Viktor Hygo: Danteja m’u çfaq n’ëndërr dhe ja çfarë më tha

falim aq sa dashurojme hygo

Nga Viktor Hygo

Po flija atje në varr ku robi ngrin hatà.
Po e ndjeja se i kisha, mu si lisi i rrëzuar,
Kockat tamam si gurë, mendimin si të shuar.
Nëpër gjumë siç isha, sikur ndjeva përbri
Një zë që po më fliste aty në fshehtësi
E po më thosh ca fjalë të përzishme, drithtirë.
Dhe thirra: “Kush ësht, vallë, aty n’atë errësirë?”
Pastaj fërkova sytë dhe pyeta me lebet:
“Sa kam fjetur kështu?” Zëri tha: “Pesqind vjet;
U zgjove që poemën tënde ta mbarosh vetë
Vitin pesdhjetetre, në shekull nëndmbëdhjetë,”

Dhe, ja, u zgjova krejt; rreth meje s’kish njerì;
Varri akull i ftohtë, me qemerin e zì
Qé zhdukur, dhe unë jashtë kohës dhe hapësirës,
Pa trajtë kisha mbetur, një hiç i errësirës;
Qëndroja ashtu më këmbë, pa ditur ku, mbi se.
Më së fundi dhe mua syri në terr m’u mpreh
Dhe të shoh pakëz dritë dalngadal u mësova;
Dy dyer mjegullore ahere un’ dallova,
Njërën larg, para meje, tjetrën atje përposh,
Nën një ré me elementa të shkrira në një llosh,
Tamam posi një pus që shihet në kënetë.
E para qé xhenet me dritë të vërtetë,
Ishte nj’unazë zjarri në një mjegull flori;
Me sibillat n’Endor kush flet me urtësi,
Për të stisur këtë hark, meteorë e shkëlqyer,
Rrezet e zbardhëllimit kish marrë e kish mbërthyer;
Kështu kujtoja unë dhe u bëra i verdhë dyll.
Kjo derë që shkëlqente si xhevahir e yll,
Ndriçonte atje thellë n’hapësirën e zezë,
Në bosh qëndronte pezull, dhe si fener ish ndezë;
Eteri i lirë dukej tek vlonte nën ‘të,
Se asnjë mal s’do guxonte ta mbante dot atë
Dhe, nën shtyllat e shënjta t’atij harku ylyveri,
Edhe Sinai vetë do qé shëmbur nga tmeri.
Dera tjetër përposh tregonte një ahur
Të zi pis posi tymi, gjithë plasa, si mur
Që duket vagëllimthi në një pus errësirë,
Me konturet të zhytura në thellësinë e nxirë,
Një farë shpelle hatà e ndërtuar me terr;
Për të rrethuar Ferrin qé stisur ky krater.
Ajo derë të dukej si e humnerave goja.

Të këqijat që hoqëm në botë unë mendoja
Dhe me llahtar e tmer shikonte shpirti im
Herë kubenë e zezë, herë derën ndriçim.
“Ja dyert e misterit!”-m’erdhi sakaq në kokë,
Se m’u kujtua ç’thuhej atje poshtë në tokë.

Menj’herë u zhduk çdo gjë dhe befas u bë pus.

Përktheu: Sotir Caci

*Shkëputur nga “Vegimi i Dantes”

ObserverKult


Lexo edhe:

VIKTOR HYGO: ÇUNAK QË S’DIJA NGA NDJENJAT, NJËZET AJO