
Në shoqërinë shqiptare ka kohë që janë duke u zhvilluar me intensitet të veçantë disa fenomene sociale dhe dukuri sociologjike, që jo vetëm duhen konsideruar si epifenomene të panjohura më parë, por që tashmë shfaqen me ndikim social efekte e kundërefekte individualisht ose të pakuptuara drejt dhe shpesh me interpretime, analiza e shkaqe jo të interpretuara saktë. Shqetësimi në këtë rast nuk është thjesht teorik, apo shfaqje e një ekzisgjence sociologjike manjakale. Problemi tashmë në shoqërinë tonë është i thellë, i agravuar, ekzistencial, sepse lidhet me konceptimin e drejtë të realiteteve aktuale dhe paradigmave mbi të cilat bazohet, ndërtohet dhe funksionon shoqëria shqiptare. Ka një kakofoni konceptuale dhe paqartësi në jetën empirike e në marrëdhëniet midis individit dhe shoqërisë, të cilat janë të lidhura me një lloj inercie sociale, të ndikuara dhe të diktuara prej faktit, që akoma nuk është kapërcyer plotësisht periudha kalimtare, e vështirë dhe në disa aspekte e paqartë e tranzicionit. Jo në aspektin politik dhe ekonomik. Aty tranzicioni, me gjithë problemet e brendshme dhe shqetësimet endemike të kuptueshme, është i konsoliduar.
Nga Gëzim Tushi
Problemi mbetet i “hapur”, i paqarë deri në fund, shpesh edhe konfuziv kur është fjala për të kuptuar esencën sociale dhe modelet e përmbysura të përgjegjësive të individit në marrëdhëniet e tij me strukturat, institucionet që janë jashtë tij, por në forma të ndryshuara, por në mënyra e forma të reja edhe të lidhura pazgjidhshmërisht me të. Është një problem social, që kërkon trajtime të gjëra koherente dhe interpretime sociologjikisht të sakta. Sepse shoqëria jonë tri dekada e gjysmë më parë në formë, strukturë dhe mënyrën si i realizonte funksionet endemike, lidhjet me qytetarin ishte shoqëri totalitare, e diciplines sociale, e marrëdhënieve të determinuara në mënyrë mekanike e përcaktuese në ndërtimin e lidhjeve shoqëri-individ.
Nëse do ta sintetizonim dhe konkretizonim këtë realitet, do të vlente sintagma e filozofit Michel Foucault (Fuko), i cili në fundin e shekullit të kaluar, “shoqërinë e disiplinës” e lidh me ekzistencën e shoqërisë dhe shtetit totalitar, ekzistencën dhe lidhjen e njeriut me fabrikat, uzinat, spitalet, burgjet etj.. E tillë ka qenë në esencën e vet edhe tipologjia e shoqërisë shqiptare e para viteve ‘90.
Por, ka tri dekada e gjysmë që në shoqërinë shqiptare gjërat kanë ndryshuar, madje me shpejtësi. Tashmë vendin e “institucioneve të ngurta të disiplinës” po e zë gjithnjë e më shumë një shoqëri tjetër me një nomenklaturë e re institucionesh me të cilat lidhet, funksionon e performon individi në këtë shoqëri që nuk është e disiplinës së ngurtë dhe njeriut vasal dhe të bindur ndaj faktorëve të jashtëm. Besoj se është e saktë struktura e shoqërisë së sotme, e cila sipas sociologëve, është “…shoqëri e palestrave, fitnesit, e zyrave, bankave, aeroporteve, qendrave tregtare…”. Byung-çhul Han, “Shoqëri e sfilitur”, f. 17.
Me fjalë të tjera, duke parë këto ndryshime thelbësore strukturore, ideore, konceptuale dhe etike që kanë ndodhur kudo përfshirë edhe shoqërinë tonë të epokës dhe jetës postmoderne, duhet pranuar se koha e ka kapërcyer konceptin e vjetër të M. Foucault-it (Fukosë) të “shoqërisë së disiplinës”, me penalitete, ndalime, rregulla sociale strikte, të forta, tipike për “shoqërinë e kontrollit”, me institucione omnipotente, imponuese, determinante në raport me individin, duke e zëvendësuar atë me “shoqërinë e autonomisë dhe performancës individuale”.
Në këto kushte dhe nën efektin e këtij ndryshimi të madh, të kësaj përmbysjeje të tipologjisë sociale klasike në favor të asaj moderne, ka ndryshuar edhe natyra, sjellja e njeriut, mënyra si ndërton marrëdhëniet me shoqërinë e tij. Sepse shoqëria e sotme, kjo e këtij shekulli”, nuk është më një shoqëri disiplinore, por “shoqëri e performances” individuale. Banorët e saj nuk janë më “subjekt i bindjes”, por më tepër “subjekt i arritjeve”.
Në këto kushte të reja të raporteve individshoqëri, në mënyrë të padiskutueshme, njeriu është në një pozitë te re sociale dhe individuale, nga njëra anë duke iu shtuar përgjegjësitë vetjake, duke u zgjeruar distanca nga përgjegjësitë e shoqërisë dhe nga ana tjetër, duke qenë i lirë në performancën e tij, është bërë “sipërmarrës i vetvetes”.
Shoqëria dhe njerëzit tanë, mbase duke qenë akoma nën efektet e “eterit supersocial”, përgjegjësisë së hipertofizuar të rolit dhe përgjegjësive të ashtuquajturit shtet social, të mbërthyer nga “ganxhat e vjetra” të paradigmës së shoqërisë humane e solidare, nuk e kemi kaq të lehtë të kuptojmë atë që ka ndodhur me shoqërinë tonë. Me thelbin, strukturën funksionale, rolet e reja sociale të reduktuara ndaj përgjegjësive të personalizuara të individit. Kjo situatë me efekte dhe pasoja të zgjeruara konceptuale dhe empirike, me ndikim në jetën aktuale dhe perspektive të shoqërisë dhe raporteve të ndryshuara me individin, duhet perceptuar drejt, në kompatibilitet me imperativat e kohës, si mënyrë për të zbutur kuptimet e cekëta të jetës së përditshme, por edhe keqkuptimet me vlerë strategjike, për të pranuar modulet, paradigmat e reja të formave të shfaqjes së funksionalitetit social.
Kjo doemos përveç analizave konkrete të situatës konkrete, marrëdhënieve të reja shtet-shoqëri-individ, ka nevojë për interpretime elokuente, të gjëra sociologjike. Të cilat bëjnë të mundur që njerëzit tanë, të kuptojnë thelbësisht ontologjinë e asaj që ka ndryshuar, që është “ulur këmbëkryq” në shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo do të thotë që është e domosdoshme, madje është imperative të bëjmë të mundur, që njerëzit të mos kenë iluzione e keqkuptime sociale me veten dhe shoqërinë.
Por kjo realizohet duke e kuptuar drejt atë që po ndodh, që ka lidhje me kalimin historik të shoqërisë shqiptare, nga modeli arkaik i “shoqërisë së disiplines” sociale, në atë të përgjegjësisë dhe nevojës për “performancë personale”. Kjo e sintetizuar në sintagmën socilogjike të kalimit nga shoqëria që diktonte atë që “duhet bërë” në atë që “mund të bësh” individualisht. Ky realitet, me gjithë vështirësitë e historisë së shoqërisë sonë, i ka hapësirat e duhura, pjesërisht dhe në zgjerim edhe kushtet material, politike e sociale, për t’u konsideruar “shoqëri lejuese”. (Byung- Chul-Han), në kuptimin që ajo ka zbutur pengesat sociale, ka zgjeruar hapësirat e mundësitë për personalizim të objektivave dhe realizim të synimeve të performancës individuale.
Këtë ndryshim duket se, edhe pse e ndjejmë që është bërë paradigmë determinante e jetës së shoqërisë së sotme shqiptare, edhe pse e artikulojmë shpesh në format e larmishme të sloganeve sociologjike, nuk e çojmë deri në fund thelbin e kuptimit, kuintesencën e këtij imperativi. Nuk është e lehtë për njeriun, që nuk e kupton detyrimin që sjell realiteti i nivelit të mundësisë personale për të përballuar sfidat e jetës së personalizuar. Ka një paradoks në jetën e shoqërisë tone, por jo vetëm.
Sociologët postmodernë këtë realitet të kalimit nga “shoqëria e disciplines” në atë të performancës së zgjeruar dhe mundësive për të pasur sa më shumë individualitet, e trajtojnë në një prizëm të gjerë social, duke zbërthyer dhe bërë të qarta për njerëzit e “shoqërisë së mundësisë”, arritjeve dhe performancës individuale, modalitetet e vërteta dhe rreziqet e mundura, shpesh të pashmangshme të “shoqërisë së arritjes”, duke evidentuar në të njëjtën kohë peshën kontradiktore e herë paradoksale, që janë anët sinkretike të bashkëngjitura, tipike për shoqërinë e lirë e të “derregulluar”, të performancës dhe arritjeve të mundshme individuale, që sipas tyre, në këtë kohë pesha e dikurshme detyruese, determinante, refuzuese, imponuese e “shoqërisë së disiplinës” unike, sjelljes sociale uniforme, është zëvendësuar me barrën e madhe të përgjegjësisë individuale.
Këtu fshihet paradoksi që duhet “zbuluar” de qartësuar për njerëzit tanë. Sidomos për ata që kanë koncepte të deformuara, përfytyrime të njëanshme për lirinë individuale dhe lehtësitë jetike në shoqërinë e arritjeve dhe performancës. Duhet kuptuar qartë, pa ambalazhe iluzive, e vërteta se edhe në shoqërinë e performancës individuale ka një përkim të dukshëm apo të tërthortë midis lirisë individuale dhe detyrimit social. Është e vërtetë që njeriu në shoqërinë e sotme shqiptare nuk është më si dikur qenie mekanike e “subjekt i bindur”. Madje, gjithnjë e më shumë, kur i kupton si duhet të vërtetat e vetes, relacionet me shoqërinë dhe faktorët materialë e shpirtërorë që ekzistojnë dhe veprojnë jashtë tij, objektivisht ai i ka të gjitha mundësitë e vendimmarrjes së personalizuar dhe si “sovran i vetes”. Por ky “ekuacion” social nuk duhet konceptuar në mënyrë sempliste, të njëanshme. Ai ka të dyja anët. Nga njëra anë është liri personale për sovranitet social, vendimmarrje jetike të personalizuara e veprime autonome, por ka edhe një peshë sociale nominale si individ. Sikurse thonë sociologët e shoqërisë postmoderne, kjo paradigmë e shoqërisë së arritjeve dhe performancës individuale e ka bërë njeriun modern të jetë njëherësh, “zotëri” nga liria e mundësive, por edhe “skllav të vetes”, për të marrë përsipër përgjegjësitë e jetës individuale.
Koha ka vërtetuar tezën e sociologut Alain Ehrenberg, se ky “ekuacion” nuk është i lehtë. Mbingarkesa e njeriut nga liria dhe mundësia e performancës në shoqërinë e arritjeve ka sjellë vështirësi, padurim dhe depresion social, të cilat shfaqen gjithnjë e më shumë si patologji emblematike të shoqërive moderne të performancës. Kjo epokë e përgjegjësive individuale dhe mundësive të pakufizuara të lirisë sociale, nëse nuk kuptohet si duhet, rrezikon që njeriun e arritjeve dhe performancës, që beson më shumë tek vetja, ta zëvendësojë me njeriun shoqërisht të paorientuar, ankues, vanitoz, dembel, parazit e dështak. Në të vërtetë, realiteti ynë social tregon qartë se kjo periudhë e tranzicionit, e kalimit nga “shoqëria e disciplines” me peshë supersociale determinuese, në “shoqërinë e performances” dhe arritjeve individuale, është shoqëruar me shumë anomali, plagë sociale dhe aberracione individuale. Janë fare evidente shumë dukuri të zgjeruara të ankthit individual, depresionit social, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, dhunës në familje e jashtë saj, krimeve të shëmtuara e shumë patologji të lidhura pikërisht me shoqërinë e performancës individuale. Sepse kjo shoqëri nuk është e lehtë për t’u jetuar dhe jo gjithnjë janë kushtet për të qenë dhe bërë “vetvetja”, duke guxuar dhe sfiduar.
Sociologët mendojnë se “presioni për të performuar me çdo kusht tek disa njerëz shkakton depresionin e rraskapitjes” (sindroma Burnout). Shpesh dëgjojmë ankesa nga ata që nuk e kuptojnë apo nuk duan të angazhohen në përballimin e këtij modeli të jetës postmoderne, të cilën duke e parë nga dukja, u duket plotësisht e lirë, por pa kuptuar anën tjetër të medaljes, ngarkesën me përgjegjësi totale për suksesin apo dështimin personal. Kjo është arsyeja pse po shtohen njerëzit, që nga vaniteti kalojnë në lodhje psikike dhe depresion, i cili po shfaqet i diagnostikuar si “sëmundje e përgjegjësisë së tepërt individuale”, e njeriut kur nuk është në gjendje të performojë suksesshëm, të arrijë objektivat jetike, të planifikuara apo të dëshiruara. Kjo luftë e brendshme e njeriut, në sfidë me aftësitë e vetes dhe mundësitë jashtë tij, shpesh bëhet shkak për situatë depresive, pesimiste, dëshpëruese dhe trajta tejet agresive. Që shpesh shfaqet si një formë e ashpër e “autoagresionit”, në momentin kur “subjekti është në luftë shkatërruese me vetveten”.
Në këto kushte, na duhet një konceptim i ndryshëm, në përputhje me kohën dhe përtej “patologjizimit të thjeshtë”, të kësaj dukurie sociale, duke krijuar koncept modern për kulturën e suksesit, autonomisë dhe vetëmenaxhimit në shoqërinë e arritjeve dhe performancës individuale, si imperativ absolut i shoqërisë moderne.
Koha, shoqëria e performancës dhe e arritjeve është kohë e njeriut të suksesshëm, që me vullnet kap shanset e shoqërisë së mundësisë, ka kombinuar si duhet atë që është e dobishme dhe i duhet shoqërisë, me atë që ai mundet dhe i shërben suksesit, performancës individuale.
ObserverKult






