
Nga Ndue Dedaj
Po Ju paraqesim një libër, që thërret për shenjtërinë e tekstit letrar, autenticitetin e tij, shqip: paprekshmërinë në asnjë rrethanë, nga askush, redaktor, botues, as nga familjarët e shkrimtarit, kur ai nuk rron më. Ngasja për ta ndryshuar, “përmirësuar”, “bërë me të kuptueshme” veprën letrare të këtij apo atij autori, pas vdekjes, ka qenë e përhershme, gjer te prekja e gjuhës së Fishtës, që për fat nuk ka ndodhur…
Studiuesja e letërsisë Natasha Spahiu Lushaj pati botuar një çerek shekulli më parë (në vitin 2000) librin fort të vlefshëm “Komenti mes artit dhe shkencës”, që shërbeu si një tekst alternativ për mësimdhënien e letërsisë në shkollat e mesme. Kujtoj që ndër të tjerë e pati vlerësuar këtë libër metodik edhe poeti e përkthyesi Perikli Jorgoni. Autorja deri atë kohë kishte pasur një përvojë të gjatë si mësuese letërsie në disa rrethe të vendit, çka do të thotë se i njihte nga terreni mësimor mangësitë e teksteve të kësaj lënde. Ne e njihnim zellin kërkimor të saj, pasi kishim qenë bashkëstudentë në kursin pasuniversitar të kritikës letrare në Universitetin e Tiranës në vitin akademik 1986-1987.
Dhe ja ku Natasha na befason përsëri, kësaj here dhe më shumë, me një tjetër libër sudimor, të vëllimshëm, me titullin “Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik”, botim i “Neriada”, 2024. Ky libër, ndonëse nuk ka një auditor të gjerë lexuesish, është nga më të veçantit në rrafshin e studimeve letrare, pasi ngre një problematikë tejet të rëndësishme, atë të “tekstit fals” (falsifikuar), siç e quan autorja, që duhet shmangur nga botimet tona.
Për lexuesin e zakonshëm mund të duket e habitshme se si mund të falsifikohet një tekst letrar pas vdekjes së autorit, por studiuesja sjell si shembull, duke e analizuar imtësisht, romanin e shumëpërfolur të Petro Markos “Një emër në katër rrugë”, që nuk iu nda fati i keq as pas 90-ës, kur duhej ribotuar sipas tekstit autentik të 1973-it, kur u vu në qarkullim për here të parë dhe u ndalua menjëherë, duke mbetur rrallë ndonjë kopje e paasgjësuar. Por nuk ndodhi kështu, romani pati një botim të dytë do të thoshim të “ripunuar” në vitin 2010, ndërkohë që autori nuk rronte më. Studiuesja e kritikon e fshikullon këtë botim, ku është vënë dorë në tekstin autentik autorial, duke bërë përshtatje, kinse që të vijë më natyrshëm në kontekstin e sotëm social-kulturor. Ajo pohon se autorësia e tekstit fals, apo “dora e huaj” që ka ndërhyrë ose e ka shkruar nga e para romanin e sipërpërmendur lidhet me familjarët e autorit ose ka qenë nën kujdestarinë/vëzhgimin e tyre. Duke u ndaluar në njërin e nga pasazhet e romanit “Një emër në katër rrugë”, studiuesja ballafaqon tekstin origjinal të shkrimtarit me atë të manipuluar, ku në këtë të fundit, shkruan ajo “kemi një kronologji të cunguar të karvanit të ikanakëve mbretërorë…” (f. 270), duke dëmtuar tekstin arketip dhe stilin e autorit.
Duhet lexuar libri për të kuptuar këtë mbrapshti, krejtësisht të panevojshme, ndonëse nisur nga e “mira” e veprës. Pa u zgjatur më tej, libri i Natashës iu shërben botuesve, redaktorëve, korrektorëve, por dhe familjarëve të shkrimtarëve që kanë ndërruar jetë, që në asnjë rrethanë të mos vënë dorë në tekstet autentike, duke krijuar atë që autorja e quan “teksti fals”.
Kjo është njëra nga anët e këtij studimi ballafaques, teksa ai merret gjithashtu dhe me një tjetër problematikë, atë të arketipit dhe neoarketipit, që kanë të bëjnë me tekstin e parë të një vepre letrare dhe ripunimin e saj nga vetë autori, duke marrë në analizë për këtë romanin “Kështjella” të Kadaresë në sy botimet e tij, 1970 dhe 1981.
Libri “Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik” të Natasha Lushaj prihet nga parathënia e shkrimtarit Agron Tufa, si njohës i hershëm i kësaj problematike, afro njëzet vjet më parë, kur autorja pjesë të këtij studimi i kishte botuar në gazetën letrare të drejtuar prej tij, “Fjala”.
Vetëm qëllime fisnike, humane, letrare, studimore mund të bëjnë një autor të ndërmarrë një punë kaq skrupuloze me tekstet e veprave, ndërkohë që në kohën e sotme mbizotërojnë shikimet e përcipta dhe janë të rrallë kritikët seriozë.
ObserverKult

Lexo edhe:






