Njeriu i dyzuar në romanin “Dushkaja” të Jusuf Buxhovit

jusuf buxhovi
Jusuf Buxhovi

Nga Kiço Mavro

Dua të shfrytëzoj rastin sot në këtë takim për të shprehur një nga bindjet e mia si njeri, mësues, intelektual dhe krijues, se kontestimi më i mirë i formimit të individit si njësi dhe i shoqërisë si bashkësi, është gjuha dhe historia.

Ato e bëjnë njeriun të shprehet bukur dhe saktë, të artikuloj mendime të vlerëshme dhe të thëna drejt, të jetë i dëshirueshëm në bisedë dhe objektiv në gjykim.

E them këtë sepse ky qëndrim i imi ,i shprehur sot këtu, i shkon aq shumë për shtat z. Buxhovi,i cili, në të gjithë rrugëtimin e tij si krijues, gjuhën dhe historinë i ka mbajtur jo vetëm të pandara, por shpesh lexuesi nuk e gjen kollaj se ku ta vendos autorin, te letërsia apo historia.

Jusuf Buxhovi besoj se është unikal në letërsinë dhe historiografinë shqiptare. Letërsia dhe historia për të nuk janë thjeshtë dy faqe të së njëjtës monedhë, por pashmangësishtë ato janë një dhe e vetme, të cilat autori në veprat e tij ka ditur me mjeshtëri ti kaloj secilën në shinat e veta.

Gjuha( kuptojmë dhe futim këtu dhe letërsinë ) si formë e shprehjes së mendimit dhe historia si fakt i zhvillimit kohor, pra letërsia dhe historia te Buxhovi janë plotësuese të njëra-tjetrës, ato udhëtojnë së bashku ,shpeshherë në paqe dhe shpeshherë në përballje, me të vetmin synim që çdo fakt të kthehet në realitet jetësor dhe vetë jeta në kujtesë historike.

“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse tërësia e fjalëve që dimë”- thotë një gjuhëtar. Jusuf Buxhovi nuk di vetëm shumë fjalë, të cilat me mjeshtëri artistike i ka hedhur në veprat e shumta letrare, por ai di dhe njeh mirë shumë realitete historike të vendit të tij, duke ngritur me këndvështrimin e vet një vepër monumentale për histpriografinë e Kosovës.

E përbashkëta në krijimtarinë e tij si gazetar, shkrimtar dhe historian është një truall dhe vetëm një, është Kosova.

Ajo është vendi ku lindin, marrin formë dhe flasin veprat e autorit. Ai flet për Kosovën e sotme, për atë çfarë po ndodh në kohën e tanishme, kohë të cilën e kishte menduar dhe ëndërruar krejt ndryshe me atë qe po ndodh realisht.

Buxhovi ka shkruar shumë vepra letrare ,nga të cilat, sot do të veçoj romanin “Dushkaja”.

Që në faqet e para të romanit lexuesi e kupton që “Dushkaja” është një roman ndryshe, me një formë të veçantë.

Teksti është ndërtuar mbi rrëfimin e një njeriu të dyzuar dhe si një dialog i dy anëve po të të njëjtit njeri. Po kush është ky njeri, ky personazh që dialogon me veten dhe pse?

Romani ka në qendër një burrë të shkuar në moshë, piktor nga profesioni, i cili, tashmë i mbetur dhe i mbyllur në atë “botë të ftohtë e të humbur”, në Dushkajën “e kapluar me thera e murriza”, por që ai “e merrte për skajin e vetëm të virgjër të botës”, flet e kundërshton veten.

Kështu ,një natë fundvjeshte, mes dyshimesh dhe hamendjesh, fillon dialog me Zërin. Kur e dëgjoi për herë të parë Zërin, piktori u përpoq ta gjente mes pikturave të tij në mur, por jo, atë nuk mund ta shikonte, vetëm do ta dëgjonte.

Kështu fillon e ndërtohet një situatë e rrafshit psikologjik që gjatë dialogut merr formë kuptimore.

Zëri nuk është asgjë tjetër veçse vetja e tij, pjesa e tij kundërshtuese. “Duhet ta pranosh se brenda teje ka qenë një zë pa zë dhe një heshtje me zë…”shprehet personazhi diku.

Pra, dialogët, në të vërtetë janë monologë që realizohen në dy zëra të të njëjtit personazh. Bota e parë dhe e ndjerë nga piktori deri tani, nëpërmjet rrëfimit të dyzuar, kthehet përmbys, është e gabuar sipas Zërit, anës tjetër, kundërshtuese të tij.

Duke bërë një analizë të veprave të tij, piktori ,në fakt analizon historinë dhe ngjarjet kryesore që ka kaluar ai dhe populli i tij.

Qendra e botës nuk është tjetër veçse Dushkaja, ”skaji i vetëm i virgjër i botës” në këtë pafajësi, ligjërimi për Dushkajën nga piktori dhe qëndrimeve kundër nga Zëri fillon dhe ndryshon brenda personazhit edhe Dushkaja, që nga ,”skaji i vetëm i virgjër i botës” bëhet ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” dhe në fund në ”skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë…”

Vërtet Dushkaja nuk del në roman si vend i përcaktuar, por me të rrëfimtari i veprës lidh çdo gjë të tij, prandaj dhe e idealizon atë. Zëri me këndvështrimin e tij e kthen përmbys gjithçka. Ne e kuptojmë se Dushkaja nuk është gjë tjetër veçse një gjetje metaforike që ngërthen brenda saj çdo vend e popull që është sfilitur nga luftërat e gjata e të pafndme, ku në fund fitues dalin maskarenjtë, të poshtrit, vrasësit, tradhëtarët.

Ka çaste që personazhi e vesh me ndjesi të bukura e dashurie Dushkajën, por nuk zgjat kjo ndjesi, sepse nga trysnia që ushtron Zëri e kupton që edhe ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” është “strehë e përhershme e vrasësve”, ajo “është vendi ku jetojnë vrasësit, por edhe të tjerët që paguajnë për të vrarë”.

Në roman mungon veprimi i jashtëm. Kjo nuk e tkurr romanin, përkundrazi, me dialogët mes Piktorit dhe Zërit veprimi hapet sa në kohë aq dhe në hapësirë.

Atje është një jetë e tërë me gjithçka përjetoi në rrugëtimin e tij njeriu artist dhe artisi njeri.

Gjejmë atje mënyrën se si e ka parë botën personazhi dhe si ngre dyshimin se gjithçka ka besuar deri tani është e rreme, e gënjeshtërt, e pavërtetë.

Mjeshtëria e Buxhovit qëndron në faktin se ai tërë këtë dyzim brenda një njeriu e ka dhënë me një zbërthim psikologjik të mrekullueshëm, që të tërheq e nuk të lë ta ndërpresësh leximin.

Autori është shprehur “se në këtë libër ka ndërlidhje me historisë dhe pjesës shpirtërore, duke shtuar se nuk mund të ketë histori që nuk ka histori të shpirtit”.

Romani “Dushkaja” është një tablo e qartë brenda kornizës së tranzicionit të Kosovës, vendit ku shkrimtari jeton, por ajo mund të jetë fare mirë dhe e Shqipërisë, nëse sjellim në kujtesë ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve në fillim të viteve nëntëdhjetë për liri dhe demokraci dhe realitetin e ditëve të sotme se sa e çfarë është liria dhe demokracia e fituar.

“Shoqëria jonë sipas mendimit tim e ka dorëzuar lirinë, ua ka dorëzuar atë dhunuesve të lirisë”- thotë shkrimtari në një intervistë.

Ky mendim i tij ma forcon bindjen pse Buxhovi nuk e ndan historinë nga veprat e tij.

Për të e tashmja është vetëm një përpunim modern i të shkuarës, “përsëritje e së njëjtës” dhe historia është shndërruar në “Histeri”.

Romani “Dushkaja” është një qëndrim qytetar dhe intelektual i ndërgjegjshëm për gjendjen e njeriut të pasluftës në Kosovë, që e do dhe e çmon shumë lirinë, por po kaq do dhe çmon faktin ta shoh veten të vlerësuar. Këtë situatë Buxhovi e ka dhënë me një ndjesi të lartë artistike.

*(Fjalë të thëna në takimin e autorit me krijuesit sarandiotë më 19.05.2022).

ObserverKult


Lexo edhe:

‘MACEDONIA’ E JUSUF BUXHOVIT TASHMË EDHE NË GJUHËN ANGLEZE

Jusuf Buxhovi: “Macedonia –From antique to our time”, botoi “Jalifat Publishing”, Houston, faqe 677.

Përkthimi i këtij libri në anglisht nga Avni Spahiu si dhe plasimi i tij në qarqet shkencore dhe universitare amerikane por edhe botërore në përgjithësi, siç ka ndodhur edhe me “Kosovën” në tri vëllime, është me interes të veçantë.

Kjo ngaqë përhap të vërtetën rreth Maqedonisë si pjesë e botës ilire nga antikiteti, të përvetësuar nga grekët dhe të përjashtuar nga historiografia institucionale shqiptare.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult