reklamë

Metafizika proverbiale e ajrit

ismail syla

Nga Ismail Syla

1.
Intimiteti më i vjetër në botë është ndarja e ajrit me dikë tjetër (si ndarja e bukës në varfërinë e sinqertë).
Ajri që nuk e ndan me askënd bëhet mjegull brenda teje. Të ndash ajrin do të thotë të lejosh tjetrin të ekzistojë brenda teje pa prekje. Ai nuk shihet, por pa të, çdo e vërtetë përplaset përtokë dhe mban mend çdo klithmë që nuk u tha kurrë. Edhe vetë zjarri digjet vetëm nga fakti që ajri i premton vazhdimësi. Ajri është materia e vetme që nuk plaket, vetëm harrohet.

2.
Kujtimet nuk ndodhin në kohë – ndodhin në ajër. Mushkëritë janë dhoma ku ajri vjen për të menduar.
Aty ku nuk ka ajër, e vërteta nuk gjen karrige ku të ulet. Kur ajri bëhet i huaj në trupin tënd, gozhdat e frikës të mbërthejnë në pore të lëkurës. Njeriu që nuk dëgjon, mbyt ajrin rreth vetes. Heshtja nuk është mungesë fjale, po ajër i paprekur nga zëri. Vetmia nuk është mungesë njerëzish, por tepër, shumë ajër pa zë.
Heshtja është ajër që ka vendosur të mos bëhet tingull. Njeriu i qetë nuk ka më shumë ajër, por më pak frikë nga tepria e oksigjenit. Ata që heshtin, zakonisht mbajnë më shumë ajër sesa zë.

3.
Ajri është hapësira ku mendimi provon krahët (kujto reklamën për Red Bull që të bën me krahë). Ajri nuk ka kufij, prandaj i mban sekretet më të rënda. Ajri nuk e shtyn kohën, por e mbush. Në mes të një krize, ajri bëhet më i dukshëm se fjalët. Ajri nuk mban anë, por gjithmonë mban peshë. Ajri është i vetmi dëshmitar që nuk thirret kurrë në gjyq. Mendimet e pathëna varen gjithmonë nga ajri i papërdorur, si uji i bujtur. Ajri thyen doganat, hyn pa leje dhe del pa lamtumirë. Ai ekziston para pyetjes dhe mbetet pas përgjigjes. Ajri e di gjithmonë kush po ikën, para se trupi ta pranojë. Është hapësira ku fjala vendos nëse do të lindë apo do të mbetet mendim. Është distanca midis frymës dhe zërit. Midis guximit dhe rrëfimit.

4.
Shpirti nuk ka kocka, por nga mënyra si merr frymë, merr formë. Ajri është territori i padukshëm i intimitetit. Njeriu flet për të mos dëgjuar zhurmën e ajrit brenda vetes. Kur dikush të mungon, mungesa e tij peshon në ajër, jo në tokë. Të duash do të thotë t’i japësh tjetrit qasje në ajrin tënd. Kur dashuria mbytet, zakonisht ajri ikën i pari. Trishtimi fillon aty ku ajri ngushtohet. Njeriu ndryshon vetëm atëherë kur ajri brenda tij ndryshon ritëm. Ajri është mënyra si njeriu e duron veten.

Zagreb, 14 maj 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Flijimi kolektiv