
Nëse një ditë do të më humbësh mes turmës…
mos u lodh duke numëruar fytyra!
Sytë mashtrohen lehtë.
Ata shohin forma.
Nuk mbajnë thelbin e asaj që rreh brenda.
Shko atje, brenda teje… ku fillon trazimi!
Aty ku rrahjet s’mbajnë më ritëm,
fryma të ngatërrohet pa arsye,
e një boshllëk të thërret me emrin tim,
që nuk kërkon përgjigje,
veç prani.
Njeriu nuk është pamje.
Është ndikim.
Nuk ekspozohet ndikimi, jo!
Ai zhvendos rendin e brendshëm,
ndryshon peshën e mendimeve,
e bën mungesën
të marrë formë brenda teje
dhe të kërkojë vend.
Nuk do të jem në sy.
Do të jem në atë çast…
kur e kupton,
se mes gjithë zhurmës së botës,
zemra jote e di…
vetëm një adresë.
Një e vërtetë që vazhdon të rrahë
edhe kur përpiqesh ta heshtësh.
Aty do të dorëzohesh,
pa mbrojtje, pa zë!
Nuk është vend në hartë,
është domosdoshmëri e qenies.
Aty ku mungesa ime
nuk është boshësi…
Aty, mu aty,
do të dorëzohesh!
Atëherë kur çdo rezistencë
do të bjerë si lëkurë e vjetër
dhe do të mbetet vetëm e vërteta,
që s’ka më ku të fshihet.
ObserverKult
Lexo edhe:






