Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily (Foto)

Mozaiku i Tiranës është nominuar për çmimin prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2026” nga platforma ndërkombëtare e arkitekturës ArchDaily, duke e vendosur kryeqytetin shqiptar në qendër të vëmendjes së skenës globale të arkitekturës bashkëkohore.

Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se projekti “Mozaiku i Tiranës – Ndërhyrje Kulturore”, i realizuar nga studioja arkitekturore SONarchitects, përfaqëson një shembull të suksesshëm të ndërthurjes mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës moderne.

“Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily. Projekti “Mozaiku i Tiranës – Ndërhyrje Kulturore”, i realizuar nga SONarchitects, përfaqëson një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore. Ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes”, shkruan Gonxhja.

Mozaiku i Tiranës është monument kulture i kategorisë së parë, i shpallur si i tillë në vitin 1973. Ndërhyrja arkitekturore e fundit e ka rigjallëruar këtë sit përmes ndërtimit të një strukture bashkëkohore, me dizajn të frymëzuar nga simbolet dhe gjuha vizuale e vetë mozaikut, duke krijuar një dialog harmonik mes historisë dhe së tashmes.

ArchDaily, e njohur si “zëri i arkitekturës”, është platforma më e vizituar në botë për arkitektët, dizajnerët dhe profesionistët e fushës. Prej më shumë se 17 vitesh, ajo shërben si burim kryesor informacioni, frymëzimi dhe promovimi për projekte arkitekturore nga e gjithë bota.

Ky nominim konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar dhe një tjetër hap për pozicionimin e Tiranës si një qytet që promovon zhvillimin urban në dialog të vazhdueshëm me trashëgiminë kulturore./rtsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Përroi dhe lumi