
Nga Sabit Rrustemi
… mëngjesi i sotshëm nuk më la vetëm pa Ty, po, më la edhe pa fjalë… dhe me një merak që s’do t’më hiqet gjatë gjithë jetës: Pse, pse nuk të thirra mbrëmë? Dy herë nxora telefonin nga xhepi dhe … prapë e ktheva aty ku ishte. “Hajt mos të të trazoj… mbase mund të jesh kotur paksa, se, për t’fjetur si duhet, gati kemi harruar. … mbase mund të jesh duke ëndërruar apo dhe skicuar ndonjë poezi të re, duke e përimtuar ndonjë mendim që sapo të të ka vetëtuar në mendje … apo dhe duke u përballur me atë frymë shpirti e jete që zuri të të pakësohej dita – ditës. Dhe, herën e tretë fare s’provova…
E sapo më tregoi djali, këtë mëngjes, u mpina … aty midis oborrit ku dola t’i shtrij për pak krahët.
Po pse, pse nuk të thirra mbrëmë??? Kjo thirrje e brendshme që s’ndodhi zëshëm, si shumë këtyre mbrëmjeve viteve të fundit, do t’më shoqërojë gjatë, gjatë… sepse tash do të flas vetëm me kujtimet që na mbetën, nga koha e gjimnazit e këndej… me ecjet tona nëpër krrajatat e jetës që s’i kishim fare të lehta, me të gjitha ato vepra të mira që i bëmë apo dhe që na mbetën pa i kryer si duhet për Kosovën tonë, e në veçanti me të gjitha ato kujtime që i hodhëm nëpër letra e libra… për aq sa do t’kem kohë … bash për aq, sepse ne prapë do të takohemi DIKU, diku atje, ku do të shihemi e do të flasim në heshtje e në paqe të përgjithmonshme.
Se, rrugët e ecjet na qojnë andej…
Po ti, prehu i qetë në atë paqe shpirti që e doje dhe gjakoje aq shumë, prehu i qetë në atë botë të përjetshme, që s’e shohim po e ndjejmë dhe, ndihu krenar me krejt ate që bëre përgjatë gjithë kësaj jete që e jetove.
Neve na ke këtu poshtë, edhe mue madje, për çdo gjë që mund të bëjmë për Ty.
Vetëm Ti, ndihu i kënaqur atje lart e na ndriqo parreshtur, që t’shohim pakëz më mirë, edhe kur t’na erren përpak sytë, apo dhe kur na pluhurosen kujtesat. Na ndriqo që t’kthjellohemi e të ecim ashtu drejtë, si Ti, me hapin e mendjen e kthjelltë drejt atij synimi, atij ideali që e kishim dhe na mbeti si BREZ …
Miku im i mirë, nga më të mirët e më të rrallët që njoha; Lum si t’i që u çlirove nga të gjitha hallet e kësaj bote dhe nga ai mall i pashur për më të dashurit e Tu si dhe miqtë që i pate për zemër … do të rrojë, si jo. do të rrojë përgjithmonshëm VEPRA që e le trashëgim e KUJTIMI për TY, përderisa në këtë planet ku jemi, do t’ketë jetë nëpër mote …
9 prill 2026
ObserverKult
Lexo edhe:






