reklamë

“Trajtat e përjetësisë”, poezi nga Enela Hoxha

Ndonjëherë e kërkoj
përjetësinë,
në arnat e xhaketës së vjetër.
E vesh edhe njëherë
para pasqyrës,
por ajo s’më përket më mua.
Tani bota është së prapthi,
si Liza përtej xhamit ose
sytë e mi janë të mbrapshtë.
Përjetësi nuk ka në ta,
vetëm ndoshta kur i dashurojnë.
Ndonjëherë e kërkoj
përjetësinë,
nën shuallin e këpucëve që mbath.
Në mes të udhës me
njëzet vitet e mi –
njëzet vite të shkapërdarë.

Herë pas here
u vendos leukoplaste plagëve
të shëruara me kohën.

Ndonjëherë përjetësia flet
përmes neonit të reklamave:
“Shijoje çastin!” ose
“Mos e lër këtë të të humbasë!”

Herën e fundit e gjeta
përjetësinë,
në nikotinën e ditëve që digjeshin
njëra pas tjetrës.

Njëherë tjetër, përmes
xhamave të padukshëm që përshkojnë
tunelin tim vetmitar; do të ta gjej
aty në cepin e buzëve,
ashtu siç e gjejmë kurdoherë
përjetësinë: në skaje.

ObserverKult


Lexo edhe:

“Në anën tjetër”, poezi nga Enela Hoxha