
Në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjenden dorëshkrime të rralla, që sjellin deri në ditët tona, dijen e përcjellë nga periudha e Mesjetës.
Një shembull i ekzemplarëve të rrallë, tashmë të digjituar, është një dorëshkrim i rrallë, “Elmülahhas fil heye” (Dije mbi yjet) i cili përmban të dhëna mbi astronominë, të shoqëruara me vizatime dhe skema shpjeguese, që tregojnë mënyrën se si konceptohej universi në traditën shkencore islame.
Vepra e Mahmûd b. Muhammed b. Ömer el-Çağmînî el-Hârizmî trajton strukturën e qiellit, lëvizjen e trupave qiellorë dhe parimet bazë të astronomisë klasike, duke shërbyer si tekst mësimor dhe referues për breza studiuesish.
Ekzemplari i dorëshkruar dallohet për kopertinën e gdhendur prej lëkure dhe për ruajtjen e elementeve autografe, të cilat ofrojnë informacion mbi përdorimin, transmetimin dhe qarkullimin e dijes shkencore në dorëshkrime.
Si dokument i trashëgimisë shkencore, ky dorëshkrim ndihmon të kuptojmë jo vetëm njohuritë astronomike të kohës, por edhe mënyrën se si dija vizualizohej dhe transmetohej përmes tekstit dhe ilustrimit.
Materiali është pjesë e fondit të dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe është i digjituar në Bibliotekën Digjitale./atsh
ObserverKult





Lexo edhe:
Faik Konica: Kostumi modern “grek’’, një imitim i poshtër i kostumit shqiptar






