
Nga Vangjush Ziko
Kam përpara tregimin psikologjik të prozatores Esmeralda Shpata me titullin “MOTIV”. Fjala “motiv” nënkupton një forcë të brendshme apo të jashtme që e shtyn njeriun për një veprim apo sjellje në jetën e vet. Kemi, pra, një tregim psikologjik, që na flet për një veprim, që bëhet shkak për zgjimin e ndërgjegjes.
Tregimi fillon me një pyetje që bëhet nga një telefonatë e beftë: “Ajo: – Alo! A ke tradhtuar ndonjëherë?” dhe vazhdon me një përgjigje, që, në fakt, është më shumë një alibi, një dëshirë për t’iu shmangur pyetjes:
“Ai: – Alo! Pse ma bëre këtë pyetje?!”
Tregimi ka në themel temën e ndershmërisë reciproke në marrëdhëniet intime të një çifti. Autorja e ka ndërtuar strukturën e këtij tregimi mbi interpretimin, që ajo u bën të dy pyetjeve. Fraza, me të cilën fillon tregimi, na e bën të qartë atmosferën e ngarkuar psikologjike të tij:
“Pingërimë. Mendimi ka një pjesë të zbërdhulët te nyelli” e nis tregimin autorja.
Pingërima ose cicërima të shtyn për një krahasim me mesazhin që një zog i dërgon një një zogu tjetër, që nënkupton mesazhin që personazhi Ajo i dërgon personazhit AI.
Ky “mesazh” na qenka “i zbërdhylët”, i ka dalë boja, është kthyer në një piskamë. Tema e tregimit është zhbirimi i karakterit të personazhit, që dyshohet për tradhti bashkëshortore. Kemi, pra, një tregim psikologjik që eksploron “personin brenda personit”, personazhin Ai, të cilin e zë në befasi “cicërima e zogës” Ajo.
Autorja shkruan: “Ai qeshi dhe u çudit me pyetjen. Mbylli grilat e dhomës dhe iu lëshua errësirës me të gjitha kujtimet e dikurshme.”
Habia e tij dhe mbyllja e grilave të dhomës janë veprime konkrete, por këto nuk i mjaftojnë autores për të përcjellë ankthin, që i shkaktoi personazhit ajo pyetje.
Autores i intereson stuhia emocionale e personazhit, shpirti i tij i turbulluar: “Ai iu lëshua “errësirës që e tronditi me “kujti(met) e dikurshme”.
Të dy këta togfjalësha janë plotësa, që, plotësojnë veprimin e kallëzuesit “u lëshua”. Të dy këta plotësa marrin vlera emocionale. Kredhja e personazhit në kujtimet e kthejnë atë në “një qenie të tejdukshme”, shkruan autorja.
Vetë plotësi “qenie e tejdukshme” pohon dobësinë që ai ka patur ndaj dëshirave të ndaluara dhe se ai, pas kësaj telefonate, duhet të ketë kujdes me sjelljen tij në marrëdhëniet intime në jetë.
Autorja vazhdon të na përshkruajë hamendësimet dhe zhbirimet e shpirtit të tronditur të personazhit me simbolin e zhestit të tij pervers dhe metaforat pasuese: “Tradhtia rrinte shtrirë në shtratin me dru arre dhe i ndiqte me sytë e mëdhenj lëvizjet e tij.”
Para syve të ndërgjegjes së tij të traumatizuar i shfaqet simboli autentik i perversitetit të vet erotik: “Iu faneps si matanë xhami një hije mëllage lulevishnje. Nga ato që mbinin vetë pas shirave të prillit rrëzë mureve të shtëpisë.
Kur ishte djalë lulemëllaga i ngjante të mluarës së tij. Kur u martua, ajo iu shfaq në një version të ri ilegal. E përndiqte si një frutë e papllenuar, e skuqur dhe e fortë në ngasje.”
Personazhin nuk e mbron dot asnjë argument! Ai duhet t’ i përgjigjet ndershmërisht pyetjes, që iu bë: “A ke tradhtuar ndonjëherë?
Dhe Ai vetëdorëzohet, i vesh vetes së vet “këmishën e forcës”, vetëndëshkohet: “Mendimit i preu një palë rroba shumëngjyrëshe e të trasha, të cilat i kopsiti e i shtrëngoi sa i morën frymën. Ato mëtojnë e besojnë se mbajnë ngrohtë dhe kur s’ ke dëshirë”.
Tregimet e autores kërkojnë një vëmendje maksimale për të kuptuar brendinë dhe veprimet e personazheve të saj.
Këto tregime, që unë i quaj psikologjike, sinergjinë e tyre komunikuese e kanë në analizën psikologjike. Ato janë shkrime të lindura jo nga fantazia, por nga mendimi, nga meditimi i thellë mbi karakterin e njeriut, mbi fatin e njeriut si një qenie sa e brishtë po aq dhe enigmatike, qenie e cila udhëhiqet nga pasione dhe dëshira të befta, të cilat ia torturojnë mendjen dhe ndërgjegjen.
Esmeralda Shpata ka arritur të ketë stilin e vet me të veçantat strukturore dhe stilistikore, me mënyrën e qasjes ndaj gjuhës dhe mënyrën e ndërtimit të rrëfimit psikologjik.
Rrëfimi përqëndrohet në gjendjen psikologjike të personazhit, në lëvizjet delikate të shpirtit, në detaje konkrete të sjelljes së tij. Figurat stilistikore si metafora dhe simboli zenë një vend të veçantë në shkrimin e saj.
Si njohëse dhe zotëruese e gjuhës dhe e mundësive që ka gjuha, sidomos, sintaksa, shfrytëzon me mjeshtëri plotësat, për të tërhequr vemendjen e lexuesit dhe për ta bërë atë që të meditojë emocionalisht.
Mjeshtëria rrëfimtare e Esmeralda Shpatës ka arritur një klas të rrallë, të lakmueshëm artistik dhe estetik në gjininë e prozës së shkutër psikologjike, arritje kjo që dëshmon për pjekurinë e stilit të saj të përvetshëm e të papërsëritshëm.
ObserverKult
Lexo edhe:






