Gjenocidi i kthyer në art pamor

(Dy fjalë duke lexuar vëllimin poetik: “Ëndërr në zarf” të autorit Ismail Syla)

Ornela Radovicka

Nga Ornela Radovicka

Memorie, do të thotë edhe Art, kështu Gjenocidi kthehet në art për të mos harruar. Dikush fotografon një këmishë të përgjakur, dikush kodifikon epigrafe gëlltitje lotësh. Hije dhe fjalë. Mungojnë buzëqeshiet. Një qiri në mes të errësirës.

Kur lexon vëllim poetik, “Ëndërr në zarf” të çudit fakti se poezitë kthehen në copëza manifesti, brenda kornizave ku pikëzojnë rruaza të kuqe.

Rriedhin në eter e çdo copëz kthehet në zarf që mban parabolë dramatike, të cilat të përcjellin në hinkën: Gjenocidi mbi shqiptarët në Kosovë, ende një emorragji e hapur.

Udhëton në këtë tren vargjesh, të ngarkuar me hirin e martirëve shqiptarë të Kosovës e do të ndihesh që çdo vagon, rrëfen me pergamenën e tij, që ngjajnë faqje të një arkivi luftërash.

Vargje, copëza kujtimesh, akte përshkrimesh të ngjyer në shpirt, monologje të shkruara me beben e syrit mbi copën “ajrit” në kozmo.

Zarfa që nuk iu arrijnë destinatarëve. I vetëdijshëm, kërkon që ai Hi të jetë një hi-feniksi, humusi i të cilit do të shërbejë për ringjalljen.

Ëndërrat e tyre, ngelën në kosmo. Një zarf, me fjalë të mbetur pezull, që pikojnë gjak e klithma shpirtërash.

Një rregjistër anagrafik i paplotësuar. Listë emrash që ngelen si pikat e vesës mbi ujin e kthyer në avull.

Pranë, njẽ lule që mban erë plumbi. As zogjtë nuk pinë ujë në ato lëndina, kocka të bardha, që në palcën e tyre mbartin britmat e pafajësisë.

Rrugë… Diku një çorape e vetme, që ende frymon. Një këngë e mbetur mes rrudhave të buzëve të mekura, rrahje zemërash të mbështetur mbi petalet e një lulkuqeje. Gjurmë, këpucë të miturish nëpër dëborë. Banesa të heshtura, zëra të shurdhët. Shtëpi, ku jeta rrjedh me kafshime në shpirt. Furra nuk është ndezur më që nga ajo ditë e zezë. Në mur çanta e shkollës mbeti ashtu sterile, siç e lanë ato duart e pastra të të miturit, trupi i të cilit nuk gjendet. Diku një libër i mbështetur mbi komodinë.

Pranë djellit një lutje që përzihet me lotët e gjyshes që nuk shterojnë, gjyshit të mbështjellë me heshtjen e tij funebre. Nëna kërkon një copë tokë se ku mund të ta vajtojë të birin, i ati qëndron nën hijen e një qiparisi. Edhe vegjetacioni ngurron të mbijë në ato toka. Oaze gjaku, kapilarë që ende kërkojnë atë venë gjigade ku rreh pulsi i një jete të mohuar.

Njerëzore, do të thotë të jetosh me dinjitet, të vdesẽsh me dinjitet, të varrosesh me dinjitet, e të prehesh me dinjitet. Në këtë lendine me lule, copëza jete të bardha,të acarta, si thika që çpojne. Nje qytezë, një fshat, një popull, një fare: Shqiptar!

Ndërsa lexova këto poezi më vinin ndër mend vargjet e Pasolinit mbi Gjenocidin Ebraiko, ndoshta sepse gienocidet mbartin te njëjtën vulë: Kriminela që të zhdukin në embrion.

Autori, ne trajtimin e temës është i detajuar nē fjalë dhe në strukturë. Ai zgjedh formën, këtë e shohim që në kopertinë “Plagë qe bari s’i mbulon” ku (autori) në vend të pjesëzës mohuese “nuk”, perdor shkronjên “S ” me apostrof, kod i shkëputjes stronkimi i jetës kthyer në martirë.Me një gjuhë të thjeshtë, të drejperdrejtë sjellë tragjedinë e krimit e të gjenocidit në Kosovë.

Shënim: Libri më është dhuruar nga Zoti Ibrahim Xhejmali, Radio Televizioni Zëri i Kosovës në Danimarkë, gjatë tubimit përkujtimor të organizuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, mbajtur në Zyrih më 18\01\2026.

*Qendra albanologjike kërkime për gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Atë Antonio Bellusci, Frascineto/ 28/01/2026

Vërejtje:

Ornela Radovicka është kryetare e kësaj qendre në Frashinet të Kalabrisë. Në tekst është ruajtur të shkruarit e fjalës faqje – për faqe, djellit- për diell, kozmo – për kozmos, ebraiko për hebraik dhe drejpërdrejt- për drejtpërdrejt, stronkimi – për shkatërrim, italisht, si ngjyresa të arbërishtes.

ObserverKult


Lexo edhe:

Poetika e kujtesës së Ismail Sylës: Kur harresa nuk lejohet