“Oh ato ditë të bukura”, në skenën e Teatrit Metropol

Teatri Metropol sjell në skenë premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett-it me regji nga Arben Kumbaro.

Vepra e cila është cilësuar një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe” e skenës, Yllka Mujo. Shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.

“Oh ato ditë të bukura” është përzgjedhur për t’u vënë në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori i njohur Arben Kumbaro përgjatë 13 netëve duke nisur nga dita e nesërme.

“Qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë. Në këtë kohë fatkeqe të pandemisë.

Vepra është në kufijtë e një monodrame dhe do interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo.

Duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike. Kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij.

Vepra ka vlera të jashtëzakoshme aktuale. Dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore. Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë”, shprehet regjisori Arben Kumbaro.

“Oh, ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit Nobel.

Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë.

Vepra është kryesisht një monodramë. Ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër.

Në pjesën e parë Vini, një grua rreth të gjashtëdhjetave është e zhytur deri në mes në një grumbull rëre në shkretëtirë. Siç e cilëson dhe autori, e cila në këtë projekt trajtohet si një grumbull mbeturinash rëre dheu dhe inertesh. Për të kujtuar disi shkatërrimin pas një fatkeqsie natyrore (tërmeti) në të cilën ajo ka ngecur aty prej kohësh që s’mbahet mend.

Rreth saj zvarritet i shoqi, Vili, që lexon gazetën dhe hera herës ngrohet në diell. Vili pothuaj nuk flet fare gjatë gjithë kohës. Vetëm shumë rrallë i përgjigjet Vinit kur kërkon ndonjë mendim, disa herë thjesht murmurit.

Ndërsa Vini që e shtyn kohën duke u marrë me ombrellën e diellit. Çantën e saj dhe objektet që nxjerr prej çantës kujton ditët e bukura që kishte kaluar kohë më parë….

Në fakt nuk është shumë e qartë nëse vërtet ajo ka kaluar ditë të bukura në jetën e saj. Apo ka ëndërruar dikur se sa ditë të bukura do kalonte ajo gjatë gjithë jetës. Apo ditët e bukura janë më tepër një besim metafizik e filozofik. Me të cilën ajo ndihmon veten për të qenë gjallë.

Në pjesën e dytë ajo është e zhytur deri në grykë në tokë, vetëm me kokën përjashta dhe vazhdon të kujtojë apo të flasë për ditët e bukura. Hera herës Vini mban një maskë në fytyrë kundër një pandemie të supozuar…

Skenografia e realizuar nga Ardian Kapo është menduar sipas nevojave të diktuara edhe prej autorit. Ajo do të sjellë në skenë vizualitetin e një toke të shkretë me stalaktite dhe stalakmite ku personazhi kryesor do të qëndrojë në qendër të skenës i zhytur në dhé deri në mes dhe i ngecur në këtë realitet nga ku nuk mund të shpëtojë dot.

Gjithashtu dhe muzika është menduar të jetë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje ku do të ndërthuret muzika instrumentale dhe vokale duke ruajtur atmosferën në të cilën zhvillohet shfaqja dhe vendi ku zhvillohet./ATSH

LEXO EDHE: “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris”, premierë në “Teatrin e Metropolit”