Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”

e gjithkohshmja Andërr

(Fjalë e mbajtur në përurimin e librit, më 16 prill 2024, në Prishtinë)

agron gashi

Nga Agron GASHI

1.Poezi e mizori

Në vapën e 11 korrikut të vitit 1995, në Bosnjë, në rrethimin e Srebrenicës, babai Rama Osmanoviç, i detyruar nga forcat e Ratko Mlladiqit, thërriste të birin, “Nermine, hajde! Lirisht tek serbët!”. Ky za dëshpërimi, ky zá vdekjeje, mbetet záni më tragjik i babait për fëmijën: – Hajde me vdekë, me u vra! U desh shumë kohë që ky të shndërrohej në pikturë, në skulpturë, në monument, në vepër artistike. A mjafton vetëm kjo? Jo! Por, të paktën të gjitha veprat, edhe ajo video makabre që ende qarkullon, bashkë me atë mbeti jehonë, kujtesë që nuk fshihet as nuk fashitet.

Një si ky, një 13 – vjeç, në Mejë,  i lutej nënës së tij: Nanë, mos m’lësho!, ndërsa i ati i tij,  të njëjtës kastë fashiste, i lutej në tokë e në qiell: Lëshone djalin, po vij unë!

Në mes tjerash, Donika na kujton Lirie Muqollin nga Pokleku, beben 6 muajshe, e cila u gjet në gjirin e nënës së vdekur bashkë me motrën e saj 3 vjeçe dhe 53 civilë të tjerë të masakruar.

Tragjeditë  si këto, kur kthehen në (s)prova fiksionale, janë të vështira për t’u kujtuar e më të vështira për t’u shkruar. Ndaj, libri poetik i Donikës, E gjithkohshmja Andërr, është kthyer në të atyre që s’patën frymë për të dëshmuar, të atyre që s’patën për të thanë fjalën, lutjen, pëshpëritjen e fundit. Ani se vaji, britmat, klithjet e tyre nuk i trandën agresorët.

Záni i poezisë (Michael Oakeshot) e ka të vështirë t’i intonojë situatat kaq të rënda. Gjuha si të bëhet e figurshme përballë këtij tragjizmi faktik?! Záni i poezisë si të kumbojë kur përbrenda një zhanri fiksional e ka reale vdekjen mizore, trishtimin, zinë?!

Poezia, na thonë simbolistët, nuk duhet të përshkruajë, por të evokojë, nuk duhet të tregojë, por të ndiejë, të ndiejë subjekti lirik përmes introspeskionit, ani se dija klasike aristoteliane proklamon edhe prospeksionin, kur e vë përballë poezinë me historinë

Jam i vetëdijshëm, Donika nuk e ka shkruar poezinë e saj për art, sa për memorie, nuk e ka dashur klithmën, vdekjen e tyre mizore ta skalisë me figura, po kjo promemorie u bë edhe i saj, me qasjen, ndjeshmërinë, objektivimin, gjuhën, narracionin poetik, ritmin, që duket se i bie si tunxh cilitdo lexues. Prandaj lexohet si poezi e mizori.

2.Poetika e vdekjes mizore

Ajo që duhet diskutuar me këtë rast, është dilema se si mund të shkruhet poezi për luftën, jetën e vdekjen mizore, pa treguar, pa rrëfyer? Ja që në diakroni poetika ka përplasur ndër vete idetë për zhanret, kufijtë e tyre, prej epit e deri te romani në vargje, lirika dramatike dhe së voni, poezia, lirika narrative. Megjithëse, aplikimi i stories në poezi vihet në pikëpyetje, ajo mund të analizohet sipas aplikimit transngjenerik të kategorive narratologjike (Huhn & Sommer).

Pra, aplikimi transgjenerik i narratologjisë ndaj poezisë lirike është relativisht i kohëve të fundit dhe zakonisht bëhet fjalë më shumë për sekuencialitetin, procesin temporal dhe ndërmjetësimin. Sekuencialiteti, mënyra e folësit, ligjërata, ku ngjarja poetizohet e tregohet, shndërrohet në model transgjenerik dhe aplikohet dukshëm në librin poetik E gjithkohshmja Andërr, që i ngjan një tetralogjie dramatike, si katër rrathë tmerri e ferri.

Strukturalisht ideotema shtrihet në katër cikle, si: Zanun n’lak, Lakmia me u çmend, N’luftë me korba, Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme.

Cikli i parë është futje në rrethin e vdekjes, cikli i dytë në procesionin e tmerrit, cikli i tretë thur fatalitetin, cikli i katërt  nxjerr ofshamat e pazashme të të gjallëve dhe të të vdekurve.

Cikli parë, Zanun n’lak, jo vetëm që është hyrje në luftën për mbijetesë, por edhe vizualizim i skemës dhe i skenës së krimit. Kështu, poezia Granatimi thyen qetësinë, shprish jetën, zhbën harmoninë hyjnore, e cila merr premisat e një drame jetësore. Ndërsa, poezia Shpija, nuk është veç shpi, strehë që frymojnë e gjallojnë familjarë e të ikur të luftës, është fortifikatë, është zot që jep shpresë. Shpija personifikohet, shpija bëhet njeri. Edhe pse autorja e pranon se i gjithë ky artikulim i dhimbjes kalon përtej definicioneve poetike, meqë lufta zhbën konotacionet filozofike, megjithatë prej shpisë kërkohet çare; shpija bahet nanë, vëlla, motër. Liria zvogëlohet, shpija rritet: S’e kishim pasë ditë se sa të mëdha i kishim pasë shpijat.

Rrëfimi poetik është tipik për situatë lufte, atipik për konotacione të mëdha poetike. Kjo ndodh kur nevoja e përvoja thuren brenda një hapësire fizike e fushëbeteje psikologjike:

Dhomat e epërme s’janë t’lakmueme.
Me dritare të mëdha, hiç e hiç.
Bodrumet e errët, t’mykëta, ajërzonta, janë me t’dëshiruemet.

E gjithë kjo, nga ne, protagonistë a viktima të luftës, receptohet si evokim, ndërsa nga brezi i ri si udhëzim, nga të tjerët – teatër lufte. Megjithatë, ajo kthehet në deklasim të subjektit lirik:

Lufta t’zhvesh prej finesave,
Lakmive, joshjeve,  dëshirave…
Lufta t’i mbytë tana andrrat
Lufta ta humbë arsyen.
Lufta t’i minimizon edhe nevojat.
Ta ngjallë veç instinktin
Edhe atë t’reduktuem
Veç qysh me mbetë gjallë.

Qysh me mbijetue.

Një digresion: Është dashur kohë, është dashur pritje e durim, gjakftohtësi, mendje të akullt e kujtesë të fortë, që më në fund poezia për luftën të ndërrojë skemën, të dalë nga uniformiteti, të zhvishet nga himnizimi, edhe pse përpjekjet dhe qëndresa ishin mbinjerëzore, pjesa tjetër duhet të shtrohet ashtu siç ishte, e tmerrshme, e padrejtë dhe e pabarabartë.

Kësi rasti, Donika nuk është subjekti që vajton, janë protagonistët e saj realë. Ajo  hyn nën lëkurën e tyre e bëhet një me ta, ndien e flet prej pozicionit të tyre.  Poezia e Donikës, nuk është krejt elegji, ani se tonet elegjiake dalin që andej, është përshkrim e rrëfim, është gjuhë e imazh. Në ciklin  e tretë dramatik, diskursi nuk është introspektiv, siç e kërkon lirika, por artikulim i individit që e dikton logjika.

Megjithatë, askund si këtu nuk estetizohet plaga e luftës, edhe pse záni poetik është dramatik, si te poezia Simfoni zorrësh, ku ngre krye uria, te Matrapaztë, ku shpërfaqet paradoksi  e  kursi i gjithkaje rritet përditë, krahas vorreve (f. 26), apo ku mizoria arrin skajet e egërsisë si te poezia Ulërin deka me pirgje t’dekunish, me theks vargjet: Bebe t’nxjerruna prej barqesh t’shtatzanave. Bebe t’ushqueme me gjak gjinjsh t’nanave, një himn i vargjeve të zeza përmes figurave mortale deri në shkallën sipërore: S’po pyetke futzeza. Ma e zezë se e zeza ish.

3.Figura mortale

E gjithkohshmja andërr është lufta e madhe psikologjike, një  andërr, gjakim, vetëm me dalë gjallë nga lufta. Kjo andërr është lajtmotiv në çdo poezi të Donikë Dabishevcit. Thyerja, dëshpërimi, dhuna e dhunimi, trajtat e dekës, të papërfytyrueshmet, të paparat bëhen poetikë e vdekjes mizore të këtij fundshekulli në Ballkan, madje narrativa, historia dhe metahistoria e tij.

Në momente të tilla, hiret e poezisë bien para akteve të tilla, lufta mes jetës dhe vdekjes kthehet në luftë të gjuhës. Qysh luliset deka, si poetizohet mizoria?! Prandaj, këtu e tutje kërkohet edhe një psikanalizë për këtë natyrë shkrimi…

Te cikli Lakmia me u çmend, teksti dramatizohet, dialogu poetik është ndër më të rëndit, qoftë kur është në trajtë monodike, qoftë kur vjen si jehonë e modeleve korale. Brenda ninullës babai është i zhytun në gjak, brenda vajit të bebave plasin hanxharët, duke u përthyer në onomatope drithëruese, deri te ndërkallja e fjalëve të fundit, si ligjëratë e drejtë e Leutrim Ahmetit, 7-vjeç, apo prej metaforash të zeza,  si te poezia Mos: Gjoksi i nanës lulue  prej nji duhie plumbash...(f.59), tutje te metonimia mortale: Diq me sy çelë.

Përtej kësaj, një piktogram dhimbjeje alternon mizorinë në ciklin N’luftë me korba, aty ku rikthehet mesjeta e errët deri te skuadrat e pushkatimit të gjysmës së dytë të shekullit ‘20-të.

Dhe, cikli i fundit është krejt ajo çfarë mund të bëjë një poet a poete, duke i renditur fjalët në kartë, ato fjalë gjaku, në çdo tekst duke bashkëjetuar e dhënë shpirt me ta. Madje, edhe duke udhëtuar në parajsë për t’shndrit’ për të vdekunit të vramë mizorisht, njëkohësisht për t’u bërë zani i tyre.

Fjalësi poetik është ndër me të rrallët për luftën, i zgjedhur poetikisht, i menduar koceptualisht, objekt ky edhe për linguistikën se çfarë është ligjërimi për luftën dhe çfarë mund të artikulojë ai/ajo, sidomos kur drama lirike shpaloset me tone pikëlluese e metafora të errëta.

E gjithkohshmja andërr  është lirikë e trishtë, edhe kur përshkruan e rrëfen, edhe kur faktet  poetizohen, aty ku letërsi e dëshmi bëhen një.

3.Në fund: një grafit

E gjithkohshmja andërr është libër libër poetik polifonik, jeh i zërave të luftës.

E gjithkohshmja andërr nuk është vetëm një ars memorativa, as vetëm një vepër artistike, është më shumë se aq, një vepër morale e një diademë mortale, një libër i shkruar për bukuri për luftën e dhimbshëm për njerëzinë.

Donikë Dabishevci e ka përjetuar luftën, ka qenë pjesë e saj, njeh thyerjet e ngritjet, njeh  triumfin e rezistencës, por edhe tehun e ekzistencës,  ndaj  (sikur) i është  përmbajtur grafitit të një lufte, diku përtej botës shqiptare, në Lindjen e Mesme e që nuk i dihet autorësia, por që ka gjetur vend në mes të vargjeve të saj:

Lufta ka me përfundu nji ditë
E unë kam me iu kthy poezisë.

Donika, me këtë libër poetik, i është kthye e rikthye asaj më mirë se kurrë.

ObserverKult

Lexo edhe:

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U KUSHTOHET VIKTIMAVE TË LUFTËS NGA DONIKA DABISHEVCI
GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!