reklamë

Mustafa Balje: Fluidi

​Frymëzuar nga vetmia e Sarës

​Qëndroj para portës: Dëgjoj
Sa dryrë, me kohë, janë vendosur mes…
As vrimë çelësi nuk ka që përtej të shihet një fije e së panjohurës…
Kodet ka kohë që i kam harruar.

​M’i tha ustai, që e njeh shpikësin,
të gjitha mënyrat dhe hapat e hapjes.
Mendoja: Sa e thjeshtë, por nuk ishte.
Dhe pyetja veten: Si duhej të hapej dryri?

​Udhëtoj gjatë, duke bartë derën nga njëra valixhe në tjetrën.
Ato mbajnë shumë etiketa.

​Dikur ishte një kohë në fund të orës prej rëre,
kohë fjalësh që nëpër portë endin
rrjetën e merimangës,
por gabimisht shkrepi shkëndija, diku.

Të gjitha fjalët mbetën të errëta prapa dyerve prej tapicerie
si një punëdorë delikate në një pëlhurë të zverdhur.

​Ç’kohë e pakohë…
Ai që dëgjon, s’di të flasë,
e ai që, mbase, di të hapë, i shurdhër është.
Koha kalon.
Pandeh, qëndron prapa.
Mendoj: Hajde ta thyejmë derën, t’i thyejmë drynët!
Janë kohë të pasigurta, sytë e mësyshit e kanë dendur ajrin,
erërat e forta në prangat prej betoni të murosura.

​Si të dal?
Troket. Të flas. Nuk dëgjon.
E di se pandeh se jam prapa, por nuk ke kohë të presësh që ta gjej kodin.
Çelësat në dorë, të pavlerë e të pamjaftueshëm.
Brenda meje digjet dëshira të të prek
nga rrënja në maje.

​M’u kujtua kodi
por e harrova portën.
E di se po i dëgjoj të rrahurat
dhe drithmat e fijeve të tua të zemrës.

​Rrjedh fluidi në dhomën prej mureve me grila
vetëm një vakum i lashtë memec na ndan.

Përktheu nga gjuha boshnjake: Qerim Ondozi

ObserverKult