
Agron Y. Gashi: “PARADIGMA PIPA”, Artini, Prishtinë, 2025
Shkruan: Sidorela Parallangaj
Libri studimor Paradigma Pipa” i Agron Y. Gashit, studiuesit dhe profesorit të letërsisë, u botua në vitin 2025 nga shtëpia botuese “Artini” në Prishtinë dhe gjeti menjëherë rrugën drejt një audiencë të gjerë. Në 346 faqe, libri ofron një gamë të pasur informacioni mbi trashëgiminë krijuese dhe studimore të Arshi Pipës, duke përmbledhur poetikën dhe kritikën e tij letrare dhe duke dhënë një këndvështrim të thelluar mbi figurën e tij tashmë jo vetëm si poet, por edhe si studiues i letërsisë dhe kritik letrar. Struktura e veprës shpaloset përmes një parathënieje, njëmbëdhjetë kapitujsh, një përmbylljeje në shqip dhe anglisht, si dhe pjesëve plotësuese si: bibliografia, literatura, një kapitull në gjuhën italiane dhe, në fund, autobiografia e Arshi Pipës. Renditja e kapitujve fillon me paradigmën teorike, dhe vazhdon me paradigmën e autorit, atë romantike, metrike, socioletrare, psikanalitike, bashkëkohore, poetike, krahasimtare, filozofike dhe atë dogmatike.
Kapitulli i parë, “Paradigma teorike”, shërben si një hyrje në idetë e Pipës mbi kritikën letrare. Ku shqyrtohen format e ndryshme të saj, funksionet që ajo përmbush, si dhe detyrat dhe karakteristikat përkatëse të secilës formë. Libri gjithashtu prezanton idenë e Pipës se “kritika është shenjë e mendjes së pjekun” (f. 28), një koncept i rëndësishëm dhe i spiktur ky, që përsëritet disa herë përgjatë gjithë paradigmës. Më tej, lexuesi prezantohet me idetë e Pipës lidhur me autorin, të cilat ndërthuren me mendimet e studiuesve të letërsisë, si Roland Barthes dhe Michel Foucault. Analiza bëhet gjithashtu përmes disa prej figurave të shquara të letërsisë sonë dhe ndarjes së tyre. Këto ide ndërthuren me elemente të estetikës, filologjisë, sociologjisë dhe psikanalizës letrare. Duke nxjerrë në pah kështu larmishmërinë e metodave të përdorura në vepër. Fishta, Migjeni, Camaj e Kadare janë vetëm disa nga emrat e shumtë që e shoqërojnë lexuesin në këtë rrugëtim shkencorë. Pas përqëndrimit fillestar te autori, vepra zhvendos fokusin tek vargu, duke i dhënë vëmendje të veçantë vargut folklorik. Kjo zgjedhje reflekton prezencën e madhe të këtij lloji në letërsinë shqipe. Në këtë kapitull paraqitet një degëzim i metrikës shqipe në aspektin gjeokulturor dhe religjioz, ku për secilin degëzim jepen autorë përfaqësues, si dhe fragmente tekstesh që argumentojnë dhe pasurojnë idetë e koleksionuara në Paradigmë.
Në “Paradigmën romantike”, duke u nisur edhe nga vetë titulli i kapitullit, lexuesi ka mundësinë të futet thellësisht në pikëpamjen e Pipës ndaj figurës dhe krijimtarisë së Romatikut shqiptar, Jeronim de Rada. Pikëpamja për këtë autor prek aspekte nga linguistika, estetika, politika, letërsia dhe interpretime të dorëshkrimeve të tij. Ndërsa në kapitullin “Paradigma socioletrare”, lexuesi mund të thellojë idetë e tij lidhur me disa autorë të traditës shqiptare. Duke u nisur nga më të hershmit, si Bardhi, Budi e Bogdani, dhe duke vazhduar me Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Andon Zako Çajupin, Lasgush Poradecin, Faik Konicën, Jakov Xoxën, Petro Markon, e shumë të tjerë. Ajo paraqet një periodizim të bërë nga Arshi Pipa mbi bazën e disa kritereve, ku në secilën ndarje lexuesi mund të gjejë autorët përkatës. Duke analizuar autorët përfaqësues dhe veprat e tyre në aspektin social, kulturor, ideologjik dhe politik, vepra ofron për lexuesin një pasqyrë të gjerë të zhvillimit letrar. Ajo argumenton gjithashtu panadarshmërinë e letërsisë shqipe ndaj ndikimeve të historisë dhe politikës. Kujtojmë që përpjekjet për një periodizim të letërsisë shqipe dhe klasifikim të krijuesve letrar në traditën letrare shqiptare nuk janë të pakta, por përpjekja e Pipës shquhet për qasjen e saj sistematike dhe thellësinë analitike.
Për lexuesit e zjarrtë të Kadaresë, “Paradigma psikanalitike” ofron perspektivën e Pipës lidhur me autorin shqiptar me famë ndërkombëtare. Nëpërmjet analizës së veprave letrare të këtij autori, por edhe përmes fakteve nga jeta e të dy autorëve, krijohet një pasqyrë e raportit ndërmjet tyre. Duke i lënë hapësirë lexuesit që të formojë një gjykim personal mbi realitetin e paraqitur në këtë pjesë të paradigmës. Vëmendja e Pipës nuk i shqitet figurës së Kadaresë as në kapitullin pasues, por tashmë duke e ndërlidhur analizën letrare të veprave, me raportin mes autorit dhe realizmit socialist. Pa harruar të përmendet këtu edhe trajtimi që Arshi Pipa i bën Letërsisë së Kosovës, i cili paraqitet më i përmbledhur, në krahasim me studimet e tjera të tij. Më tej në vepër, lexuesi ka mundësinë të njihet më thellësisht me krijimtarinë e Martin Camajt, për të cilën Pipa nuk i kursen vlerësimet dhe analizat. Madje, në përmbyllje të këtij kapitulli, vepra i ofron lexuesit fjalimin e mbajtur në varrimin e tij, i cili i jep një nuancë emocionale karakterit shkencor të Paradigmës.
Paradigma nuk mbetet vetëm në kufijtë e letërsisë shqipe, por i kapërcen ato. Në kapitullin “Paradigma filozofike” shqyrtohet vepra “Politikë e letërsi: paradigma Gramsci” e Arshi Pipës, ku ndërthuren analiza të politikës dhe letërsisë me kritikën letrare, në funksion të interpretimit të figurës së Antonio Gramsci-t. Ndërsa në kapitullin pasadhës, ajo paraqet trajtimin e Pipës mbi ndikimin e Dantes në krijimtarinë e Montales, duke pasur parasysh gjithashtu ndikimin e këtij të fundit mbi brezat e poetëve të rinj në Itali. Kjo dhe metoda krahasuese e këtij studimi, e bën këtë kapitull të veçohet nga ata paraprakë të Paradigmës. Në kapitullin XI, vepra bën një riorganizim më të detajuar të letërsisë shqipe, duke u ndalur te autorët dhe veprat më me ndikim në të. Në secilin nënkapitull trajtohen kategori të caktuara të letërsisë shqipe, si p.sh.: “Pararendësit e nacionalizmit”, “Klasikët e komunizmit”, “Heretikët e totalitarizmit”, “Veteranët e heshtur”, “Martirët e diktaturës” dhe “Qëndrestarët e burgjeve”. Secili prej tyre shoqërohet me lista të gjata autorësh dhe me argumente faktike që lidhen me përfshirjen e tyre në këto kategori. Por siç është shprehur edhe autori i “Paradigmës Pipa”: “te secili autor, Pipa trajton dy anët e medaljes: ideologjinë politike dhe atë estetike…”. Dhe duke i lënë vendin më pas pjesës plotësuese të veprës, të përbërë nga përmbyllja e Paradigmës, në gjuhën shqipe dhe angleze, listat me burimet e informacioneve mbi të cilat është bazuar autori i saj, kapitulli në gjuhën italiane, dhe autobiografia e Pipës. Në përmbyllje të Paradigmës, autori i rikthehet edhe një herë çështjeve themelore të ngritura në studimet e Arshi Pipës të trajtuara në këtë punim, por në një qasje tashmë më të përmbledhur dhe sintetike. Fakti që kjo përmbledhje është shkruar edhe në gjuhën angleze përbën një vlerë të rëndësishme për librin, pasi i mundëson atij të prezantohet edhe te një audiencë më e gjerë ndërkombëtare, përtej shqipfolësve. Po aq i rëndësishëm është edhe kapitulli i shkruar në gjuhën italiane, pavarësisht qasjes më të zgjeruar të tij. Në përmbyllje të librit, autobiografia e Arshi Pipës shfaqet si një pjesë me rëndësi të veçantë, duke i ofruar lexuesit një dozë të dimensionit personal, përmes një pasqyre mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij studiuesi dhe kritiku të letërsisë shqipe.
Sa i takon gjuhës së përdorur në Paradigmë, Agron Gashi përdor një gjuhë të qartë dhe akademike, me një stil të rrjedhshëm, të kuptueshëm dhe lehtësisht të kapshëm. Duke i ofruar audiencës informacion të drejtpërdrejt dhe të strukturuar mirë, ai arrin të komunikojë idetë, pavarësisht kompleksitetit të tyre, në mënyrë efikase dhe pa paqartësi. Gjuha shmang ngarkesat e panevojshme, duke u përqendruar në saktësi dhe argumentim logjik, çka e bën tekstin të përshtatshëm si për një audiencë akademike, ashtu edhe për një publik më të gjerë të interesuar për temën. Në këtë mënyrë, vepra i drejtohet jo vetëm të rinjve dhe studentëve të gjuhës e letërsisë, por edhe profesorëve universitarë, studiuesve të fushave të ndryshme letrare, si dhe lexuesve të përkushtuar të krijimtarisë së Arshi Pipës dhe autorëve të përfshirë në vepër.
Temat e trajtuara te “Paradigma Pipa”, nuk janë të trajtuara sipërfaqësisht, por autori thellohet në analiza të detajuara, duke ofruar argumente të mbështetura dhe të ilustruara me shembuj konkretë nga fusha e letërsisë. Vepra mbështetet në burime nga krijimtaria shkencore e Arshi Pipës, si dhe në një gamë të gjerë autorësh dhe studimesh shkencore. Kjo qasje e bën trajtimin e temave jo vetëm të plotë, por edhe të besueshëm dhe me vlerë për studime të mëtejme. Libri është i organizuar në atë mënyrë që rrjedha logjike e informacionit të mbetet e pandërprerë, ku tematikat ndërtohen mbi njëra-tjetrën dhe përshtaten me karakterin e saj studimor, duke lehtësuar kapshmërinë e informacionit, pavarësisht kompleksitetit të këtij informacioni.
Besoj se Paradigma Pipa përbën një avantazh shkencor për studentët dhe studiuesit e gjuhës dhe letërsisë, veçanërisht për gjeneratat e reja që duan të thellojnë njohuritë e tyre në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare. Jam e bindur se çdo lexues që ka fatin “ta mbajë në duar” këtë vepër, do të përfitojë nga kjo eksperiencë që bashkon dimensionin shkencor me atë letrar. Nga përvoja ime si lexuese, “Paradigma Pipa” më ka ofruar një kuptim më të thellë dhe më të qartë të figurës së Arshi Pipës dhe të ideve të tij në fushën e poetikës dhe kritikës letrare. Në përfundim, mund të them se vepra dëshmon vlerën e saj si një kontribut i rëndësishëm në studimet letrare dhe si një referencë e qëndrueshme për të gjithë të interesuarit, që synojnë një qasje më të thelluar ndaj kësaj fushe.
(Autorja është studente e nivelit master në degën e Letërsisë shqipe, në Fakultetin e Filologjisë)
ObserverKult
Lexo edhe:
Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”






