reklamë

Ribotohet libri i Halil Matoshit “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe”

halili

Shtëpia Botuese Littera ka ribotuar librin e Halil Matoshit “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe – Një kallëzim krejt personal për luftën, burgun dhe lirinë”

Në formën e një rrëfimi personal, libri shpalos përjetimet e autorit gjatë luftës, arrestimin dhe mbajtjen e tij në burgjet serbe.
Matoshi ndërton një tekst që ndërthur dëshminë historike, meditimin etik-filozofik dhe shkrimin letrar.

Botimi i ri vjen i rishikuar dhe i përpunuar nga autori, si një rikthim i kujtesës dhe një përpjekje për ta rivendosur këtë tekst në horizontin e leximit bashkëkohor, në një kohë kur dëshmitë për luftën dhe lirinë mbeten pjesë e pandashme e reflektimit kulturor dhe historik për Kosovën.

Shënim i autorit:

halil matoshi

Duke qenë se botimi i këtij libri para çerek shekulli, nga “Zëri” (2000) nuk gjendet në librari, por tashmë njihet në publik si “Libri i Zi”, si burim bibliografik për dokumentimin e rezistencës civile dhe luftës çlirimtare në Kosovë, me idenë e Donika Dabishevcit, themeluese e Shtëpisë Botuese Littera, vendosa për ribotimin e tij.

Në këtë botim, aty ku e kam pa të arsyeshme, pas një distance kohore, e kam estetizu fjalën e konsolidu fjalinë.

Ndoshta leximi edhe mund të rikthehet si mënyrë jetese, ndoshta brezave u intereson, se ku ishim dhe çfarë bëmë, akëcili nga ne!

Ose, thjesht lë të vlejë ky ribotim si një refresh kujtesës.

Dhe Donika më tha: “Libri i ka mbijetuar mijëvjeçarët! Ai nuk del nga historia.”

Ashiqare, rezistenca ishte zgjedhja jonë, e heqamat, çmimi që paguam.

E disa në Kosovë, si Jasharajt, Haradinajt, e shumë tjerë, që e kanë oborrin e shtëpisë plot vorre të më të dashurve të tyre, nga lufta e fundit, janë shndërruar tashmë në shenja sakrale. Sakrifica e tyre, nuk thuhet me fjalë, nuk është mit, që zgjatimi në kohë e shndërron në besim, por e jetuar njëmendët, zhgjëndërr, fakt historik, sëkëndejmi me kalimin e moteve, kjo e vërtetë prarohet e matet vetëm me çmimin e lirisë.

Gjuha është e varfër për emnesën e flijimit të tyre, të pashembullt.

Ishte kreni me bashkëvepru me Brahim Rugovën, në vitet e stuhishme ‘90 të shekulli 20, me u mësu ngat tij me refuzu estetikisht dhe ballëpërballshëm, e me thanë Jo! Ai i dha drejtim perëndimor e zë demokratik një populli pa liri, pa shtet, pa ushtri.

Rugova me vizionin e tij e bëri të pamundshmen, duke i bërë tubë shqiptarët kosovarë, që e kishin vullnetin, por jo durimin si virtyt, që e kishin ëndrrën e lirisë, por jo një ide emancipuese e demokratike, që i lidhte për bashkëveprim. Nuk kishin as armët dhe as aleatët.

Rugova i dha Kosovës lidhjën dhe njohjën – sepse zuni miq të mëdhenj – i dha edhe urti, sepse ai vinte në skenë i përndritur me idetë e humanizmit european. 

Edhe në botimin e dytë ndihem me borxh me e rithanë me zë të lartë: Ky libër është shkruar së bashku me ata burra dhe gra të Kosovës që i dolën zot kësaj toke, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pa luftën e tyre, kurrë nuk do të shkruhej e as nuk do të botohej ky libër.

Ky libër shkruhet së bashku me kolegët e mi, gazetarë, që i dhanë gjuhë një kohe të nemitur e plot ankth.

Sëbashku, e fituam luftën për të vërtetën e Kosovës.

Në botimin e dytë, i vetëdijshëm që s’mundem t’u dalë hakut, jam përpjekë së paku, t’i përkujtoj me përulësi të gjithë njerëzit e mi, që më kërkuan në gropa gelçerore, duke rrotulluar kafka në varreza masive. Mirënjohje e posaçme vëllaut tim të vogël, Fadilit, por edhe të gjithë atyre njerëzve që ma patën hatrin dhe nuk reshtën me u angazhu për fatin tim.

Të njohur e të panjohur.

Disa nga ta ishin në gjendje të sakrifikonin e rrezikonin vet, e njerëz të tyre – në një mision si në filmin Hollywoodian ARGO – që t’më nxirrnin gjallë nga Kampi i Përqendrimit, “Zabela” të Pozharevcit, veçmas Ramush Haradinaj, Blerim Shala, Bardh Hamzaj (tashma i ndjerë) dhe Hysen Gashi.
Lumni me jetu në epokën që jetuan edhe këta njerëz.

P.S

Shkrimin e mbaj tashmë si talisman rreth qafe, e kam mënyrë jetese, ndonëse ndonjëherë më ka peshuar si gur mulliri; përpiqem qe me shkrim me i emancipu edhe pasionet edhe botëkuptimet vetanake, si njëfarë autoanalize, sëkëndejmi kam bërë ndonjë ndryshim të vogël, korrektim apo ndreqje gabimesh eventuale, saktësim ose menjanim të ndonjë shënimi a skice pune përgatitore.

Në fund, unë e pranoj të drejtën e evoluimit në botëkuptim!

Fjala e redaktorit Pal Shtufi

NJË HISTORI E JETUAR

Nuk e kam të vështirë të shkruaj për librat e Halil Matoshit. Nuk e kam të vështirë të shkruaj as për jetën e tij. E vështirë është të shkruash pak, si për jetën, ashtu edhe për librat e Halilit, sepse të dyja janë të mbushura me ngjarje, përjetime dhe peshë kohe.

Libri që keni në dorë, “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe”, është botim i vitit 2003, por, siç pohon edhe vetë autori, shkrimi i tij kishte nisur që në vitin 1999. Kjo dëshmon se te Halili shkrimi dhe përjetimi janë të pandashëm. Historia e shkruar është histori e jetuar. Madje, nganjëherë është e vështirë të dallosh se cila vjen e para: historia apo shkrimi. Gjatë golgotës së tij, këto dy rrjedha ndërrojnë vendet.

Siç do ta lexoni në këtë libër, më 21 maj 1999 ushtarët serbë e arrestuan Halil Matoshin në shtëpinë e tij. Në kuzhinë e mbështetën me fytyrë nga muri. Ishte një çast i rëndë. Disa prej ushtarëve e godisnin, të tjerë ulërinin me egërsi: “Vriteni, vriteni!”. Përballë kësaj klime kërcënimi, Halili ishte përgatitur për më të keqen. Ai e ndiente se vdekja mund të ishte fare pranë, por në ato çaste mendonte vetëm për fëmijët dhe familjen, duke u lutur që ata të mos e pësonin të njëjtin fat. E kishte harruar Veten.

Pasi e prangosën, gruaja e tij, Iliriana, iu afrua me disa rroba në duar, që ai t’i merrte me vete, sepse kishte veshur vetëm rroba sportive. Por, për habinë e të gjithëve, Halili nuk pranoi. Askush nuk e kuptoi arsyen e atij refuzimi. Vendimi i tij mbeti i heshtur, i mbyllur thellë brenda vetes, si një mendim që nuk gjen dot zë.

Vetëm pas tetë muajsh Halili e shpjegon atë çast, në një bisedë telefonike me gazetarin Blerim Shala, i cili i telefonon Halilit derisa ky ishte në Beograd, në dorë të Kryqit të Kuq. I pyetur pse nuk i kishte marrë rrobat që i ofroi Iliriana, Halili u përgjigj me një fjali që mbart gjithë peshën e kësaj drame:

“Mendoja se do të më likuidonin, prandaj e shihja të tepërt të ndërroja rrobat. Të vdekurit nuk u duhen petka të reja…”

Në këtë përgjigje të shkurtër përmblidhet, në një farë mënyre, i tërë rrëfimi i këtij libri. Halili kishte kohë që jetonte me praninë e vdekjes. Ai e priste atë, sepse jetët e shqiptarëve shuheshin nga dora serbe anembanë Dardanisë. Nuk ishte hera e parë që Halil Matoshi gjendej në një situatë kufitare, në pragun mes jetës dhe vdekjes.

Më 10 qershor 1999, kur Halilin, bashkë me shumë të tjerë të zënë robër, e transferonin për në Serbi, në dalje të Prishtinës ai kishte bërë një “mëkat”: kishte menduar se ai udhëtim ishte fundi. Me kërkesën e një të robëruari tjetër: “Ngrije kokën dhe shihe Prishtinën për herë të fundit”, Halili kishte refuzuar. Një refuzim që ai e përshkruan me një ndjenjë të thellë në këtë libër:

“Nuk kam guxuar ta shoh. E kam tradhtuar pamjen e Prishtinës. Mendoja për një vetmi të madhe të përtejkohshme. Zbrazëti e pafundme. Nuk do ta shihnim më qytetin, njerëzit, lulet… Nuk do ta preknim ajrin, barin dhe dorën e fëmijëve.”

Halili nuk ishte i vetëm.

Siç e thashë në fillim, në këtë libër përfshihen shumë shkrime, ngjarje dhe personazhe, para dhe pas luftës. Nga secili rrëfim, lexuesi mund të nxjerrë mësime për një epokë të rëndë, kur etnisë shqiptare i kanosej shfarosja. Por, falë një fati të papërsëritshëm, ndodhi shpëtimi i madh. Më 12 qershor 1999 Kosova u çlirua. Halili u vonua. Liria erdhi para tij. Ai priste nën ankth. Në kamp. Në Serbi.

Megjithatë, Halili u kthye më 27 janar 2000.
Ai tani jeton përgjithmonë!

ObserverKult


Lexo edhe:

“Letra nga burgu & ese tjera”, libër i ri nga Halil Matoshi