngjarjet nga lokalja dhe i zhvendos në një plan universal.

Ambiguiteti narrativ dhe shkrimi mozaik si akt i universalizimit

Qasja e autores është e shumëkuptimshme: ajo shmang emërtime të drejtpërdrejta gjeografike dhe historike, duke mos e kufizuar rrëfimin në një hapësirë të vetme të identifikueshme. Gjatë leximit, përvoja rrëfimtare rrëshqet mes Kosovës, Bosnjës, Kroacisë apo hapësirave të tjera të përjetuara nga lufta, çka e çliron tekstin nga partikularizmi gjeografik dhe i jep një karakter më universal. Kjo paqartësi e qëllimshme nuk është mungesë preciziteti, por strategji estetike dhe etike: lufta dhe trauma nuk i përkasin vetëm një vendi, por një gjendjeje njerëzore e shpërfaqur në periudha të ndryshme të së kaluarës dhe që me siguri do të shfaqet edhe në të ardhmen.

Forma mozaike e të shkruarit e përforcon këtë qasje. Autorja nuk ndërton një narrativë lineare, por ndërton fragmente, kujtime, zëra dhe ndjesi në një hapësirë pothuajse vakumi, pa hierarki dhe pa lidhje eksplicite mes tyre. Lexuesit i kërkohet të jetë bashkëkrijues. Atij i takon t’i mbledhë copat, t’i vendosë në marrëdhënie dhe të ndërtojë kuptimin. Kështu, leximi shndërrohet në akt të angazhuar, reflektiv dhe jo-linear, ku kuptimi nuk imponohet, por lind nga ndërveprimi mes tekstit dhe lexuesit.

Identiteti njerëzor dhe tjetri i patjetërsueshëm

Identiteti njerëzor në librin Shtëpia pa pasqyrë nuk ndërtohet në raport me një figurë të vetme, por si rezultat i një rrjeti marrëdhëniesh, ndikimesh dhe pranishmërish që ndërthuren gjatë jetës. Për Lenën, formimi i identitetit nuk vjen vetëm nga një figurë mbrojtëse apo qendrore, si prindërit, si teze Sibila apo Drita, por nga një mori faktorësh të tjerë: frika, kujtesa, dhuna, ikja, heshtja, autoriteti dhe figura të tjera që megjithatë lënë gjurmë të thella.

Një formë tjetërt ku autorja flet për identitetet janë edhe momentet jetësore ku njeriu bën të ashtuquajturat kthesa historike. Figurat e Ujkut dhe Nikut përveçse shfaqen si dy enigma që duhen zbuluar, ashtu si dhe gjithë personazhet e tjera, ato na jepen edhe si alterego të njëra-tjetrës, ku vija ndarëse mes hakmarrjes personale dhe idealeve të luftës bëhet jashtëzakonisht e hollë, pothuajse e padallueshme. Njëra linjë e romanit zhvillohet pikërisht mbi rrugëtimin që ata bëjnë duke kërkuar njëri-tjetrin. Kush do ta vrasë kë? Nga cila anë qëndron e drejta?

Ky kërkim na kujton se sa vështirë është të flitet për identitetin në periudha lufte, ku tjetri, apo armiku mund të jetë ndërvetëdija jote traumatike.

Gjeografia si barrë ekzistenciale

Gjeografia në librin Shtëpia pa pasqyrë nuk shfaqet si një sfond neutral, statik dhe i shtrirë në kohë, por si një forcë që peshon mbi jetën njerëzore, duke u shndërruar herë në fat e herë në fatkeqësi. Hapësirat ku lindin dhe lëvizin personazhet nuk janë zgjedhje, por destinime që u imponohen, ku shpeshherë e detyrojnë njeriun të mbetet rob i gjeografisë, i detyruar të jetojë pasojat.

Në kontekst më të gjerë, gjeografia e Ballkanit bart një ambivalencë të thellë historike. Ajo ka qenë fat kur ka shërbyer si qendër apo edhe si periferi e qytetërimeve të mëdha, si hapësirë ndërmjetësimi, shkëmbimi dhe bashkëjetese. Por po kjo gjeografi është shndërruar në fatkeqësi sa herë është kulluar në gjak nga masakrat dhe gjenocidet, të prodhuara nga ide megalomane, projeksione politike dhe imagjinata të shfrenuara për Tjetrin si kërcënim që “nuk duhet të ekzistojë”.

Autorja sugjeron se dhuna nuk lind vetëm nga konfliktet e momentit, por nga mënyra se si hapësira gjeografike mbingarkohet me narrativa përjashtuese dhe frikë kolektive. Në këtë kuptim, gjeografia bëhet barrë morale dhe historike, jo thjesht territoriale.

Siç shihet edhe në fund të librit, e njëjta njerëzi që është përplasur në këtë hapësirë të ngarkuar historikisht, diku larg Ballkanit, tej oqeanit, atje në tokën e të tjerëve, është e aftë të jetojë në paqe,edhe pse ajo paqe nuk është çlirim i plotë: ajo mbart me vete peshën e historisë, mëkatet e së kaluarës dhe kujtesën e asaj që është lënë pas. Gjeografia ndryshon, por barra ekzistenciale nuk zhduket; ajo vetëm zhvendoset dhe kërkon ballafaqim si çlirim.

Lufta si gjendje kufitare dhe themel i paqes

Në këtë libër, lufta nuk paraqitet thjesht si ngjarje historike e mbyllur në një hapësirë dhe kohë të caktuar, por si një gjendje kufitare universale e përvojës njerëzore. Autorja arrin me mjeshtëri ta mbulojë luftën e Kosovës, duke e zhveshur nga emërtimet e drejtpërdrejta dhe duke e shndërruar atë në një model lufte që mund të ndodhë kudo në rajon – apo më gjerë – ku ndryshojnë vetëm emrat e kriminelëve, viktimave dhe çlirimtarëve, ndërsa logjika e dhunës mbetet e njëjtë.

Një element i veçantë i kësaj qasjeje është përmbysja graduale e perceptimeve morale. Antiheronjtë flasin në emër të “historisë” dhe të së drejtës historike, ndërsa heronjtë mbajnë barrën e turpit, peshën e gjykimit. Kështu lufta portretizohet në disa plane njëkohësisht. Si dimension individual, kolektiv, por, dhe mbi të gjitha, si traumë e pashlyeshme. Pe5rpara kësaj të fundit, çdo fitore reduktohet vetëm në vënie të drejtësisë. Kjo shumësi këndvështrimesh e nxjerr luftën nga reduktimi heroik ose kronikal dhe e shndërron në përvojë njerëzore komplekse, ku dhuna, qëndresa dhe përgjegjësia përplasen vazhdimisht.

Pikërisht kjo mënyrë e ndërtimit e bën librin veçanërisht të fuqishëm: pjesët që përshkruajnë luftën janë të shkruara me një mjeshtëri të tillë narrative, saqë shpesh i japin lexuesit përshtypjen e një romani lufte, pa e humbur asnjëherë thellësinë filozofike dhe etike. Lufta, në këtë kuptim, nuk është qëllim në vetvete, por themel i brishtë mbi të cilin ndërtohet paqja, një paqe e vetëdijshme për çmimin dhe barrën e saj.

Pse duhet lexuar ky libër?

Libri Shtëpia pa pasqyrë të bën të reflektosh. Të angazhon të bashkëndjesh. Në këtë libër mund të lexosh rreth pyetjeve që njeriu i bën vetes kur është në situata kufitare, në prag të jetës a vdekjes. Përmes këtij libri, i përpunuar deri në detajet më të vogla, mund ta konceptosh një rrëfim tjetër për luftën, nga një një pikëshikim tërësisht individual dhe thellësisht njerëzor, ku njeriu noton midis drejtësisë dhe hakmarrjes dhe lehtësisht mund të zhytet në ekstremet e padëshiruara. Mozaiku kuptimor, intertekstualiteti dhe forma e vetërrëfimit, ku lexuesi lehtësisht dehet dhe mund ta lexojë këtë ngjarje si dicka që ndodh te vetja dhe jo tek tjetri, janë mjeshtëritë e e përsosura estitike të Majlinda Bregasit, që e bëjnë këtë libër, monumental dhe të pashmangshëm. 

ObserverKult