
E di ç’do bëja
kur të të shihja për herë të parë,
dashuria ime e paqenë?
Ajo që ekziston
vetëm si mungesë e projeksionit tim?
Do qaja.
Si shkarkim i një tensioni të mbajtur gjatë,
kur ndjenja grumbullohet
deri në dhembje dhe kërkon dalje.
Do qaja shumë.
Pa zë.
Nuk do e thoja, as edhe asnjë fjalë!
Në atë çast, do ishte e pavërtetë.
Ajo vjen gjithmonë pas përjetimit,
një përkthim i vonuar i shpirtit,
tepër e vogël për të mbajtur peshën e tij.
Nuk do nxirrja as edhe një tingull.
Çdo emër është kufi,
përtej çdo forme.
Sa e sa fjali kam thurur për ty,
përpjekje për ta ndërtuar një urë
dhe për ta çliruar ndjenjën
që më mban pezull,
mes asaj që ndiej
dhe asaj që arrij ta kuptoj.
I kam qëndisur me fije gjaku,
me fije drite,
ato çaste të rralla kur vetëdija kthjellohet;
me penjë të këputur nga netët e vona,
kur mendja nuk pushon,
por rrotullohet në një qark vetëshkatërrues.
Qante gjaku.
Netët që i gjymtoja,
koha që ia hiqja vetes
për të mbetur e plotë.
Por, nuk kisha mëshirë.
Sepse krijimi nuk është akt i butë.
Është domosdoshmëri e egër,
detyrim që nuk negocion
me lodhjen, me dhembjen, as me arsyen.
Më duheshin ato penjë
për ta qëndisur vargun.
Atë varg që nuk lind nga dëshira,
por nga presioni i tepërt i qenies,
nga shtërzimi që egërsohet
deri sa i ngjan vdekjes,
por në të vërtetë
është forma më e pastër e mbijetesës.
Sepse vargu lind aty,
ku njeriu nuk ka më hapësirë
të mbetet i tërë…
dhe zgjedh të copëtohet me vetëdije.
ObserverKult
Lexo edhe:






