Ardiana Thaçi: O vetja jem, hipokrite…

Nga Ardiana Thaçi

Ka çaste kur e prek falsitetin tem,

si pluhun i nxehtë
që çohet
mbasi shuhet gëlqerja.

E ndiej kah ngjitet ngadalë
shkallëve t’frymës,

si tym që m’njeh ma mirë
se sa unë vetveten.
Ajo m’kalon përtej,
m’përdor si trup kalimtar.

E di.
E ndiej.
E prap’ e la me m’hy.
Edhe n’frymarrjet pa emën,

kur gjaku çan terrin
e lyp shtegun e vet t’vjetër,

oksigjeni m’bahet barrë,

nji selam që duhet çue patjetër
deri n’zemër,

e prej zemrës
kah mendja
që m’tradhton.
Aty e ndiej hipokrizinë teme,

t’fshehun edhe n’urimet
për pafundësinë,

për përjetësinë
që ua dëshiroj tjerëve.

Sa sakrilegj,
nji sakrilegj
që m’vret ngadalë.

O vetja jem,
ta shoh si t’rreh gjoksi kur rren.
Ta ndiej falsitetin
n’buzëqeshje
ku dhimbja rrin mshehun,

ti lutesh n’heshtje
për përjetësi
që s’ia uron dot botës.
Ti e don veç për vete.
E di.
Je hipokrite,
o vetja jem.

ObserverKult


Lexo edhe:

Si sot, 90 vjet më parë, lindi shkrimtari i njohur, Ismail Kadare