14 janar 1990, demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri

Më 14 janar të vitit 1990 u bë demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri.

Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit duke protestuar në heshtje. Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit, por kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste që do të pasonin. Ngjarja u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC World Service, RAI, VOA – Zëri i Amerikës.

Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Nismëtarët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkangjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin të mëdha. Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”.

Sipas Autoritetit të Dosjeve, përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dëshmohen përgatitjet, mbikëqyrja dhe arrestimet që paraprinë demonstratës së 14 janarit 1990. Dokumentet hedhin dritë mbi mënyrën se si pushteti reagonte ndaj çdo shenje kundërshtimi qytetar.

Kjo protestë nuk i përmbushi pritshmëritë e organizatorëve, pasi strukturat e Sigurimit të Shtetit arrestuan, në datat 13 dhe 14 janar, drejtuesit kryesorë të saj.

Një pjesë e tyre u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi:

1-Aldo Perrizi,

2-Dedë Kasenci,

3-Flamur Begu,

4-Gjergj Livadhi,

5-Klaudio Daka,

6-Kolec Hublina,

7-Nikolin Margjini,

8-Nikolin Thana,

9- Rin Monajka,

10-Tonin Dema

ObserverKult


Lexo edhe:

Kuvendi i Arbrit, mbrojtësi i identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare