Bardhyl Zaimi: Kakofoni

Nga Bardhyl Zaimi

Të gjithë duan të flasin, askush nuk e ka ngenë të dëgjojë. Secili dëshiron të thotë diçka pa e ditur se çfarë. Një panair i madh fjalamanie pa asnjë kuptim. Po e quajnë edhe debat, diskutim, dialog. Zhurmë gjithandej, zhurmë shurdhuese, pastaj heshtje pafuqie. Sepse ekstazat e fjalaminisë gjithnjë përfundojnë në heshtje torturuese, të pashpjeguar. Një gojë e madhe çirret të na shurdhojë dhe nganjëherë e pagëzojnë opinion publik, e drejta e fjalës. Në rregull, por jo aq afër veshit tonë të lënduar me britma. Secili ka mendimin e vet, por pa saktësuar se çfarë nënkupton një mendim. Po, çfarë mund të jetë mendimi, pa kultivim, pa atë arsyetim të logjikshëm dijeje. Mjafton të flasësh, të jesh pjesë e kakofonisë, sepse të flasësh do të thotë të jesh! Sidoqoftë, të dëgjosh tjetrin mbetet art i vështirë, të dëgjosh atë që ka për të thënë diçka të vlefshme. Po, çfarë është ajo diçka e vlefshme? Mbase një pëshpërim, që na bën të kuptojmë se përtej fjalamanisë, ka një heshtje, ka një artikulim, ka një dimension jete, që ia vlen të diskutohet urtësisht, pa mendjemadhësi dhe projektorë dukjeje!

ObserverKult


Lexo edhe:

Bardhyl Zaimi: Shkruaj për të zgjeruar kufijtë e lirisë…