
Nga Manjola Nasi
Qysh në fillim, me titullin, romani më i fundit i shkrimtares Majlinda Bregasi, “Shtëpia pa pasqyrë”, na fton të hyjmë në një botë ku e përditshmja me elementët e saj të njohur e të zakonshëm vihen sakaq në dyshim. Si do të ishte një shtëpi pa pasqyrë? Çfarë njerëzish jetojnë në të dhe çfarë i bën ata të mos t’i kushtojnë rëndësi, apo më shumë akoma, t’i shmangen, një objekti kaq të thjeshtë e të kudondodhur? Çfarë lloj realiteti kanë më të lehtë ta përballojnë pa i drejtuar vetes sy zhbirues? Dhe si është, pastaj, të jesh fëmijë në një shtëpi të tillë, ku vetja mbetet e panjohur, thuajse abstrakte, e parë vetëm nga një këndvështrim që e bën të ndryshme nga kushdo që ke rrotull?
Po ndërkaq, përtej titullit, romani fillon me një thjeshtësi të qashtër, pa bërë hapur asnjë nga këto pyetje: lexuesi shikon fëmijë që rriten, luajnë, u përmbahen kufijve ose i shkelin me kujdes, ndërsa jeta e tyre rrjedh pa ngjarje shqetësuese, pa shenja alarmi në horizont. Kjo hyrje e qetë, pothuaj e pafajshme, krijon një kontrast të qëllimshëm me tensionin që do të krijohet gradualisht, gati pa u ndier jo për shkak të natyrës së skenave të veçanta, po ngaqë lëvizja e vazhdueshme nga njëra te tjetra e mban këtë tension vazhdimisht nën kontroll, pa e lënë atë të kulmojë para se ta ketë përfshirë lexuesin plotësisht në vorbullën e fateve të personazheve.
Struktura e fragmentuar e romanit është një nga elementët e tij më interesantë: skenat, kujtimet dhe këndvështrimet ndërthuren për të formuar një mozaik që e dora-dorës e shndërron shtëpinë, metaforën qëndrore të romanit, në një labirint pasqyrash, ku në çdo kthesë fshihet një tjetër përmasë e jetës së personazheve. Lexuesi i shikon si zgjedhin ata të përballen me imazhin e vetes, sa të guximshëm janë për ta parë në sy pa shtrembërime dhe pa frikë të vërtetën dhe, tej kësaj, çfarë çmimi ka për ta ky mëtim i vështirë.
Pjesë e këtij guximi mbetet tema e fuqishme e përballjes me një skemë më të madhe: ajo e fatit të individit karshi fatit të popujve, një temë shumë komplekse të cilën Bregasi e trajton me ndjeshmëri të veçantë. Përpjekjet e personazheve për të kuptuar veten e të kaluarën e tyre marrin një përmasë të re, jo të zhveshur nga përgjegjësia e zgjedhjeve, po të gërshetuar me faktorë që i kapërcejnë ata vetë, në trajtën e ndikimit të paparashikueshëm që kanë këto zgjedhje. Romani u drejton personazheve pasqyrën e përballjes me fajin: a na shfajësojnë rrethanat e jashtëzakonshme si lufta dhe trauma? a e falim veten? si dhe sa e falim? A e meritojmë këtë falje? A janë forcat që qeverisin fatet tona në të njëjtën mendje me ne, apo zgjedhin të na e japin përgjigjen kur nuk e presim?
Këto pyetje gjallojnë nën sipërfaqen e një rrëfimi të rrjedhshëm, ndërtuar me një gjuhë të fuqishme, të drejtpërdrejtë, që e kontrollon me kujdes ritmin e zhvillimit të subjektit. Bregasi i lejon detajet të flasin vetë përmes përzgjedhjes së tyre të mirëmenduar, po edhe pranëvënies, gjë që u jep atyre ngjyrime të reja.
Ky kombinim organik mes elementeve strukturore dhe brendisë, i denjë për një roman tërheqës e të thellë si “Shtëpia pa pasqyrë”, krijon një hapësirë reflektimi ku lexuesit i jepet mundësia të zgjedhë vetë deri në ç’masë arrin të shqyrtojë elemente si identiteti, kujtesa dhe mënyrat si njeriu apo shoqëria mëson të trajtojë veten dhe të kaluarën.
ObserverKult
Lexo edhe:
Shtëpia pa Pasqyrë – një rrëfim unik për veten, tjetrin dhe luftën mes tyre






